Kërkesa e Belgjikës për arrestimin e Frrokut për vrasje, shtyhet për të martën mbledhja e Këshillit Mandatave për mungesë të deputetit

Mar 30, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Mark Frroku pritet të raportojë ditën e martë në Kuvend para Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, lidhur me kërkesën e dytë të Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetit me akuzën për vrasje që vjen nga Belgjika. Mbledhja e këshillit në Kryesinë e Kuvendit filloi këtë pasdite rreth orës 16:00 dhe zgjati për rreth 25 minuta, ndërsa shqyrtimi çështjes u shty për mesditën e së martës për shkak se kërkohej prezenca e deputetit Mark Frroku. “Në zbatim të pikës 3 të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua sot mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë ndaj deputetit, z. Mark Frroku.  Mbledhja u drejtua nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe dy avokatët e z. Mark Frroku”,-thuhet në njoftimin e Kuvendit. 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ne Keshillin e Mandateve

Më herët, kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë autorizim për arrestimin e deputetit Mark Frroku, kësaj here me akuzën e vrasjes. Ne kete mbledhje mesohet se jane te pranishem dy avokatet e Frrokut dhe ajo drejtohet nga kryeparlamentari Ilir Meta.

Kuvendi i Shqiperise

Me anë të një njoftimi zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka hapur procedim të ri penal ndaj deputetit Mark Frroku.

“Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të Kodit Penal të Belgjikës”, thuhej dje në njoftimin e organit të akuzës.

Sipas burimeve zyrtare, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 2, datë. 28.03.2015, ndaj Mark Frrokut, për veprën penale të “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim.

Hapja e hetimit është bërë mbi bazën e dosjes së përcjellë organit të akuzës, nga ana e Interpol Tirana dhe Ministria e Drejtësisë në Shqipëri.

Dosja penale për vrasjen në Belgjikë, është një procedim i ri penal i nisur tashmë nga Prokuroria ndaj Mark Frrokut, veçmas çështjes penale të hapur ndaj tij për “dëshmi të rreme” në dosjen “Doshi”.

Prokuroria në kërkesën për arrestimin e Frrokut, i bën me dije Kuvendit se gjykata belge ka vendosur ndaj tij 10 vjet heqje lirie në lidhje me vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, më 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim.

Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim. Në bazë të legjislacionit procedural penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin.

Gjykata e Kasacionit, me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim. Pas apelimit të mbrojtjes, kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështjeje të fillojë në shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin tetor 2015.

KUVENDI

Kuvendi i Shqipërisë ka konfirmuar dje se ka marrë kërkesën e prokurorit të Përgjithshëm për autorizimin e arrestimit të Mark Frrokut për akuzën e vrasjes. Në një njoftim thuhet se Kuvendi do të shqyrtojë ditën e sotme, e diel, kërkesën e Prokurorisë. “Bëjmë me dije se me shkresën nr. 1004/30, datë 28.03.2015, prokurori i Përgjithshëm ka depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën dhe relacionin shoqërues për dhënie autorizimi për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku”, thuhej dje në një njoftim të Kuvendit.

Sipas burimeve zyrtare, pas marrjes së kërkesës, kryetari i Kuvendit ka vendosur që mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit, që do të shqyrtojë kërkesën dhe relacionin shoqërues për dhënie autorizimi për arrestimin, ose heqjen e lirisë, të mbahet ditën e diel, datë 29 mars 2015, ora 16:00, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Nga Trashëgim Sokolaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura