Kërkesa e Belgjikës për arrestimin e Frrokut, Ristani: Brukseli vërtetoi lidhjen e Ramës me krimin

Mar 28, 2015 | 11:59
SHPËRNDAJE

Pasi Belgjika kerkoi nga Shqiperia zyrtarisht arrestimin e deputetit Mark Frroku ne akuze per vrasje, Partia Demokratike deklaroi se ky eshte nje tregues i forte qe vjen nga Brukseli rreth faktit qe Rama po qeveris me krimin.

Ne nje deklarate per media, deputeti Ristani ka akuzuar Ramen se e dinte te shkuaren e Frrokut, por e lejoi te zbulohej vetem dje, pasi i vuri kapak hetimit për aleatin e tij Meta, duke fshehur të vërtetën e duke mos lejuar proces të drejtë, të plotë e të paanshëm.

“Kryeministri e ka ditur prej kohësh që Frroku ka probleme me drejtësinë belge, por e ka mbajtur në sirtar këtë kartë, për ta pasur deputetin nën kontroll. Frroku ishte dëshmitari kyç në akuzën ndaj Ilir Metës, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe rezultoi se ai, dëshmoi pikërisht atë që dëshironte kryetari i parlamentit dhe kryeministri”- tha Ristani.

Sipas tij, kapja e dëshmitarit dhe ndërhyrjet e tjera brutale dhe sistematike në hetim, e futën procesin në hullinë e dëshiruar dhe të paracaktuar nga Rama dhe Meta.

“Partia Demokratike e ka denoncuar me forcë që prej fillimit aleancën e Edi Ramës me krimin, përzgjedhjen prej tij dhe sjelljen në parlament të personave të inkriminuar. Partia Demokratike dhe mediat e pavarura kanë folur për të shkuarën kriminale të deputetit Frroku dhe cëshjet e tij të hapura me drejtësinë belge. Edi Rama refuzoi të mbante përgjegjësi, ndonëse ishte shumë mirë i informuar për të kaluarën e deputetëve të tij, i ka njohur mirë ata, dhe prandaj i përzgjodhi, për të blerë votat, për të vjedhur votat, për të shantazhuar votuesit”- tha me tej ai.

Sipas tij, faktet e bëra publike sot vërtetojnë denoncimet e Partisë Demokratike për të shkuarën kriminale të deputetit Frroku.

“Pas publikimit të këtyre fakteve shqiptarët pa dallim e shohin me sytë e tyre të vërtetetën tronditëse se Edi Rama është arkitekti i kësaj skeme të fshehjes së dosjes së Frrokut, të pazareve me të, dhe përdorimit të tij në manipulimin e procesit hetimor. Në dritën e këtyre të vërtetave tashmë të konfirmuara zyrtarisht, Edi Rama është ekspozuar përfundimisht si njeriu, i cili ka bërë aleancë me krimin, ka firmosur me krimin, ka ardhur me krimin në pushtet, ka vendosur me krimin, po qeveris me krimin dhe me krimin po manipulon drejtësinë”- tha ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura