RENEA merr në mbrojtje ministrin Tahiri dhe familjen e tij. U kërcënua me SMS, Prokuroria: Dërguesi pretendon se është Vladimir Gjuta

May 24, 2015 | 22:55
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe familja e tij merren në mbrojtje nga Renea. Vendimi për shtimin e masave të sigurisë në ruajtje të ministrit dhe familjes vjen pas mesazhit kërcënues në telefonin e tij celular nga një person që pretendon se është Vladimir Gjuta. 

Ministri i Brendshem, Saimir Tahiri

Ky i fundit është person i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria në lidhje me disa shpërthime eksplozivi në Tiranë, përfshi edhe farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Mesazhi kërcënues i dërguar në adresë të kreut të Ministrisë së Brendshme është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Krimeve të rënda, ndërsa ngjarja mësohet se ka ndodhur më 9 maj 2015. Pas mbërritjes së mesazhit në telefonin e ministrit të Brendshëm, ai menjëherë ia ka kaluar policisë.

Sipas burimeve zyrtare, mësohet se nga ana e ministrit Tahiri nuk është bërë kallëzim penal në lidhje me ngjarjen. Ai e ka vënë mesazhin në dispozicion të Policisë së Shtetit, e cila më pas ka hartuar një informacion mbi ngjarjen e ndodhur, të cilin ia ka përcjellë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Burimet nga organi i akuzës thanë se materiali me informacionin për mesazhin kërcënues në adresë të ministrit të Brendshëm i është bashkuar dosjes, që ishte në hetim për eksplozivin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit.

HETIMI

Pasi ka marrë informacionin e përcjellë nga ana e Policisë, Prokuroria ka nisur hetimet. Një burim nga organi i akuzës sqaroi se “në mesazhin e nisur në adresë të ministrit Saimir Tahiri pretendohej për padrejtësi të Policisë së Shtetit ndaj familjes Gjuta”. Sipas të njëjtit burim, në mesazh kërkohej që familja në fjalë të lihej e qetë, në të kundërt do të kishte probleme. “Në fund të mesazhit shkruhej se autori i fjalëve dhe dërguesi ishte Vladimir Gjuta, por deri tani nuk ka asnjë provë që ta konfirmojë nëse ky person ka qenë apo jo dërguesi i mesazhit”, kanë thënë më tej burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, Vladimir Gjuta është një nga personat e shpallur në kërkim bashkë me shtetasin Baftjar Bruka në lidhje me eksplozivin e vendosur në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm.

KONTROLLET

Pas mesazhit kërcënues të mbërritur në telefonin e ministrit të Brendshëm, Policia e Shtetit dhe Prokuroria kanë kryer disa veprime me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Për disa ditë me radhë, efektiva të Policisë kanë kryer kontrolle në disa banesa dhe në një lokal në pronësi të familjes Gjuta te Rruga e Elbasanit, në Tiranë. Disa punonjësve dhe personave të tjerë në këto prona u janë verifikuar aparatet telefonike dhe numrat celularë, me qëllim identifikimin e mundshëm të dërguesit të mesazheve. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura