Zarf me fishek në shtëpi, kërcënohet e veja e Fatmir Haklajt, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit: Do të të vrasim ty dhe vajzën

May 14, 2015 | 11:16
SHPËRNDAJE

Fatmir Haklaj

Gruaja e ish-shefit të Policisë së Tropojës, Fatmir Haklaj, i vrarë 15 vjet më parë, kërcënohet me jetë nga persona të paidentifikuar.

E veja e personazhit të njohur në Tropojë, denoncoi dje se është kërcënuar me një letër të futur poshtë derës së shtëpisë në Kamzë. Anila Haklaj (Demiraj), 38 vjeçe, ka denoncuar ngjarjen në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në zyrën e Krimeve Kundër Jetës, pasi ndihet e kërcënuar nga shënimi që kishte letra.

“Do të vrasim ty dhe vajzën”, shkruhej në letër, ndërsa në zarf ishte futur edhe një fishek kallashnikovi. Burime nga Policia e Tiranës thanë se e veja e Fatmir Haklajt ka deklaruar se letrën e ka gjetur në shtëpinë e saj që ndodhet në Bulevardin Blu në Kamzë, edhe pse ajo prej kohësh nuk jeton aty, por në shtëpinë e të vëllait, në rrugën “Idriz Dollaku”.

Ajo është shprehur se pavarësisht se nuk jeton më aty, pasi është vetëm, duke qenë se vajza e saj e vetme ndodhet prej shumë vitesh në Suedi, te njerëzit e babait, shkon herë pas herë për të kontrolluar shtëpinë. Letrën ajo thotë se e ka gjetur paraditen e së hënës dhe ishte e futur poshtë derës, brenda një zarfi. Autorët kishin shkruar një kërcënim për të dhe vajzën, si dhe kishin futur brenda edhe një fishek, që sipas saj i përket një arme automatike tip “Kallashnikov”.

Disa orë më vonë, bashkë me zarfin e gjetur poshtë derës, ajo është paraqitur në Polici, e shoqëruar nga i vëllai, ku ka bërë kallëzimin para oficerëve të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Burimet thanë se kanë nisur procedim penal pa autor dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës. 

 

Fatmir Haklaj, foto e marre nga nje video ne Yuo Tube

 HETIMI
Pas kallëzimit të bërë nga e veja e Fatmir Haklajt, oficerët e Policisë së Tiranës kanë administruar në cilësinë e provës materiale letrën dhe fishekun që ndodhej në zarfin e gjetur poshtë derës nga Anila Haklaj. Ndërsa kanë sekuestruar disa kamera sigurie të bizneseve pranë pallatit ku ndodhet shtëpia e 38- vjeçares, në Kamzë, edhe pse ajo nuk jeton më aty.

Burimet thanë se është pyetur me hollësi e dëmtuara, e cila ka dhënë sqarimet e saj rreth ngjarjes, por edhe dyshimeve që ajo ka për motivet e kërcënimit. Në deklarimet që ajo ka dhënë para oficerëve të policisë është shprehur se nuk ka asnjë dyshim që kërcënimi i vjen si pasojë e ngjarjeve të viteve më parë, për të cilat është akuzuar si përgjegjës Fatmir Haklaj.

Ajo nuk ka përmendur emra konkret, apo ndonjë kërcënim të mëparshëm që mund të ketë pasur, duke thënë se mjafton fakti që është e veja e të fortit të Tropojës, për të shpjeguar arsyet e kërcënimit. Pasi ka bërë kallëzimin dhe ka përfunduar me deklarimet e saj, e veja e Haklajt ka kërkuar mbrojtje nga strukturat policore, pasi ndihet e rrezikuar pas letrës që ka gjetur. Burimet thanë se ngjarja po hetohet, ndërsa pritet ekzaminimi i letrës dhe fishekut të gjetur në zarf, nëse mund t’i çojë ekspertët te gjurmë gishtash apo identitete personash të dyshuar. ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura