Kërcënohet inspektori: Do ta paguash djegien e drogës

Aug 28, 2015 | 23:05
SHPËRNDAJE

Kërcënohet me jetë pas aksionit inspektori i Antidrogës. Një nga efektivat e Komisariatit të Policisë Mat është kërcënuar nëpërmjet një telefonate nga kultivuesit e bimëve narkotike.

polici hashashNgjarja pranohet nga Q.C., inspektor në njësinë administrative Komsi dhe konfirmohet po ashtu nga zyrtarë të Policisë së Burrelit dhe Prokurorisë së rrethit.

Forca e mjete të Policisë lokale janë dislokuar në vendin e quajtur “Përroi i Germanit”, fshati German në Burrel, ku u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan në vend, me anë të djegies, 370 bimë narkotike me lartësi 110—220 cm.

Në këtë kohë, “dikush” i ka telefonuar inspektorit të zonës dhe i ka kërkuar llogari përse po ia shkulnin dhe digjnin bimët e mbjella. Drejtues të Komisariatit të Matit thanë se telefonuesi anonim i është hakërryer Q.C.-së: “Do ta paguash shtrenjtë djegien e hashashit. Nuk do të të lëmë rehat. Nuk kishe punë tjetër që merresh me shkuljen e asgjësimin e bimëve që ne kemi mbjellë?!”.

Vetëm pak minuta pas telefonatës, që besohet të jetë bërë nga banorë të ish-komunës Komsi, inspektori ka vënë në dijeni eprorët e tij, duke u treguar me detaje se është kërcënuar keq nga një person që nuk e kishte identifikuar nga zëri dhe se telefonata ishte bërë me thurje, pa numër.

Drejtues të Policisë Mat dhe kolegë të inspektorit të kërcënuar kanë nisur menjëherë punën për zbulimin dhe ndalimin e personit që mendohet të jetë kultivues i bimëve narkotike.

“Kemi nisur menjëherë hetimet dhe jemi në rrugë të mbarë. Kompanitë celulare dhe prokuroria disponojnë mjete që telefonuesi anonim të kapet dhe arrestohet për kërcënim të forcave të Policisë, për shkak të detyrës”, pohuan zyrtarë të Policisë së Burrelit. I pyetur rreth ngjarjes, Q.C. tha se janë strukturat shtetërore që po hetojnë rreth ngjarjes.

“Nuk jam plotësisht i bindur nëse telefonuesi po fliste seriozisht apo kemi të bëjmë me ndonjë person që ka bërë shaka me mua. Kam marrë pjesë në një aksion të planizuar nga drejtuesit e Policisë për gjetjen dhe asgjësimin e bimëve narkotike në Komsi dhe zona të tjera të rrethit Matit. Përsëri jam në detyrë, bashkë me kolegët e tjerë.

Grupi hetimor të vijojë punën e nisur”, theksoi inspektori i Komsisë. Edhe zyrtarë të lartë të Prokurorisë Mat e pranojnë se kanë nisur hetimet rreth kërcënimeve që i janë bërë efektivit të Policisë dhe nga provat e dëshmitë e para mendohet se kërcënimi ka ardhur nga kultivues të bimëve narkotike, të cilët mund të janë matjanë ose krutanë. “Hetimet janë në rrugë të mbarë dhe besojmë se autori që guxoi të kërcënojë specialistin e Policisë do të vihet para ligjit”, theksuan burime pranë organit të akuzës.

HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura