Kërcënimi, ‘Shpëtoni ushtarin Rama’!

Apr 1, 2021 | 10:26
SHPËRNDAJE

baci-agim

AGIM BAÇI

Për këdo që i dukej e pamenduar se një ditë do të ishim përballë kërcënimeve si premtim elektoral, mjafton të ndjekë deklaratat e fundit të Kryeministrit Rama për proceset e rindërtimit dhe vaksinimit e të bindet se jemi përballë këtij realiteti të paimagjinuar.

Po si është e mundur që arritëm në këtë ditë kur dikush që kërkon të vijojë të qeverisë, të zëvendësojë premtimet me kërcënimet? Do të mjaftonte vetëm një lexim i shpejtë i raportit të hartuar dhe publikuar së fundmi nga organizata “Transparency International” dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim për të kuptuar se Rama është sot i detyruar të jetë kryekërcënuesi, pasi ai po sillet si peng i atyre që e kanë kapur sot shtetin përmes korrupsionit të lartë dhe ligjeve me porosi, që “Rilindja” i ka kthyer në rutinë.

Sipas raportit të publikuar, “Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku individë të fuqishëm, institucione, kompani e grupe të fuqishme brenda e jashtë vendit, komplotojnë që politikat, mjedisi ligjor dhe ekonomia t’u shërbejë interesave të tyre private në dëm të publikut”. Pra, qartësisht, ky raport na jep një Kryeministër që ka pak gjëra në dorë për t’u premtuar shqiptarëve, pasi klientët e tij i kërkojnë tjetër gjë nga ajo që duhet të bëjë një Kryeministër.

Ndaj, nën këtë presion të fortësh, gangsterësh, trafikantësh, është e kotë të besojmë se Rama mund të ketë më premtime për punësim, për integrim në BE, për vendosjen e drejtësisë. Tipat e personave, me të cilët ai funksionon sot, me të cilët del në publik, kanë nxjerrë jashtë loje edhe vetë Partinë Socialiste, e cila nuk ka më asnjë mundësi ta kontrollojë Ramën, e aq më pak ta shpëtojë atë nga ky kontroll që kanë rrjetet klienteliste mbi të.

Raporti që ka analizuar një grup rastesh korrupsioni të nivelit të lartë, që lidheN me rrjete klienteliste, korrupsionin në sistemin gjyqësor edhe ligjet e bëra me porosi, na e ka pikturuar plotësisht pafuqinë e z. Rama për të dalë nga ky rreth të fortësh. E vetmja rrugë për ta shpëtuar mbetet ta rrëzojmë më 25 prill, pasi ai vetë është i pafuqishëm për sa kohë është në atë detyrë.

Me shumë gjasë, ai po zgjedh kërcënimin për të bindur të lëkundurit që të shkojnë në kutitë e votimit e ta shpëtojnë z. Rama nga ky kërcënim që ka mbi krye për sa kohë është në atë post. Është e kotë t’i kërkojmë Ramës të na japë llogari për keqqeverisjen. Është edhe më e kotë të besojmë se ai është i interesuar të funksionojë Reforma në Drejtësi. Klientët e tij nuk dëshirojnë asgjë të tillë, ndaj ai s’mund të prekë asnjë fushë të dështimit të tij publik.

Ndaj, nuk ka pse më t’i kërkojmë llogari për mosmbajtjen e premtimeve apo për përgjegjësinë që ka me talljen që u ka bërë shqiptarëve në këto vite. Ai duhet shpëtuar dhe shpëtimi mund t’i vijë vetëm duke e larguar nga pushteti, që ai të shajë më pas përballë klientëve shqiptarët që nuk e kuptuan si duhet, që nuk i besuan që ai “është më i miri”, që “ka më shumë përvojë”.

Thuajse i gjithë komunikimi i ditëve të fundit nga z. Rama është më shumë një alarm në gjendjen ku ndodhet, në pamundësinë e tij për t’u kthyer pas. Edhe nëse dikur ka pasur ndonjë ëndërr, për të mbetur në mendjen e shqiptarëve për ndonjë punë të mirë, ai e ka të vështirë ta kujtojë atë.

Është në përgjegjësinë tonë ta kuptojmë këtë alarm të z. Rama, pasi ai tashmë vetë nuk mund të bëjë asgjë për t’u shkëputur. Ai është sot në pozitën e Dorian Grejit, që, në këmbim të rinisë së tij politike, mori përsipër të mbartë mbi shpinën e tij gjithë ligësinë e atyre që e shohin Shqipërinë si një plaçkë për tekat e tyre.

Ai është duke na e thënë. Vetëm kjo e shpjegon figurën e një Kryeministri që ka hequr nga fjalori i tij politik komunikimin, llogaridhënien dhe premtimet dhe tashmë po na fton përmes kërcënimit që ne ta shpëtojmë. Ndoshta, kaq ndihmë ai vërtet e meriton dhe ne nuk duhet ta braktisim në thirrjen e tij për ta larguar nga pushteti.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura