Kërcënimi/ I vendosi gjobë polices me fotot nudo, gjykata e lë në burg

Mar 28, 2016 | 8:17
SHPËRNDAJE

Dy vjet e gjashtë muaj burg do të vuajë një 22-vjeçar i akuzuar për gjobëvënie ndaj një oficereje të Policisë në Elbasan.

Krimet-erendaGjykata për Krime të Rënda ka dhënë dënimin për Marjo Bicin, 22-vjeçarin e akuzuar se, nëpërmjet kërcënimeve e presioneve, i ka kërkuar 500 euro një punonjëseje policie në Elbasan. Shuma e eurove është kërkuar nga i akuzuari në këmbim të mospublikimit në internet të fotove intime të oficeres dhe një videoje, në të cilën policja ishte duke bërë dush në shtëpinë e saj.

Në pretencën e saj Prokuroria pati kërkuar 3 vjet burg për të akuzuarin, i cili ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar një dënim përfundimtar prej 2 vjet e 6 muaj burg. Sipas Prokurorisë, mbrëmjen e datës 24.08.2015, shtetasja R.L. (inicialet janë të ndryshuara), po bënte dush në tualetin e shtëpisë së saj njëkatëshe në Elbasan.

Gjatë kohës që ishte në dush, ka dëgjuar zhurmë në dritaren e tualetit dhe ka parë një djalë të ri që po e filmonte. Ajo i ka thirrur dhe djali është larguar. Duke qenë se kallëzuesja ka qenë e zhveshur, nuk ka mundur të ndjekë djalin, i cili ka kaluar murin e oborrit dhe është larguar me vrap.

GJOBËVËNIA

Sipas Prokurorisë, dy ditë më pas, mëngjesin e datës 26.08.2015, në derën e shtëpisë së saj ka gjetur një letër anonime, në të cilën shkruhej se “duhej të linte 500 euro pranë koshit të mbeturinave të zonës, në orën 22:00 të mbrëmjes së asaj dite, pasi në të kundërt pamjet e saj nudo në dush do të bëheshin publike në rrjetet sociale dhe në faqe të ndryshme interneti”.

Me të marrë këtë letër, shtetasja R.L. ka bërë kallëzim pranë kolegëve të saj në Policinë Vendore të Elbasanit. Pas kallëzimit të saj, me vendim të organit procedues, në këtë datë, oficerja e policisë R.L. (kallëzuesja), u autorizua për të kryer veprime simuluese “dorëzim i kontrolluar i një zarfi” në vendin e paracaktuar nga letërshkruesi, duke u mbikëqyrur ky veprim nga forcat e Policisë.

Mbi bazën e autorizimit, oficerët e Policisë Gjyqësore printuan nga interneti një 100 euro me numër serial (pesë të tilla), dhe i futën në një zarf, të cilin e mori kallëzuesja, dhe para orës 22:00 të datës 26.08.2015, ajo me automjet shkoi te koshi i mbeturinave, ku e kishte orientuar të hidhte zarfin letërshkruesi, dhe hodhi aty zarfin. Sapo ajo u largua, një person u afrua te koshi i mbeturinave, mori zarfin, e futi në xhep dhe u largua.

ARRESTIMI E DËSHMIA

Ai u ndoq nga forcat e Policisë që vëzhgonin veprimet në terren dhe u kap në largim e sipër me vrap. Me vete, krahas zarfit “me para”, atij iu gjet edhe një aparat telefoni celular “NOKIA E51”, me numër serie përkatës, me kartë me numër vodafon, dhe një kartë memorie, të cilat u këqyrën dhe u dokumentuan fotot e zhveshura të kallëzueses. Pas kësaj, ai u arrestua.

Në marrjen në pyetje, Marjo Bici pranoi autorësinë e kryerjes së këtij veprimi të kundërligjshëm. Ai deklaroi se në datë 24.08.2015, në ecje e sipër, kishte parë një dritare të hapur të një shtëpie private dhe një femër të zhveshur. Ishte afruar dhe me telefon e kishte filmuar atë.

Ajo e kishte parë dhe i kishte thënë se çfarë bënte. Ai ishte larguar. Kur kishte shkuar në shtëpi të tij, kishte vendosur të shkruante një letër ku t’i kërkonte asaj 500 euro, në këmbim të mosbërjes publike të pamjeve të saj zhveshur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura