Kërcënimi i rivalit nga Shullazi, Dibra: E stisur nga shkatërruesit e universitetit

Apr 18, 2016 | 8:01
SHPËRNDAJE

Pas dy mandatesh si dekane në fakultetin ku nisi karriera e saj akademike përpara rreth 3 dekadash, profesoresha e Gjuhëve të Huaja që sot gëzon shtatë medalje vjen në garë si rektore e universitetit më të madh në vend.

Prof.dr Klodeta Dibra
Prof.dr Klodeta Dibra

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, prof.dr Klodeta Dibra reagon dhe ndaj akuzave të ish-kryeministrit Berisha për kërcënim të kandidatit tjetër për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nga Emiljano Shullazi.

Profesoreshë Dibra e cilëson të stisur këtë histori “nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot”. Sipas saj, zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës.

Në lidhje me programin mbi të cilin do të bazojë punën e saj për drejtimin e Universitetit të Tiranës, Dibra shprehet se do të punojë për aplikimin e statusit të pedagogut, punësimin mbi kritere profesionale, ndryshimin e modelit të pagesës dhe shpërblimeve duke iu përafruar të paktën nivelit të pagave në Republikën e Kosovës ku paga më e ulët është 1 mijë euro, si dhe rritjen e pagës mbi normë.

Ndërsa për studentët, ajo premton ndryshime në politikat e tarifimit (mosrritja apo ulja në profilet ku është e mundur si dhe pagesa më këste), krijimin e një zyre akademike studentore në ndihmë të studentëve, praktikim dhe dhënien e të drejtës së studentit për vlerësimin e pedagogut.

Jemi në ditët e fundit të fushatës për drejtimin e UTsë. Bazuar në platformën tuaj, cilat janë problematikat që keni identifikuar dhe si do t’i zgjidhnit në rast se bëheni rektore?

Projekti që ofron platforma ime ngrihet mbi një model drejtimi krejt të ndryshëm nga mendësia e drejtuesve të mëparshëm. Problemet që mban parasysh në 4 vitet e ardhshme kanë të bëjnë me politikat dhe trajtimin e pedagogëve, studentëve, mësimdhënies, programeve akademike, kërkimit shkencor, menaxhimit të burimeve financiare, infrastrukturën, funksionimin administrativ, zhvillimin strategjik dhe profilin ndërkombëtar, si dhe me marrëdhëniet institucionale mes strukturave drejtuese dhe qeverisjes së universitetit. Për pedagogët do të punohet në disa drejtime: aplikimin e statusit të pedagogut, punësimin mbi kritere profesionale, ndryshimin e modelit të pagesës dhe shpërblimeve duke iu përafruar të paktën nivelit të pagave në Republikën e Kosovës ku paga më e ulët është 1 mijë euro, si dhe rritjen e pagës mbi normë. Për studentët premtoj ndryshime në politikat e tarifimit (mosrritja apo ulja në profilet ku është e mundur si dhe pagesa më këste), krijimin e një zyre akademike studentore në ndihmë të studentëve, praktikim dhe dhënien e të drejtës së studentit për vlerësimin e pedagogut dhe të drejtën për t’u përfaqësuar me një ‘dekan’ që përcjell shqetësimet pranë secilit dekan fakulteti. Do të punohet gjithashtu për rifillimin e programeve doktorale, krijimin e programeve të përbashkëta dhe ndërdisiplinore e programe të posaçme kualifikimi.

Ndalemi te pranimet e reja, ku UT përthith numrin më të madh të studentëve. Do të punoni në këtë drejtim?

Pranimet e studentëve, prej disa vitesh, bëhen sipas formulës meritë-preferencë të Maturës Shtetërore, e cila nuk rezultoi e suksesshme. Ndërhyrja e duhur që u bë këtë vit iu jep mundësi studentëve të aplikojnë drejtpërsëdrejti, ndërsa janë propozuar kritere nga vetë universitetet duke pasur parasysh faktin se maturantët nuk kanë qenë të informuar më parë për ndryshimet që do të sillte ligji i ri. Pasi ligji të plotësohet edhe nga aktet nënligjore, senati i ardhshëm do të përpunojë kriteret, në mënyrë që të arrijmë standardin me bashkëkohor për të përthithur studentët më të mirë të vendit e të rajonit shqipfolës. Kriteret do të vijnë duke u përsosur.

Deri më tani, tarifat e studentëve kanë qenë burimi kryesor i të ardhurave e madje kanë shërbyer edhe për pagat e pedagogëve. Çfarë do të bënit ju për të rritur financat e UT-së?

Problemi i financimit është, pa asnjë droje, më kompleksi dhe që kërkon përpunimin e një platforme të mirëkonsultuar me ekspertë. Ajo që synojmë është shfrytëzimi maksimal i të gjitha burimeve të financimit, pra, të ardhurat nga tarifat, të ardhurat që krijohen nga veprimtaria kërkimore-shkencore, të ardhurat nga veprimtaritë e ndryshme për të tretët, të ardhurat nga donacionet e financimet të realizuara në partneritet publikprivat. Burimet financiare nuk mungojnë. Ajo që ka munguar deri më tani, është mënyra e shpërndarjes dhe e përdorimit të këtyre të ardhurave. Mospërdorimi me nikoqirllëk dhe, herëherë, keqpërdorimi i të ardhurave ka sjellë varfërim të aktivitetit kërkimor-shkencor, mungesën e vizionit për modernizim të infrastrukturës didaktike dhe asaj teknologjike e një sërë gjërash të tjera.

Nëse zgjidheni, do të ishit e para rektore femër e universitetit të parë shqiptar UT. E shikoni këtë si një betejë në emër të pedagogeve femra?

Në këtë garë nuk jam nisur të thyej asnjë rekord, pra të qenit rektorja e parë femër. Në këtë garë marr pjesë për të sjellë një frymë ndryshe në formë dhe përmbajtje, për të bashkëndarë një platformë dhe vizion që e kam hartuar në bashkëpunim me pedagogët, studentët, stafin administrativ duke qenë në kontakt e transparente ndaj shoqërisë shqiptare, ndaj së cilës kemi detyrimin e llogaridhënies.

Pas dy ditësh, pedagogë e studentë u drejtohen kutive të votimit. Përse duhet t’ju votojnë ju?

Platforma ime është alternativa më e mirë sepse: është zëdhënëse dhe reflekton shqetësimet e pedagogëve, studentëve, stafit administrativ; sepse ajo mban në konsideratë dhe e identifikon veten me interesat e pedagogëve, studentëve, stafit administrativ; sepse ajo ofron një model qeverisjeje të universitetit të ndryshëm nga modelet e mëparshme.

Ish-kryeministri Berisha akuzoi se një person me precedentë penalë ka kërcënuar rivalin tuaj për rektor, zotin Koni, që të tërhiqet nga gara, por dhe rektorin në detyrë Kule që të mos e mbështesë në këtë garë. Keni një koment për këto akuza?

Në deklarimin para gazetarëve të ish-kryeministrit unë nuk shoh ndonjë akuzë për mbarëvajtjen e procesit, por një insinuatë lidhur me kërcënimin e rivalit tim (apo të dikujt tjetër) në këtë garë dhe madje edhe tërheqjen nga gara. Por shpejt u mësua se nuk kishte një dorëheqje! Unë vazhdoj të këmbëngul, sikundër është bërë publike, që zgjedhjet në universitetet publike nuk janë dhe nuk mund të jenë një arenë ku përplaset politika e ditës. Ato janë përgjegjësi e vetë stafeve akademike, studentëve dhe profesoratit, të cilët kanë treguar, deri sot qytetari dhe kulturë. Ngjarja e pretenduar as që ka ndonjë lidhje me mua, por mesa duket, është stisur nga falanga që e çuan universitetin në këtë gjendje ku është sot. Por koha e tyre mbaroi! Ashtu sikundër nuk besoj se do të ketë kohë nga nesër e tutje edhe për të tjerë, që dëshirojnë të vetëviktimizohen ose lejojnë viktimizimin e tyre, sepse nuk kanë çfarë tjetër të ofrojnë për universitetin dhe të ardhmen e tij! Sepse kanë qenë pjesë e atyre falangave që përmenda më sipër dhe iu ka mbetur thjesht të inskenojnë palavdinë e tyre, duke mos ditur të bëjnë gjë tjetër! Unë vijoj të tregoj me përgjegjshmërinë time se jam në këtë garë për ta fituar atë. Emrin tim dhe këtë përgjegjshmëri nuk e implikon dot askush, aq më tepër politika.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura