Kërcënimet e këngëtarit ndaj të miturës: Vidhi para babait e m’i jep

Feb 3, 2016 | 8:21
SHPËRNDAJE

Një minorene nga qyteti i Lezhës ka vjedhur disa herë banesën e saj si pasojë e kërcënimeve nga një 40-vjeçar, fqinj i saj.

Policia-Berat

Ky ka qenë pretendimi i prindërve të 10-vjeçares në polici, duke kallëzuar fqinjin Arben Uka. Ky i fundit është ndaluar nga policia e Lezhës, por ai nuk ka pranuar akuzën e ngritur ndaj tij.

Burime të Policisë bënë të ditur se arrestimi i Ukës, i cili njihet si këngëtar tallava në Lezhë, është kryer pas denoncimit të babait të të miturës me iniciale A.M. E mitura, nxënëse në klasën e tretë në Lezhë, është zbuluar nga i ati si “hajdutja” e parave që zhdukeshin herë pas here.

Bëhej fjalë për shuma 10 mijë, 20, por edhe 30 mijë lekë të vjetër. Pasi nuk kuptonte se nga humbnin paratë në familje, i zoti i shtëpisë ka zbuluar se ajo që i vidhte paratë ishte vajza e tij 10 vjeçe.

Në momentin që është zbuluar, e mitura ka pranuar veprimin e saj, por i ka thënë të atit se kishte qenë e detyruar t’i merrte për t’ia dhënë fqinjit të tyre, Arben Uka. Sipas saj, ky i fundit i kërkonte herë pas here që të merrte para fshehurazi në shtëpi, në të kundërt ai e kërcënonte se do t’i bënte keq asaj dhe familjes së saj.

E gjendur në këto kushte, e mitura i ka rrëfyer babai të saj që ishte detyruar të merrte paratë dhe t’ia jepte fqinjit. Menjëherë pas kësaj, babai i të miturës i është drejtuar Policisë së Lezhës.

Pas kallëzimit të kryer, policia ka shkuar në banesën e Ukës duke bërë arrestimin e tij. 40- vjeçari është akuzuar për “shtyrje të të miturit në krim” dhe “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Burime të Policisë bënë të ditur se pas arrestimit, Uka është marrë në pyetje. Por ai ka mohuar të ketë lidhje dhe as dijeni me akuzat që i janë bërë. “Kjo është gënjeshtër e vajzës. Nuk kam dijeni dhe as nuk i kam kërkuar kurrë para. Hetoni dhe gjeni kujt ia ka dhënë në të vërtetë këto para, nuk jam unë personi që i ka poseduar dhe as nuk kam dijeni për to”, mësohet të ketë deklaruar ai në Polici.

Mësohet se i arrestuari Uka njihet në Lezhë si këngëtar tallava. Ai këndon nëpër lokale nate, kryesisht gjatë verës, në zonën e Shëngjinit. Ai bashkë me familjen e të miturës ishin zhvendosur së fundmi në një godinë të vënë në dispozicion nga ana e Bashkisë për familjet e pastreha.

ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura