Këpucarja e vetme në Sarandë: Profesionin ia vodha burrit

Sep 2, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Emine Duro është këpucarja e vetme jo vetëm në Sarandë, por ndoshta edhe në gjithë Shqipërinë. Një jetë të tërë ka jetuar pranë Lulit, bashkëshortit të saj, prej të cilit, siç thotë edhe vetë ajo, vodhi zanatin e këpucarit. Çdo ditë e gjen te reparti i saj i këpucarisë, atje në një cep te rruga e agjencisë.

Emine Duro 6
Punon e gjendur mes dhjetëra e qindra këpucëve, burrash, grash e fëmijësh, që qytetarët të ndryshëm i çojnë atje për t’i riparuar, nga një çarje diku, apo rregullim tabani të rrjepur që fut ujë, apo për ndonjë ngjitje me mastiç, praninë e të cilit sheh edhe në duart e saj. Në asnjë moment nuk e gjen të lirë.

Çekiçi e gozhdët, peri dhe gjilpëra, sipas rastit, janë shoqëruesit e saj të ditës. Pa harruar këtu edhe klientët e shumtë. Mineja, këpucarja që e njohim të gjithë, para zanatit të këpucarit ka qenë një rrobaqepëse tapiciere e mirë. Por ja që vullneti për punë bëri që ajo të ushtrojë mirë edhe zanatin e këpucares, jo vetëm për riparime, por edhe për këpucë të reja, nëse i kërkohen. Për të mësuar edhe më shumë për këpucare Minenë shkuam në vendin e saj të punës…

Emine Duro
Jeni ndoshta e vetmja këpucare femër që merreni me rregullimin e këpucëve. Si e keni mësuar këtë profesion?
Në këtë zanat kam pasur burrin. Bënte këpucë me porosi. Kam punuar me burrin dhe me gjashtë punëtorë të tjerë. Kur burri priste për këpucë të reja, unë qepja faqet. Atëherë ia vodha zanatin, se ai nuk ma jepte. Nuk donte që unë të punoja me të se unë kisha zanatin tim, rrobaqepëse. Modelistja më e mirë në Sarandë. Qepja kolltukë, tapiceri, por isha edhe rrobaqepëse, i bëja të tëra proceset e punës. Kam punuar 20 vjet në NPN, në repartin ushtarak. Qepja vetëm uniforma ushtarake që vinin me porosi.

Kur nisët këpucarinë?
Kur burri u sëmur, në 1997, fillova të punoj me një italian, që kishte hapur një repart në Sarandë. Me mua punonte dhëndri dhe vajza.

Çfarë pune bënit në atë kohë?
Kam qenë përgjegjëse dhe kontrolloja cilësinë e punës së punëtorëve. Kishim 300 punë- torë. Kur ika që andej, hapa këtë repartin këtu dhe fillimisht nisa të bëja këpucë të reja. I prisja dhe i qepja vetë. Burrin në ato kohë e kisha të paralizuar, por them se e kam përvetësuar mirë, shumë mirë profesionin e këpucarit.

Vazhdoni të bëni këpucë të reja?
Nëse marr materiale, i bëj edhe këpucët e reja. Po nuk kam më forca se jam 65 vjeçe, s’kam fuqi të punoj. Mosha më pengon, por edhe sepse kam punuar shumë. Punën e kam filluar që në moshën 10 vjeçe. Dhe i bëj thirrje gjithë brezit të ri që puna të jep fuqi e të jep jetë. Unë kam punuar në fushë. 20 vjet kam punuar në rrobaqepësinë ushtarake. Kur ika andej, shkova të punoj në hotel “Butrinti”, si tapiciere dhe qepja perde. Nga hotel “Butrinti”, shkova të punoj në Shtëpinë e Pushimit, andej më shpunë në Shtëpinë e Fëmijëve. Tani bëj riparime këpucësh e sandalesh, qep çanta, qep rroba, si xhupa lëkure, pantallona xhins etj.

Është profesion i lodhshëm për një femër?
Këpucaria nuk është profesion për femrat. Është shumë e lodhshme dhe mua më kanë dalë kockat e duarve nga lodhja.

Çfarë të shtyn ta bësh akoma këtë punë?
Jam mësuar tërë jetën me punë. Nëse e le një ditë, unë sëmurem.

Sa këpucë në ditë riparoni?
Unë mund të bëj 5-6 palë balla këpucësh në ditë, 10 palë taka. Nuk e lë punën. Punën e sotme nuk e lë për nesër, deri në orën 9 të dark- ës vazhdoj punën deri sa të mbaroj atë që i kam vënë detyrë të ditës vetes.

Çfarë do të kishit dashur që t’ju ecte më mirë këtu?
Do të doja të isha nja dhjetë vite më e re. Dhe atëherë do të bëja çudira me duart e mia. Kam punuar një jetë të tërë vetëm me zanate, i kam bërë të tëra punët.

Sa njerëz mbani me punën tuaj, në familje?
Kam 7 veta në kurriz. Kam dy vajzat e vajzës, djalin… Ai është punëtor, punon me gipse, por nuk e do këtë zanat, se për të është i vështirë.

Sa këpucarë ka Saranda?
Mbi 20.

Po këpucare gra?
Asnjë tjetër, jam e vetme, ndoshta në gjithë Shqipërinë.

E keni trashëguar zanatin?
Vajza e madhe punoi 4 vjet këpucare me mua. Më ndihmonte kur kisha burrin sëmurë. Dhe ajo e mësoi këtë zanat, madje vazhdoi edhe kur punuan me italianin. Ajo ka mbaruar shkollën për mësuese, por nuk shkoi të ushtronte zanatin.

A ka pasion ta nisë përsëri këtë zanat?
Po të vijë e bën. Është shumë e zonja. Vajza më ngjan mua. Në të vërtetë e kisha merak t’ia jepja zanatin djalit, po ai nuk e do. Për të është punë e vështirë, me helme shumë dhe për këtë nuk e do.

Kur mendoni se do ta lini punën?
Kur të më mbarojnë forcat. Unë i jap vetes shtysë me zor se kam sedër të sëmurë. Dhe dua që të mos më shkelë njeri me këmbë dhe të jem vetë e zonja, për të gjitha problemet që më dalin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura