Keni frikë nga demenca? Ekziston një mënyrë për të zvogëluar rrezikun! Ja dieta e dobishme për shëndetin e trurit

Mar 15, 2023 | 9:05
SHPËRNDAJE

“Lufta” kundër plakjes është një sfidë e madhe dhe ka shumë faktorë të stilit të jetesës që ndikojnë.

ushqim

Në këtë rrugëtim të vështirë, megjithatë, ne kemi “aleatë”, që fshihen në zakonet më të thjeshta të përditshme.

Një i tillë është ushqimi, i cili padyshim luan një rol vendimtar në shëndetin e organizmit.

Një trup i shëndetshëm përfshin para së gjithash një tru të fortë. Dhe sipas një hulumtimi të fundit, të publikuar në BMC Medicine, ku janë analizuar faktorët që ndikojnë në funksionin e trurit, një rol të konsiderueshëm luan dieta.

Në veçanti, studiuesit nga Universiteti i Newcastle argumentojnë se ata që konsumojnë një dietë mesdhetare përballen me një rrezik të reduktuar deri në 23% të zhvillimit të demencës.

Në studim u përfshinë 60.298 njerëz në Britani për gati 1 dekadë. Gjatë hulumtimit dhjetëvjeçar, u identifikuan 882 raste të demencës.

Sipas rezultatit përfundimtar, njerëzit që kanë rrezik gjenetik për zhvillimin e demencës, mund të zvogëlojnë shanset duke konsumuar një dietë mesdhetare.

Adoptimi i një diete të shëndetshme mund të përfshihet në strategjitë e ardhshme për të zvogëluar rrezikun e demencës.

“Dementia ndikon në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën dhe opsionet e trajtimit për ta trajtuar janë jashtëzakonisht të kufizuara. Prandaj është prioriteti ynë që të zbulojmë mënyra për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të këtij mosfunksionimi të trurit. Studimi ynë tregon se një diete mesdhetare mund të ndihmojë në reduktimin e këtij kërcënimi për shëndetin e trurit”, tha mjeku Oliver Shannon.

“Lajmi i mirë është se edhe njerëzit që kanë rrezik më të lartë gjenetik mund të zvogëlojnë mundësinë e tyre për të zhvilluar demencën përmes ushqyerjes së duhur. Megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme, zbulimet e reja përforcojnë një mesazh të rëndësishëm të shëndetit publik”, komentoi John Mathers.

“Gjetjet nga ky studim i madh i bazuar në popullatë nxjerrin në pah përfitimet afatgjata për shëndetin e trurit nga ngrënia e një diete mesdhetare të pasur me fruta, perime, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme. Përpjekjet për parandalimin e demencës mund të shkojnë përtej këshillave të përgjithshme për konsumimin e ushqimit të shëndetshëm dhe të fokusohen në ngrënien e ushqimeve specifike dhe lëndëve ushqyese që janë thelbësore për shëndetin e trurit”, shtoi Janice Ranson, nga Universiteti i Exeter.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura