Këngëtarja kosovare, Rona Nishliu. Nga u frymëzua “Me motive tonat”, koncerti në Kryeministri

Apr 8, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE


Ajo është pothuajse gati. Sepse edhe albumi “Me motive tonat”, rezultat i një pune hulumtuese dhe krijuese disavjeçare, është drejt përfundimit. Do të jetë pikërisht kjo përmbledhje këngësh krejt unike, që do të performojë këngëtarja kosovare Rona Nishliu, në lulishten e Kryeministrisë, në Tiranë. Brumi i përmbajtjes muzikore janë këngë të bukura shqipe të risjella në kombinim me muzikën free jazz dhe elemente të trip-hop e soul.
Qëllimi i projektit “Me motive tonat” është prezantimi i thesareve të muzikës shqiptare tradicionale në versione të ndryshuara. Transformimi është përkufizimi i këtij projekti, qoftë në kontekstin e përmbajtjes muzikore apo të formacionit muzikor që performon materialin.
“Unë jam një nga ata fëmijë që janë rritur dhe kanë jetuar me dëshirën dhe idealin e lirisë. Kam përshtypjen se dëshira për të qenë e lirë në çdo dimension më jep guximin të eksperimentoj në punën time krijuese, në rastin konkret me thesaret e muzikës së vjetër, dhe të shërbej për rivlerësimin e kësaj trashëgimie të vlefshme shpirtërore dhe pozicionimin më të mirë të këtyre thesareve brenda dhe jashtë vendit”, thotë Nishliu.  
Me gjithë elementet përbërës, ky projekt që në vetvete përfshin shumë pjesë të tjera, ka për qëllim prezantimin e saj si artiste, të bashkëpunëtorëve në këtë projekt, partnerëve institucionalë, kulturës muzikore shqiptare dhe vendit tonë në përgjithësi. Muaji prill do të jetë plot me të reja për Ronën dhe muzikën që ajo ka vendosur e punuar për të ndarë me të gjithë ne.

Kryeministri Rama dhe Rona Nishliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura