Kënd lojërash te “Komuna e Parisit”, Veliaj: Punojmë për gjeneratën tjetër

Aug 30, 2016 | 13:48
SHPËRNDAJE

Një tjetër kënd lojërash i shtohet Tiranës. Bashkia ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin e një këndi lojërash për fëmijë në  “Komunën e Parisit”, i cili do të shërbejë edhe si një shesh pushimi për të moshuarit dhe  banorët e zonës.

veliaj

Në fjalën e tij gjatë nisjes së punimeve, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është në vazhdim të projektit për 12 këndet e reja në kryeqytet.

Ai theksoi se përveç rikonstruksionit të çerdheve dhe kopshteve është  detyrim për bashkinë që, në njësinë më të madhe administrative të Tiranës, të ndërtojë edhe  një shesh të tillë që do të shërbejë në rradhë të parë për fëmijët.

veliaj4

“Komuna e Parisit, njësia 5, është ndoshta qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, pas Tiranës  për nga popullsia. Ndaj nuk mjafton që kemi investuar kaq shumë në kopshte dhe çerdhe, por  duhet që edhe hapësirat rekreative të jenë në të njëjtin nivel. Edhe në këtë rrugë kryesore do  të fillojmë me këtë kënd lodrash, i cili do të jetë i gatshëm pas 6 ose 8 javësh”, u shpreh  Veliaj.

Ai bëri të ditur se këndi që do të ndërtohet, përveçse do të jetë një hapësirë për  fëmijët, është parashikuar që nëpërmjet teknologjisë të shndërrohet edhe në një hapësirë për  të rinjtë.

veliaj3

“Pas 1 viti punë ditore, kemi dhënë një mesazh: “Më mirë punojmë për gjeneratën tjetër, se sa  për zgjedhjet e ardhshme; llogaritë afat-gjatë na japin një qytet më të qëndrueshëm, se sa ato  llogaritë e vogla të politikës, që sot janë, nesër nuk janë, dhe nuk na krijojnë qytetin që kemi  ëndërruar”, shtoi kryetari bashkisë.

Veliaj theksoi se ky investim është një tjetër dëshmi se  Bashkia e Tiranës është e vendosur që pavarësisht sulmeve politike, të vijojë të punojë për  qytetarët e saj.

veliaj2

“Tirana që kemi trashëguar ka qenë në gjendje të amortizuar, por kemi kuptuar dy gjëra: O  bën llafe, fjalë, sherre, shamata, ose bën punë, punë, punë! Besoj që, për fëmijët në njësinë 5,  sot që po kemi mbaruar të gjitha kopshtet, çerdhet dhe këndin e dytë të lodrave, i kemi  treguar Tiranës që vetëm me punë mund të ecim përpara. Me llogje dhe intriga qyteti humbet  shumë kohë; kurse me punë, siç është kjo e sotmja, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona, të  paktën për fëmijët”, theksoi Veliaj.

veliaj1

Ai ka falenderuar edhe donatorët që edhe në këtë rast  mbështetën projektin e Bashkisë, duke vlerësuar se kontributi i tyre është shumë i nevojshëm  për ta bërë qytetin më të mirë dhe më të jetueshëm, së pari, për më të vegjlit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi edhe mirëkuptimin e banorëve dhe bizneseve përreth që  ta ruajnë investimin, pasi përveçse u shërben fëmijëve të lagjes së tyre, shërben edhe për të  rritur vlerën e pronës.

“Dua të falenderoj të gjithë banorët për bashkëpunimin, t’ju kërkoj  lokaleve që janë këtu pranë që, teksa bashkia jep këtë investim, bashkë me donatorët, ata  kanë detyrë ta mirëmbajnë, të kujdesen, duke qenë se të parët që u rritet vlera janë bizneset e  tyre dhe sigurisht, edhe apartamentet ngjitur, sepse e kanë shtëpinë pranë një parku”, u shpreh  Veliaj.

Sipërfaqja totale e sheshit ku do të zbatohet projekti është rreth 800 m2, ku gjysma e  sipërfaqes është e gjelbëruar dhe gjysma tjetër është dedikuar për krijimin e këndit të lojërave  dhe pjesëve për kalim.

Ai do të ketë zona Wi-Fi dhe stola për të moshuarit. Pas tre këndeve të  inauguruara, këndi i nisur sot në Komunën e Parisit është këndi i shtatë i filluar nga bashkia,  duke garantuar të njëjtën cilësi dhe standard.

Shpejt vijojnë punimet në dy kënde të tjera në  Kombinat dhe te Oxhaku, ndërsa brenda vitit Bashkia e Tiranës do të synojë të përfundojë 12  sheshe sportive dhe kënde lojërash për fëmijë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura