Kënaqësia diabolike për ta bërë me baltë Bashkimin Europian

Jan 23, 2023 | 10:41
SHPËRNDAJE

AGIM NESHO

Agim-Nesho-1

Ajo që tërhoqi vëmendjen, por edhe krijoi çudi në ambientet e Forumit të Davos-it, ishte shprehja e kryeministrit Shqiptar drejtuar kryeparlamentares së BE-së, “Karma is a bitch”.

Kjo shprehje që në shqip mund të përshtatet “mos qesh në shokë se e gjen në kokë”, shprehje që godiste korrupsionin e përfaqësuesve të Parliamentit Europian në aferën për favorizimin e shtetit të Katarit në politikat europiane.

Pavarësisht se kryeministri Rama u ndje protagonist në ambientet e një aktiviteti të tillë të rëndësishëm dhe si gjithmonë tregoi karakteristikat e tij si i guximshëm për ti thënë në sy BE-së realitetet që na rrethojnë, mesazhet e tij nuk patën atë efekt që ai priste.

Sulmi i parë i erdhi nga Politico.eu, një portal i rëndësishëm mediatik i Brukselit, ku i përmendnin se ‘korrupsioni i BE-së vihet në dukje nga kryeministri i një vendi, i cili listohet nga Transparency International në vendin e 110, pas Afrikës së Jugut, Bjellorosisë dhe Kazakistanit, vende me korrupsion shumë të madh.

Kjo deklaratë e Ramës për të tërhequr vëmendjen e shtypit, është një deklaratë e mirëmenduar prej tij, që i paraprin veprimeve të tij të ardhshme politike: Së pari me relativizimin e rëndësisë që ka integrimi europian për vendet kandidate, duke thënë se të gjitha vendet kanë të njëjtën problematikë. I frikësuar se procesi i integrimit europian do të vendosë standarde të tjera për Shqipërinë, do të rikthejë transparencën dhe llogaridhënien, do të godasë lidhjen e krimit të organizuar me politikën, dhe do të rrezikojë ekzistencën e vetë regjimit të tij, Rama kërkon të krijojë një distancë me BE-në. Ai shprehet hapur pro integrimit Europian vetëm në retorikën e tij dhe propagandë, ndërsa në realitet lëvizjet e tij politike janë që të mbajnë sa më gjatë procesin e integrimit europian. Rama ka kohë që thotë se s’ka rëndësi futja jonë në Europë, por është përgjegjësia jonë për ta bërë vendin tonë si Europa.

Së dyti, politikat ekonomike dhe financiare të regjimit Rama ka kohë që kanë kundërshti të hapur nga BE-ja, sidomos amnistia fiskale, dhënia e pasaportave të arta apo investimet që vijnë nga jashtë Europës pa transparencë dhe konkurrencë, si afera e Portit të Durrësit. Këmbëngulja për ti realizuar ato e largojnë Shqipërinë më tej nga rruga e saj europiane.

Së treti, pozicioni i tij në mbrojtje të Presidentit Vucic të Serbisë në takimet ndërkombëtare, lidhur me cështjen e presionit perëndimor për vendosje të sanksioneve ndaj Rusisë si dhe insistimi për Ballkanin e Hapur, kur Gjermania dhe BE i kanë bërë të qartë që rruga e vetme e integrimit në BE do të kalojë nga Procesi i Berlinit, tregon se Rama beson në një projekt tjetër për Ballkanin Perëndimor, projekt që ju shkon për shtat autokratëve të Ballkanit, apo grupeve të interesit që duan ta shohin Ballkanin një rrjet të bashkëpunimit midis Lindjes dhe Perëndimit.

Së katërti, Rama ka kohë që provokon me retorikë Bashkimin Europian për mungesë vizioni, për paaftësi në menaxhimin e krizës së pandemisë Covid 19, dhe kritikat e herëpashershme si në Bruksel, Ohër ashtu edhe në Tiranë për të krijuar një situatë që dikush nga Brukseli mund ta shikojë si një provokim të vazhdueshëm dhe të panevojshëm dhe mund të reagojë kundër Shqipërisë.

Goditja e BE-së për korrupsion në Davos, nga një nga personazhet që korrupsionin skizofrenik në vendin e tij e ka kthyer në ‘art’, ka një qëllim për të ulur tensionet sociale në Shqipëri, sidomos pas aferës së inceneratorëve, ku në skemën e mashtrimit qeveria Shqiptare është vetë projektuesja e saj.

Po të shikosh skandalin Katargate bëhet fjalë për një përfitim rreth 1.5 milion euro të përfituara nga disa individë të caktuar, shumë kjo e papërfillshme përballë skandaleve të përditshme në Shqipëri të parave të Rozetës apo parave të gjetura dhe humbura në shtëpitë e zyrtarëve të lartë. Ato duken si karamele përpara aferave korruptive të inceneratorëve, PPP-ve, apo aferës së Portit të Durrësit, të cilat janë të rendit të miliardave dollarë. Dikush mund të thotë që korrupsioni është korrupsion pavarësisht shumës së tij. Në fakt ka vetëm një diferencë të madhe: në BE institucionet funksionojnë, drejtësia vepron dhe zyrtarët e korruptuar vihen përpara ligjit. Në Shqipëri, me këtë regjim që ka kapur shtetin, qeveria është palë dhe fsheh korrupsionin, drejtësia është nën presion dhe populli ndihet i abuzuar nga pushteti.

Në qoftë se korrupsioni në perëndim dhe BE është një aksident i korrigjueshëm, i cili vihet në vend nga institucionet e shtetit të së drejtës, në Shqipëri korrupsioni është thelbi i ekzistencës së regjimit, që nëpërmjet korrupsionit të kontrollojë shtetin, të manipulojë zgjedhjet e lira, të ruajë interesat e regjimit.

Shprehja e kryeministrit Rama ‘Karma is a bitch’ kërkon të ketë një reflektim nga institucionet e Brukselit, të zgjojë lidershipin e vendeve të BE-së, të cilët shpesh krijojnë dhe përkrahin ‘monstra’ të tilla të cilat kërkojnë të përcaktojnë rregullat e lojës dhe kërkojnë ta sfidojnë atë. Mosfunksionimi i demokracisë dhe shtetit ligjor, shtypja e opozitës, kapja e medias së lirë dhe shoqërisë civile kanë mbetur në Ballkan vlera të respektuara vetëm në letra, kur interesat e shteteve europiane përcaktohen vetëm nga nevoja për stabilitet rajonal. Këto vlera harrohen sidomos kur autokratët e rinj ballkanikë sillen këndshëm dhe janë klientelistët më të përshtatshëm për të bashkëpunuar me ta. Ka ardhur koha që karma europiane t’i rikthehet demokracisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura