“Kemi punuar për marrëveshjen e 5 qershorit”/ Ambasadori britanik: Koha nuk pret, në dorë të partive nëse duan…

Sep 30, 2020 | 13:00
SHPËRNDAJE

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Duncan Norman i kërkoi partive politike në vend që t’i përmbahen marrëveshjes së 5 qershorit, por sipas tij, është në dorën e tyre nëse duan apo jo të ndryshojnë rregullat në këtë fazë.

Norman tha nga Gjirokastra se koha është e shkurtër dhe gjithçka duhet të arrihet shpejt.

“Ne jemi në prag të zgjedhjeve parlamentare, ky diskutim dominon edhe temën e diskutimit jo vetëm qendror, por edhe lokal. Në këtë fazë jemi duke diskutuar mbi atë se çfarë janë ndryshimet e lojës dhe nëse partitë politikë janë dakord me ndryshimin e rregullave të lojës në këtë fazë. Shqipëria ka një histori të gjatë në rrugëtimin e saj sa i përket gjetjes së konsensusit në reformën zgjedhore. Unë shpresoj që në ditët në vijim të shohim që ky konsensus të realizohet.

Le të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, por ajo që unë shpresoj është që palët të gjejnë një konsensus. Ndërkombëtarët kanë mbështetur marrëveshjen e 5 qershorit, për të cilën punuan për një kohë të gjatë. Por është në dorë të partive, nëse ata duan të kalojnë përtej asaj marrëveshje. Koha është e shkurtër, prandaj është me rëndësi që të gjendet një konsensus sa më parë”, tha Norman.

I pyetur për listat e hapura ambasadori u shpreh se nuk i takon diplomatëve të vendosin për sistemin në Shqipëri.

“Çdo vend ka sistemet e veta elektorale dhe secili sistem elektoral ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Nuk më takon mua për të vendosur se kush do ishte sistemi më i përshtatshëm për shqiptarët. Kjo mbetet në dorën e politikanëve shqiptare”

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura