Kemi një nismë, jo një reformë page

May 27, 2023 | 8:30
SHPËRNDAJE

Teuta Nunaj-Kortoçi1Dr. Teuta Nunaj-Kortoçi

Rritja e pagave në sektor in publik, veçanërisht për kupolën drejtuese të shtetit dhe ligjvënësit, është kryefjala e kësaj jave. Opinionet janë pro dhe kundër, e pyetjet e përcjella janë të shumta… Është e rëndësishme të shpjegohet që në fillim se kemi të bëjmë me një nismë për rritjen e një pjese të pagave të punonjësve në administratën publike, të kthyer në ligj e të miratuar tashmë, por nuk kemi të bëjmë me një reformë të mirëfilltë page.

Nisma në këtë rast që “shitet” si reformë është një iniciativë e pakonsultuar, e propozuar nga qeveria për ndryshimin e pjesshëm të sistemit të pagave në Shqipëri, për përshtatjen e saj me një realitet të ndryshëm ekonomik. Rritja e pagave do të duhet të bëhej si promovim mbi bazë merite për punën e kryer nga punonjësit publikë, për performancën dhe si vlerësim për punën e bërë prej tyre.

Por që punonjësi të ketë performancë të lartë, nuk mjafton vetëm rritja e pagave, pasi do të duhet edhe t’i motivosh, t’u japësh besim, siguri në punë dhe garanci e kushte reale për rritje profesionale e zhvillimin të karriere vetë tyre, të cilat në Shqipëri mungojnë.

Nëse do të kishim një reformë të mirëfilltë të pagave, siç do të duhej të ndodhte, ishte e nevojshme që ajo të zhvillohej paralelisht edhe me reformën e menaxhimit të burimeve njerëzore dhe me reformën funksionale e strukturore të administratës publike. Reforma e menaxhimit të burimeve njerëzore duke u mbështetur te depolitizimi i administratës publike dhe vlerësimi i performancës së punonjësit publik, do të ndihmonte në zbatimin e meritokracisë në rekrutim, trajnim e zhvillim karriere, kjo do të çonte në pasjen e punonjësve publikë profesionistë të mirë e të kualifikuar.

Ndërsa reforma strukturore do të realizonte një riformatim të përbërjes dhe funksioneve të organeve dhe institucioneve publike, duke marrë në konsideratë që kemi dixhitalizimin e shumë proceseve publike, ndryshime në teknologjinë e informacionit dhe zhvillime të reja të realitetit kombëtar e ndërkombëtar. Çdo copëzim apo zhvillim i pjesshëm i reformës së pagave e deformon dhe ul shanset e suksesit të saj.

Pak histori. Reforma e pagave në Shqipëri e ka zanafillën në vitin 2001 me miratimin e strukturave të reja të pagave. Në vitin 2003- 2004, për herë të parë është zhvilluar një studim i hollësishëm i pagave në Shqipëri. Në 2006 kemi unifikimin e sistemit të pagave dhe rritjen e konsiderueshme të tyre. Në 2011 kemi miratimin e ligjit “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”. Në 2017 kemi rritjen e pagave në administratën publike nga 7%-10%.

Në Strategjinë Ndërsektoriale të Reformës së Administratës Publike 2015-2020, parashikohej që në fund të vitit 2020 të kishim zbatimin e një strukture të re pagash në administratën publike, që nuk u bë asnjëherë, pasi nuk u hartua asnjëherë. Kjo edhe për faktin e mosfunksionimit real të opozitës për t’i kërkuar llogari qeverisë për detyrat që i ngarkon vetvetes e po vetë nuk i bën. Dhe aktualisht kemi rritje të ndjeshme të pagave në disa sektorë të administratës publike.

Një reformë reale e pagave mbështetet mbi rishikimin në tërësi të sistemit të pagave në shërbimin civil duke u bazuar në produktivitetin e punonjësve, në performancën e tyre dhe inflacionin, po jo me përdorimin e lapsit meqë këtë të drejtë e ka dhënë ligji, siç edhe u bë aktualisht. Aktualisht ne jemi të vetëdijshëm për mungesat e thella që ka administrata publike për punonjës të kualifikuar, për politizimin e saj, për shtimin ekspansionist të numrit të saj dhe një rrije e njëanshme e pagave pa bërë një vlerësim paraprak, vetëm do ta rëndojë edhe më shumë abuzimin politik dhe ekonomik.

Rritja e lartë e inflacionit solli nevojën për ndryshimin e pagave, qoftë edhe si indeksim. Po kështu, edhe tri krizat e njëpasnjëshme (tërmeti, pandemia Covid-19 dhe lufta Rusi-Ukrainë) dhe rritja e menjëhershme e çmimeve e bën rritjen e pagave të pashmangshme. Por cilat janë efektet e pritshme që mund të sjellë në ekonomi rritja e pagave? (i) Rritja e pagave në administratën publike e bën atë edhe më konkurrente me sektorin privat; (ii) Rritja e të ardhurave personale, kryesisht për shtresën e mesme, rrit shanset për rritje të konsumit; (iii)Rritja e pagave do të duhet të sjellë ulje të korrupsionit, rritje të produktivitetit e performancës së punonjësve publikë dhe qëndrueshmëri punësimi.

Në përfundimin mund të themi se nuk kemi një strategji për organizimin e sistemit të pagave, nuk kemi një reformë, por kemi vetëm iniciative politike për rritje page të pabazuara në rezultatin e punës e në produktivitet. Ky veprim është abuzim, politikë joserioze dhe nuk do të sjellë efektet e pritshme apo rezultatet që parimisht do të duhet të japë. Ekonomia nuk është opinion, por argument, nuk është dëshirë, por mundësi, nuk është përfytyrim, por realitet, nuk është çrregullim, por logjikë e arsye. E te nisma e re e qeverisë për rritjen e pagave mungoi argumenti, nuk u respektua realiteti e u zbatua një dëshirë pa vlerësuar realitetin e vendit. Ndaj, nëse rritja e pagave nuk do të shoqërohet me rritje të cilësisë së shërbimit publik, me uljen e numrit të punonjësve publikë dhe me depolitizimin e administratës, do të kemi një investim të dështuar me të ardhurat publike. * Eksperte Ekonomie

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura