“Kemi dhe 14 beteja, dimë si ta ndalim Shkurtajn”, futbollisti i Teutës i bindur për rezultat pozitiv ndaj Kukësit

Feb 27, 2020 | 23:35
SHPËRNDAJE

Teuta pret kthesën ndaj Kukësit. E kanë të qartë se kundërshtari nuk është i lehtë dhe vjen me ide të qartë në Durrës për të rimarrë kreun, por kjo nuk i shqetëson aspak bregdetarët. Ata janë të vendosur për të marrë fitoren dhe për t’iu afruar zonës “Euro”. Një gjë të tillë e thotë edhe Aleksandër Kuro, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” u lëshon hapur sfidë verilindorëve.

kuro

Aleksandër, si paraqitet gjendja e skuadrës në prag të Kukësit?

Skuadra është gati. Vërtet kishim disa probleme të vogla, por gjithsesi janë rikuperuar në kohë. Problemin më të madh na e krijoi Aleksi, por fatmirësisht është në dispozicion të trajnerit dhe ju siguroj që do të jetë një forcë më shumë në fushë. Gjithashtu, kemi pasur tre futbollistë me virozë, por situata është normalizuar dhe ata do të jenë të gatshëm, pasi ditët e fundit janë stërvitur normalisht me skuadrën.

Si e komentoni atë humbje më Skënderbeun?

Duhet theksuar fakti se kishim disa mungesa të rëndësishme, të cilat patën ndikimin e vet. E nisëm mjaft mirë lojën dhe shënuam, por më pas nuk arritëm të vijonim presionin dhe kjo na penalizoi. Gjithsesi, ajo ishte një sfidë ku nxorëm shumë mësime dhe do të na shërbejnë për ta mbyllur kampionatin me sukses.

Skenderbeu vs Tirana

Ndeshja e radhës ju vendos me një ekip të etur për pikë dhe që mbi të gjitha pret të rimarrë kreun…

Kemi edhe 14 “beteja”, Kukësi është një prej tyre. Është një duel tepër i rëndësishëm dhe ne do të japim maksimumin. Luajmë përballë tifozëve tanë dhe nuk mendojmë asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Edhe në analizën që kemi bërë, të gjithë treguam gatishmëri për të dhënë gjithçka në finalet e mbetura. Në këtë mënyrë sigurojmë edhe zonën europiane.

A mund t’i kënaqeni edhe një barazimi ndaj Kukësit?

Teuta është e detyruar për ta fituar këtë ndeshje dhe do të luajë në sulm, ashtu si gjithnjë. E kemi përgatitur mirë, i dimë pikat e dobëta dhe të forta të Kukësit, ndaj do të futemi vetëm për 3 pikë. Çdo rezultat tjetër do të ishte dështim për ne. Kjo arrihet duke dhënë maksimumin në fushë, por gjithashtu kemi shumë nevojë edhe për tifozët në këtë moment të vështirë. I ftoj të jenë sa më të shumtë, pasi janë një suport shumë i madh.

Goli i Kukesit

Kundërshtari ka një sulm të frikshëm. Keni menduar si do ta bllokoni?

Çdo ndeshje është e vështirë, Kukësi ka një ekip shumë të fortë dhe një lojtar shumë të mirë si Shkurtaj, por ne dimë si ta ndalim. Ky do të jetë një motivim edhe më i madh për ne. Kemi një objektiv të madh për të arritur dhe besoj se do t’ia dalim, pasi kam shumë besim tek ekipi.

Shkurtaj

Ka ndonjë gjë që ju tremb te verilindorët?

Asgjë nuk na tremb. Kukësi është skuadër me emra, por ekipi ynë nuk ka përse të trembet për nivelin e Kukësit. Në këtë vit që unë jam këtu me Teutën, ne kemi ecur shumë përpara dhe nuk duhet të kemi frikë nga asnjë kundërshtar. Duhet të kemi vetëbesim dhe të futemi në fushë për fitore, nuk luan rol se cilin kemi përballë Tiranën, Kukësin, apo ndonjë kundërshtar tjetër.

ZAMIR QYPI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura