Këmbët dhe jorgani

May 1, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

Edmond-TupjaNGA EDMOND TUPJA

Proverbat dhe fjalët e urta të çdo populli pasqyrojnë, ndër të tjera, edhe mendësitë e tij ndër shekuj. Gjithsesi, ekzistojnë në gjuhën shqipe një tufë proverbash apo fjalësh të urta që përherë më kanë intriguar me këndvështrimin e tyre filozofik. Kështu, për shembull, vazhdon të më intrigojë fjala e urtë “Shtriji këmbët sa ke jorganin”.

Për hir të së vërtetës lakuriq (edhe kur bie dëborë e ngrin akull) më duhet të pranoj se historia e marrëdhënies së këmbëve të shqiptarit (të lara apo të palara, me thonj të prerë apo të paprerë, pak rëndësi ka) me jorganin e tij (me ose pa pleshta, me erë parfum apo djersë, pak rëndësi ka) më duket fort e denjë për një fabul të frëngut La Fonten, autor i shekullit XVII, madje, pse jo, edhe për një fabul të Ezopit, paraardhësit të tij të famshëm të shekullit VI para erës së re.

Marrëdhënia në fjalë ilustron prirjen e tij dikur realiste, ndonëse një thërrime pragmatike, por sot shpesh oportuniste ose konformiste të bazuar te ndjenja e frikës së trashëguar jo vetëm nga e kaluara jonë e freskët komuniste, por edhe nga koha e largët e njeriut të shpellave, që ndihej i pambrojtur si përballë kafshëve parahistorike, ashtu edhe përballë forcave të verbra të natyrës.

Por le të qëndrojmë tek aktualiteti: sot, në shoqërinë tonë postkomuniste ose, më saktë, demokraturiale, po bëhet përherë e më e pranishme frika nga forcat e errëta (togfjalësh ky që përmbledh krimin e organizuar, i cili vepron përmes kërcënimit, korrupsionit të institucionalizuar, mashtrimit, trushpëlarjes së ngritur në sistem, shitblerjes së votave etj., etj.); para kësaj dukurie rrënqethëse, po leskërohen e hallakaten përpjekjet e qeverisë shqiptare për të vendosur përfundimisht shtetit e së drejtës.

Për këtë arsye, shqiptarit të përditshëm, si ti, si unë, si ajo e ai, o lexues i vëmendshëm i rubrikës sime të përjavshme, i duhet medoemos shpjeguar se, sado dëshirë të ketë që t’i shtrijë këmbët (të paktën sa për t’i shpirë ato), gjatësia e jorganit varet tashmë jo më prej atij, por prej qeverisë, madje jo vetëm gjatësia, por edhe gjerësia me trashësinë, kështu që këmbët nuk i shpin dot, kurrizi i zbulohet (ndoshta edhe çka vjen më poshtë se kurrizi) dhe ai ka ftohtë, shumë ftohtë, kështu që, nga frikë se mos kthehet në statujë akulli, mblidhet kruspull dhe pret.

Çfarë pret? E thjeshtë fare: të fillojë muzika e hipokrizisë sociale, ku me zhurmë e ku pa zhurmë, që ai, detyrimisht, t’i hedhë këmbët sipas valles së pushtetarëve. E ç’të bëjë tjetër? Atëherë, midis disa varianteve proverbiale ai zgjedh një ndër më të vjetrit, atë “Sipas vendit edhe kuvendi”, që do të thotë se duhet të përshtatet, të trapitet si argjil i squllët, të konformohet e të nënshtrohet nga frika (Ah, përsëri e mallkuara frikë, a thua se bëhet fjalë për një popull të përbërë thuajse vetëm prej lepujsh!).

Por ja që, pashmangësisht, vjen nata dhe atij, shqiptarit të sotëm, i duhet të shkojë të flejë, rrjedhimisht i duhet të mbulohet me jorganin që i hyn jo vetëm në ujë, por edhe në ajër duke u shkurtuar, ngushtuar e holluar, madje, meqenëse kur vijnë të këqijat hapu derën, i duhet të përballet edhe me pleshtat e publicitetit partiak, që i janë futur pikërisht nën jorgan.

Atëherë, në këto kushte, ç’i mbetet të shkretit, të mjerit, të gjorit, të varfrit e fatkeqit shqiptar? I mbetet vetëm ta djegë jorganin me gjithë pleshta.

Mirëpo, nga djegia e jorganit në vitin e zi 1997, ai ka nxjerrë mësimin e madh se nuk duhet djegur jorgani jo më për një, por as për disa pleshta, sepse edhe jorganit të ri përmasat nuk do t’ia përcaktojë ai vetë, por qeveria e re në bashkëpunim të dukshëm apo të padukshëm me disa pleshta të vjetër, të rrahur me vaj e me uthull, por edhe të krimbur me para, që, me siguri matematike, do t’u kenë shpëtuar flakëve për t’u ricikluar duke kaluar nga njëri krah i politikës shqiptare në krahun tjetër në mënyrë që mishi të piqet e helli të mos digjet…

Mishi të piqet që ta shijojnë ata dhe helli të mos digjet se do t’u duhet t’ia fusim edhe më thellë sesa ia kanë futur deri tani, po e përsëris, të shkretit, të mjerit, të gjorit, të varfrit e fatkeqit shqiptar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura