KED shqyrton kandidaturën e fundit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, vëzhguesit e Reformës në Drejtësi kërkojnë lehtësim të kritereve pranuese

Aug 21, 2020 | 18:11
SHPËRNDAJE

Në Tiranë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mori sot në shqyrtim kandidaturën e Shaqir Hasanajt për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

gjzkata

Kjo gjykatë ka plot 30 muaj, ose dy vjet e gjysmë, nga shkurti 2018, që ka dalë jashtë funksionit prej shkarkimeve dhe dorëheqjeve në radhët e saj gjatë procesit të vetingut.

Hasanaj ishte kandidaturë e vetme dhe e fundit, që ngeli në garë për dy vende bosh të shpallura nga Presidenti në shkurt 2018 dhe nga Parlamenti në gusht 2018, vakanca këto të rishpallura përsëri në mesin e 2019, ndërsa KED po i diskuton sot në gushtin 2020.

Vëzhgues të reformës në drejtësi pohojnë se pas vështirësive të krijuara në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë dhe në gjykatat e Apelit, nevojitet një lehtësim i kritereve për të rifituar sa më shumë kandidatë, të cilët tashmë kanë mbaruar apo ngurrojnë të kandidojnë.

Drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Shtetin e të Drejtës, Jordan Daci, thotë se duhen hequr disa kritere ndaluese që të zhbllokohet situata dhe kandidatët të mos dekurajohen nga pengesa të pakapërcyeshme.

“Problemi numër një janë disa kritere, të cilat për mua, nuk janë domethënëse. Për shembull: dallimi midis kriterit 15 vjet përvojë dhe 13.5 vjet apo 14.9 vjet është pothuajse zero. Apo qenia në një funksion si këshilltar juridik i një zyrtari nuk ka pse të pengojë kandidimin. Zyrtarët marrin këshilltarë juridikë si teknicienë, por këta të fundit nuk janë politikanë, por zakonisht janë më të mirët në vend dhe kështu po digjen në kandidime për të kontribuar në sistemin gjyqësor. Pra, në kriteret ndaluese për funksionet politike duhet të ngushtohet rrethi, dhe të ndalohen ata që dukshëm janë përfshirë në politikë dhe e dëmtojnë besimin e sistemit gjyqësor. Kriteri i dytë pengues që mund të rishikohet është kriteri i përvojës, dhe kjo do t’i hapte rrugën drejt këtyre institucioneve edhe shumë juristëve që kanë studiuar në universitete të njohura perëndimore” – thotë Daci.

Ndërkohë, 3 vendet e fundit në Gjykatën Kushtetuese duhet t’i plotësojë Gjykata e Lartë, e cila edhe ajo është jashtë funksionit, dhe mund të shpallë ato 3 vende bosh për aplikim, kur të plotësohet vet me 15 anëtarë.

Zoti Daci thotë se po aq shqetësim janë edhe vonesat në plotësimin e Gjykatës së Lartë, e cila është në fakt celësi i zgjidhjes së gjendjes në Gjykatën Kushtetuese ndaj ku KLGJ mund dhe duhet të veprojë më shpejt.

“Mes të tjerave e shoh të nevojshme që institucionet e pavarura, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Këshilli i Lartë Gjyqësor etj., në bashkëpunim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, të organizojnë një forum shkencor ku të dakordësohen në vija të përgjithshme një qasje e njëjtë që ata duhet të kenë për disa problematika praktike. Mendoj se institucionet e shtetit shqiptar duhet të flasin me të njëjtën gjuhë, por ne kemi dy institucione që nuk flasin me të njëjtën gjuhë: KLGJ dhe KED kanë mendime të ndryshme për tema të njëjta. KLGJ nuk e pranon një këshilltar presidenti për të kandiduar si gjyqtar, KED e ka pranuar” – thotë Daci.

Gjykata Kushtetuese, tani jashtë funksionit, ka aktualisht 4 anëtarë dhe krahas 2 vendeve bosh që shqyrtohen sot me një kandidat të vetëm, KED ka nëproces shqyrtimi edhe plotësimin e vendit vakant të krijuar në nëntor 2019 nga shkarkimi i zotit Besnik Muçi.

Vëzhguesit vërejnë se numri i kandidatëve për vendet bosh në sistemin gjyqësor është mjaft i ulët, problem që mund të tejkalohet me lehtësimin e kritereve si dhe me ftesën drejtuar shqiptarëve me studime të thelluara në universitetet më të mira perëndimore për t’u bërë pjesë e sistemit gjyqësor të Shqipërisë, krahas atyre të shkollës së magjistraturës./ VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura