KE, kompromis për politikën, por jo për ekonominë

Apr 19, 2018 | 10:53
SHPËRNDAJE

enio-civiciENIO CIVICI

Është ngjarja më e rëndë sishme politike e vitit, të paktën deri më sot. Është një lajm i mirë për një rrugë të gjatë, të nisur që në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Është ndër të paktat dokumente, për të cilin partitë në Tiranën zyrtare nuk gjejnë asnjë çështje për ndasi. Janë fjalë të drejta dhe qëndrime të duhura për pengesa serioze dhe ëndrra të mëdha, mbi të cilat jemi të gjithë të ndërgjegjshëm.

Rekomandimi i Komisionit Europian drejtuar Këshillit të Europës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, është të gjitha këto. Dallimi më i madh me tekstet paraardhëse të këtij formati është sinergjia pothuaj paqësore mes analizës së gjendjes politike dhe asaj ekonomike. Duke i konsideruar si dy fushat më të rëndësishme përcaktuese për procesin e integrimit, Komisioni Europian, me fjalët e Federica Mogherini apo me qëndrimet e Johannes Hahn dhe të gjithë ushtrisë virtuale të raportimeve, ka derdhur një vijë të qartë mbajtëse mes politikës dhe ekonomisë në Shqipëri.

Ndërkohë, që për arsye të kuptueshme, lokale dhe globale, ka shkelur një sy duke hiperbolizuar vlerësimet për avancime në çështje si eficienca në administratën civile, kontrolli i gjyqtarëve apo lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk ka vepruar kështu për kriterin ekonomik. Për këtë të fundit, Komision Europian ka vazhduar të mbajë gjykimin objektiv shoqëruar me problemet konkrete financiare dhe rregullatore, me të cilat përballet zhvillimi i ngadaltë shqiptar.

Teksa raport-rekomandimi vetëm prek sipërfaqësisht problemet nepotike dhe partiake të emërimit në administratë, teksa thjesht përmend zyrat e ardhshme antikorrupsion, por nuk gjen zyra ekzistuese, teksa nuk ngurron thjesht të thotë që mjaftojnë dy duar për të numëruar zyrtarët e dënuar, nuk sillet aspak kështu me çështjet ekonomike të këtij vendi. Komisioni Europian e konsideron thellësisht të rëndësishme, ndoshta dhe më shumë se “veting” ndaj gjyqtarëve, krijimin e një tregu funksional në Shqipëri.

Ndryshe nga butësia, me të cilën trajtohen problemet politike, ato ekonomike shtjellohen konkretisht si: “..keni rritje ekonomike, por papunësia mbetet e lartë, niveli i kredive me probleme është zvogëluar, por kreditimi i ri nuk po aktivizohet, lufta kundër informalitetit duhet fuqizuar, shumë pikëpyetje në procedurat shtet-biznes, ligji i falimentit nuk ka prodhuar rezultat, arsimi profesional ka mbetur në vend, tregtia e jashtme është e varur nga fije sektoriale, Shqipërisë i mungojnë kapacitetet novatore..”.

Çfarë dua të them me shpjegimin e kësaj ndarjeje politike/ekonomi në rreshtat e raportit është se ndërkohë që edhe mund të përfitojmë në përkatësi kontinentale nga presion i lartë mes perëndimit dhe lindjes, kjo logjikë nuk vlen në përkatësi të kapitalit financiar. Bota, me të vërtetë është në agimin kaotik të deklaratave dhe qëndrimeve të kundërta politike e për pasojë Bashkimi Europian duhet të afrojë sa më shumë vende në periferinë gjeografike të brendshme.

Por bota, momentalisht, nuk vuan ende shkëputjen nga globalizimi dhe ndërvarësia ekonomike e për pasojë, këto rregulla janë më të rreptat dhe shumë pak të ndryshueshme për të gjithë, përfshirë Ballkanin dhe Shqipërinë. Për ta përforcuar këtë dallim që duhet të bëjë Shqipëria, raporti i Komisionit Europian shprehet edhe më specifik në kritikat dhe detyrat.

Sipas tij, vendi ynë duhet të ketë kujdes: vijimin e konsolidimit fiskal së bashku me uljen e borxhit publik; nxitjen e stabilitetit financiar nëpërmjet adresimit të çështjes së kredive me probleme dhe përdorimin e monedhës vendase; uljen e ekonomisë informale, përfshirë punën në të zezë. Stabiliteti makroekonomik, menaxhimi më i mirë i financave publike, përmirësimi i deficitit tregtar, përmirësimi i sistemit të taksimit, menaxhimi më i mirë i PPP janë disa nga rekomandimet e tjera. Ky dokument, ashtu si shumë ngjarje të mëdha, kishte dy anë të medaljes.

Në njërën pjesë shprehte ndjeshëm lojën e forcës të politikës së madhe botërore të përkthyer në ngjitjen integruese të Ballkanit, rajonit më problematik të kontinentit të vjetër. Dhe në anën tjetër nuk lëshonte asnjë fije shpresë për çfarëdo deformimi rregullator apo korruptiv të funksionimit të tregut, pa asnjë përjashtim. Dy mesazhe, të cilat të servirura nën të njëjtën sferë, janë dëshmia më e madhe e varësisë së pashmangshme që ka Shqipëria si vend i vogël nga politika globale dhe njëkohësisht e potencialit për pavarësi, që po Shqipërisë mund t’i vijë nga zhvillimi i aktorëve dhe terrenit ekonomik e financiar të saj. Mesazhi është i qartë, shqiptarët duhet të dëgjojnë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura