“Ke dokument, o studiues?”/ “Montazhi ” për Camajn e Koliqin, reagon Agron Tufa: Gërmo Tare, gërmo! Sikur ka inatin e vjetër të Myftar Tares, shkrimtari i shpëtoi burgjeve të…

Jul 8, 2020 | 17:00
SHPËRNDAJE

Botimi 37-faqësh i Auron Tares “Dritëhije në histori – Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të panjohur” ka ngjallur mjaft diskutime te studiues dhe njerëz të letrave. Sipas shkrimtarit Agron Tufa, Tare e ka shfrytëzuar në mënyrë selektive dosjen e plotë të Martin Camajt që i ka dorëzuar Autoriteti i Dosjeve.

Agron Tufa
Agron Tufa

“Kjo gjë dihej. Por ai që ia ka përgatitur e dorëzuar e di këtë dhe bën mirë të flasë”, shprehet më tej ai, duke theksuar faktin se kjo dosje nuk gjendet vetëm në AIDSSH dhe mund të tregohet lehtësisht shfrytëzimi i pjesshëm i saj.

Tufa shkruan më tej se thelbi i kësaj dosjeje është publikuar më herët nga Kastriot Dervishi dhe në të tregohet se si Camaj është tallur me atë Sigurim që përgjatë katër dekadave është munduar ta “diskreditojë” në çdo mënyrë.

auron tare

A TRADHTOI “ANTIKOMUNISTI” CAMAJ ATDHEUN? TUFA: GËRMO TARE, GËRMO!

Shkrimtari Agron Tufa hedh poshtë pretendimet e Auron Tares se Martin Camaj mund të ketë kryer veprimtari në dëm të vendit të tij. Po ashtu, nënvizon faktin se Tare s’ka asnjë dokument që provon lidhjen e Camajt me UDB-në dhe supozon se ky mund të jetë një inat i vjetër, madje edhe i personalizuar. “Labirinti kontekstual dhe akontekstual i dokumenteve mbi një antikomunist si Camaj, i shtrënguar të ndjekë rrugën e mbijetesës, pa i mbetur vetja peng, nuk të çon aspak në klishenë derdimene ‘tradhti ndaj atdheut’, siç sugjerohet nga montazhi dedektiv i Tares.

Unë besoj këtë tjetrën, që Camaj e shumta mund të ketë krijuar alibi fiktive, kinse pranoi “ura bashkëpunimi” sa ishte në Jugosllavi, pastaj këto “ura” fiktive i hodhi ne erë bashkë me gruan e tij serbe. Por nuk mendoj se ka qenë e nevojshme as kjo. Sepse dedektivi i Tares nuk thotë asgjë, nuk jep asnjë fakt, asnjë shkresë, përpos ca hamendësimeve e supozimeve. Deri tani nuk kemi ndonjë rast flagrant të ndonjë vepre konkrete me pasoja negative të Camajt.martin_camaj1

Pra, asgjë. Këtë asgjë Tare e interpreton nga informacione të Sigurimit të CIA-s në internet, krejt sipas qejfit dhe oreksit, duke na sugjeruar se aty pra duhet të fshihet ‘bashkëpunimi me UDB-në’. Po ku pra, ku? Ke dokument, o qirje studiues? Jo!? Epo atëherë gërmo Tare, gërmo! Dhe mos kërko të të xamë besë veresie. E gjithë përpjekja sistematike e Tares në këto dokumente rreth implikimit te Camajt del jashtëzakonisht intencionale, sikur ka inat të vjetër e të personalizuar me të, sikur mban inat që Camaj u shpëtoi burgjeve dhe kampeve të internimit nën drejtimin asokohe të Myftar Tares. Gjithë koleksioni i mbledhur me dokumente ku përmendet emri i Camajt nuk të thotë asgjë, e tekefundit mund të përmblidhet në një idiomë: ‘Gola në përfytyrim!’. Po kujt i duhen ‘golat e përfytyruar’ të Tares?”, shkruan Tufa.

“KËTA STUDIUES E KANË TË PILOTUAR AXHENDËN

Agron Tufa vë në pikëpyetje faktin se Auron Tare e të tjerë studiues i qëndrojnë larg veprimtarisë së dyshimtë të personaliteteve ende në jetë, që sipas tij, i kanë bërë dëme të mëdha shoqërisë e vendit tonë. “Interesante është se kjo kategori studiuesish si Tare, kurrë, po kurrë ama, nuk u morën njëherë me demontimin e miteve të rreme për personalitete ende të gjalla të kulturës e politikës në dy epokat: komuniste e postkomuniste, të cilat i kanë sjellë dëme e krime të përbindshme, të hapura dhe ende të fshehta shoqërisë dhe atdheut. Tares nuk i duken të rëndësishme dokumentet mbi ‘Cingaren’ dhe dëmin e pandreqshëm të demokracisë së shndërruar në një stan qensh. Apo nuk duhen prekur ‘tanët’?ernest koliqi

Duket se këta studiues e kanë të pilotuar agendën për një kategori antikomunistësh, por kurrsesi jo për ata me të cilët konsultohen e pinë kafe. Do të kishte qenë i vyer tehu i këtij zelli studimor, fjala vjen për veprimtarinë e ethshme brenda e jashtë Shqipërie (diasporë) të ndonjë tipi si ‘Dragoi’, por sakën se… Po e dimë: kjo nuk hyn në agendat e pilotuara të Tares me shokë. Pse? Se ata gërmojnë në një tjetër drejtim…”, shkruan ai. “Sulmi ndaj pushtetit të Enver Hoxhës, s’është sulm ndaj atdheut” Tufa, duke evidentuar nivelin e rrallë intelektual të Camajt, thekson pozicionimin e tij kundër pushtetit hoxhist. “Camaj, jashtë yllit të tij letrar e gjuhësor, mbetet triumfi i inteligjencës së tij, që i tregoi gishtin e mesit Sigurimit të Shtetit. Ai natyrisht ishte kundër pushtetit satanik të Enver Hoxhës dhe rrëzimi i tij ka qenë gjëja më e mirë, më e domosdoshme, që fatkeqësisht nuk ndodhi, sepse kishte njerëz të zellshëm që e mbronin diktaturën atëherë dhe që kanë nostalgji e përpiqen ta ringjallin sot”, shton më tej.

Shkrimtari shton më tej se çdo skenar i mundshëm i jetës private të Camajt nuk prek vlerat e pakontestueshme letrare të tij. “Atdheu mbrohet e duhet/dashurohet edhe duke e çliruar atë nga zombifikimi komunist i diktaturës, e jo siç e marrin jangllësh derdimenët, që sulmin ndaj pushtetit satanik të Enver Hoxhës e konsiderojnë ‘tradhti ndaj atdheut’. Pra, në këtë pikë ne kemi pikëpamje krejt të ndryshme mbi domethënien e atdheut: atdheu im nuk është diktatura!”, shprehet ai.

“AI ISHTE BASHKËPUNËTOR MARTIN CAMAJ?”

Agron Tufa sqaron në reagimin e tij se çdokush që ka pasur një peshë gjatë sistemit komunist ka qenë i survejuar nga shërbimi i Sigurimit, UDB-ja, CIA etj. Një fakt i tillë, ndryshe nga sa hamendëson Tare, sipas shkrimtarit, nuk tregon implikimin e Camajt në këto agjentura. “Kategoria e ‘bashkëpunëtorëve me material shtrëngues’ të quajtur ‘bashkëpunëtorë tradhtarë’, me zero raporte, NUK janë e nuk quhen bashkëpunëtorë!

Po shqiptarët gënjehen kollaj për punë agjenturash, sepse asnjëherë nuk shohin se çfarë ‘spiunoi’ Martini. P. sh.: pse e quante ‘tradhtar’ Sigurimi kur Camaj i paska ‘shërbyer’!? Pse pra? Për t’iu përgjigjur: Tares do t’i duhet të gërmojë edhe në arkivat e Beogradit. Dhe ne i urojmë zell të mbarë në lartësinë e agendave të porositura: gërmo Tare, gërmo…”, shkruan Tufa.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura