“Ke autorizim për të dalë nga banesa?”- Policia e Shtetit ndëshkon 116 kalimtarë dhe 40 drejtues automjetesh për thyerjen e Aktit Normativ

Apr 3, 2020 | 12:06
SHPËRNDAJE

 

aksioni policiaPolicia e Shtetit ka bërë të ditur se ka gjobitur me 10 mijë lekë të reja 116 shtetas të cilët kanë lëvizur në qytet pa marrë leje në portalin E-Albania.

Policia bën të ditur se kanë vijuar dhe masat për ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, ku u gjobitën 40 drejtues automjetesh. Ndërkohë që një prej të cilëve ka përfunduar në pranga për shkak se ishte në drejtim të makinës në gjendje të dehur.

Policia e Shtetit

Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë evidentuar 40 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Ndërkohë, në Tiranë është arrestuar në flagrancë shtetasi G. S., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 1.14 mg/l . Këtij shtetasi i është tërhequr dhe leja e drejtimit, pasi nuk ishte i pajisur me autorizim për lëvizje.

Në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 116 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Gjithashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, 3 shtetas, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura