“KÇK e Ramës nxit akuza për shtet policor”- “Birn” zbardh detaje të reja: Vetëm me dyshime, policia mund të vendosë…Flet edhe këshilltari i Ramës

SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama prezantoi me pompozitet të ashtuquajturën paketë kundër asaj që ai e cilësoi si KÇK (Kap ça të kapësh), por ironikisht edhe versionet e draft ligjit që qarkulluan në media duken si copa të kopjura “kap ça të kapësh” nga një sërë ligjesh, me një fushë veprimi mjaft të gjerë.

rama-spiropali-xhacka1-600x400

Objekti i ligjit, bazuar në draftet e publikuara në media, shkon prej anëtarëve të organizatave kriminale, te zyrtarët e korruptuar, bizneset që kryejnë kontrabandë apo mashtrim me TVSH, e deri te tifozët që përfshihen në akte dhune në stadium.

Drafti ndër të tjerë nënkupton fuqi të shtuara për policinë e cila vetëm mbi dyshimin se mund të jesh i përfshirë në një prej 90 veprave penale të parashikuara, mund të kërkojë përgjimin, të të vendosë nën vëzhgim apo të marrë të dhëna nga çdo databaze publike apo private.

Rama e cilësoi paketën “Një mekanizëm i ri me fuqi speciale kundër krimit e korrupsionit”. Por opozita e akuzoi atë se po dublonte ligjet për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërsa i jepte policisë kompetenca të cilat ia kishte rrëzuar pak vite më parë Gjykata Kushtetuese.

Nga ana e tij drejtori i komunikimit të Kryeministrisë Endri Fuga tha se draftet që qarkullonin ishin vetëm drafte pune “që kanë ndryshuar disa herë”. I pyetur për versionin të cilit iu referuar kryeministri në prezantim Fuga tha se nuk ishte gati. “Jo pasi nuk mund të shpërndajmë versione të cilat ndryshojnë pasi janë ende në përpunim”, tha ai.

Ndërkohë pjesë të ligjit sipas drafteve të publikuara janë të ngjashme me ligjin e mëparshëm “Antimafia”, pjesë të tjera kanë të bëjnë me administrimin e pronave të sekuestruara dhe konfiskuara. Megjithatë përdryshe nga këto ligje ku autoritetet kryesore janë prokuroria dhe gjykata, draftet në qarkullim në media, i japin policisë një sërë kompetecash shtesë.

Sipas drafteve që qarkullojnë vetëm bazuar mbi indiciet për kryerjen e një prej rreth 90 veprave penale të parashikuara në këtë ligj, policia merr të drejta për të kryer përgjime parandaluese. Kjo trajton njësoj në draft si të dyshuarit për akt-terrorist dhe personat që mund të dyshohen për kundravajtje penale si “Detyrimi i punonjësve të administratës për pjesëmarrje në miting”.

Po ashtu drafti i publikuar parashikon detyrimin e kompanive celulare dhe atyre që ofrojnë shërbime interneti t’i japin policisë çdo informacion të nevojshëm me kërkesë të kësaj të fundit. Po ashtu në draftet e publikuara policisë i jepet akses në databaza publike dhe private dhe me autorizim të drejtuesve të saj e drejat për vëzhgime sekrete.

Kritikave të menjëhershme publike ndaj këtyre pjesëve të ligjit që u cilësuan nga një sërë analistësh si hapa drejt një shteti policorë, Rama iu përgjigj me ironi: “Pres shumë më tepër reagime idiotike ndaj paketës më agresive ligjore, që një qeveri ka formuluar ndonjëherë në këta 30 vjet, kundër krimit të organizuar dhe aleatëve të tij në sistemin e vjetër e të korruptuar të drejtësisë! S’kemi dëgjuar gjë akoma,po ama s’kanë parë gjë akoma!”, shkroi Rama në Tëitter.

Rama la të kuptohej gjatë prezantimit për mbi 1 orë e 30 minuta se pjesë të paketës paraprinin vetingun në drejtësi. “Çfarë duhet të bëjmë në këto kushte? Do rrimë të presim vetting-un?”, tha ai duke iu referuar rastit të Durrësit. Rama pretendoi se ligji ishte plotësues i institucioneve të reja të drejtësisë.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi e cilësoi ligjin një dublim “të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më parë”.

Bardhi tha se ligji ishte “një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar zyrtarisht shtetin policor”.

/Birn/

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.