Katrahura me trukimin e votave për këshillat

Jun 26, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI

    Shitje/blerja dhe “trafikimi/trukimi” i votës në Shqipëri është kthyer në një “biznes” fitimprurës, përmes të cilit mund të sigurohen jo vetëm të fitime financiare direkte apo indirekte, por mbi të gjitha pushtet. Ky është një “sport” që e kanë mësuar pothuajse të gjitha partitë e vogla dhe që natyrisht tolerohet nga partitë e mëdha dhe nuk arrin të kontestohet nga votuesit. Trafikimi/trukimi i votës i ngjan shitjes/ trukimit të rezultatit të ndeshjeve të futbollit… Konfiguracionet e dala nga këto lloj zgjedhjesh ku vota edhe “shitet/blihet” dhe/ose “trafikohet/ trukohet”, nuk pasqyrojnë aspak vullnetin e votuesve dhe as përgatitjet e cilësitë e partive, të programeve apo ekipeve të tyre. Në Shqipëri, sa herë hapet ky debat për “shqyerjen” e votave të këshillave, ekziston mendimi i përgjithshëm se “është e kotë që bëhen zgjedhjet për këshillat bashkiakë, se votat s’pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve, sepse ato trafikohen/ trukohen. Gjithnjë e më shumë konfiguracionet politike po përcaktohen nga dimensioni dhe intensiteti i këtij “biznesi” që “bastexhinjtë” e trafikimeve/ trukimeve po e perfeksionojë nga zgjedhja në zgjedhje… Kjo është arsyeja që qytetarët dhe analistët s’janë në gjendje më të lexojnë me realizëm rezultatet e këtyre zgjedhjeve, sidomos votat për këshillat bashkiakë që shfaqen në trajtën e një katrahure të palexueshme për qytetarin e thjeshtë.

Në peizazhin e votave për këshillat bashkiakë nuk “lexohet” më as ideologji, as përkatësi e majtë apo e djathtë, as cilësi programesh dhe as cilësi ekipi, as performancë e fushatës elektorale dhe as cilësi e kandidatit, por një analist i sprovuar dallon qartë dorën e “bastexhinjve” se si kanë shitur rezultatin e ndeshjes, minutën kur është dhënë penalltia, kur është lejuar goli apo kur portieri është bërë pjesë e këtij trukimi. Në këtë kuptim, zgjedhjet ne Shqipëri s’janë më as të lira, as të ndershme, as përfaqësuese e as kushtetuese, sepse s’shprehin vullnetin e zgjedhësve, sepse ato i ngjajnë një katrahure të përcaktuar nga loja e trafikimeve. Prandaj, “votat për këshillat bashkiakë” s’kanë më asnjë lloj vlere, as përfaqësimi dhe as analize, aq më tepër që kjo është një dukuri konstante prej më se 10 vjetësh, me tendencë rritjeje.

1. Në zgjedhjet vendore partitë e vogla “shqyejnë” partitë e mëdha…
Nga krahasimi i rezultateve të zgjedhjeve vendore (2007, 2011 e 2015) me zgjedhjet e përgjithshme (2013), rezulton se 52-57% e votave “shqyhen” nga të gjitha partitë e vogla, ndërkohë që partitë kryesore PD dhe PS, së bashku, fitojnë vetëm 43-48% të votave. Sasia e votave të “shqyera” nga partitë e vogla në zgjedhjet e përgjithshme (konkretisht në 2013) reduktohet në 28 për qind, gati sa gjysma e atyre të fituara në zgjedhjet vendore. Pra, në zgjedhjet vendore, gjithnjë e më shumë po ndodh dukuria e “shqyerjes” së votave nga dy partitë kryesore apo e “trafikimit/trukimit” të votave për këshillat bashkiakë dhe, për rrjedhojë, kjo “votë për këshillat bashkiakë” është shumë larg të qenët përfaqësuese e vullnetit të votuesve dhe aq më pak e interesit publik. Kjo “shqyerje” e votës nga dy partitë kryesore arrin deri në 26-28 për qind të votave, pra në zgjedhjet vendore partitë e vogla arrijnë të “shqyejnë” më shumë se gjysmën së madhësisë së tyre të fituar në zgjedhjet e përgjithshme.

Një karakteristikë tjetër interesante është se kur LSI është në koalicionin e majtë, “shqyerja” e dy partive kryesore është më e madhe (2007 e 2015) sesa kur është në koalicionin e djathtë (2011). Ndërkohë, PD në të tria zgjedhjet vendore, 2007, 2011 e 2015, ka marrë përkatësisht 20, 21 e 20.5% të votave, pra në të gjitha rastet “shqyerja” e saj në zgjedhjet vendore nga aleatët e djathtë ka qenë pothuajse konstante më vlerë mbi 11% ose, e thënë ndryshe, asaj i është “shqyer” më shumë sesa gjysma e votave të saj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me PS. Kjo duket një dukuri gati-gati fatale, po ashtu si ajo e trukimit të ndeshjeve në futboll dhe kërkon një vëmendje të veçantë për të gjetur një zgjidhje që e eliminon ose, së paku, e dekurajon këtë dukuri që po delegjitimon çdo herë e më shumë zgjedhjet vendore.

2. Trafiku i votave dhe “shqyerja” e partive të mëdha…
Votimet në Shqipëri i ngjajnë shitjes/ trukimit të ndeshjeve të futbollit… Përdoren të gjitha metodat e trafikimit dhe blerjes së votës për t’u pasuruar përmes trukimit të ndeshjes …Madje, këtë radhë, me rritjen e paarsyeshme të partive politike (nga 2007 në 2015, pra në 8 vjet, numri i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore është gati dyfishuar), është kaluar në një trafik total me përmasa të frikshme; kjo do të thotë se trafikimi ka kaluar në një shkallë të re, është bërë total dhe transversal, pra tanimë trafikohen vota jo vetëm midis partive brenda një krahu politik, pra vetëm brenda së majtës apo vetëm brenda së djathtës, por trafikimi tanimë është transversal, pra edhe midis partive nga majtas-djathtas e anasjelltas… Koncepti i “trafikimit” çiftohet shpesh apo përdoret si mekanizëm komplementar për “blerjen e votës”. Po të shikohet harta e votave për këshillat bashkiakë, dallohet menjëherë kjo katrahurë që vjen nga trafikimi i votave për këshillat bashkiakë. Dhe shitblerja e trukimi/trafikimi i votave janë mekanizmat që përcaktojnë peizazhin e këshillave bashkiakë, balancat e tyre dhe, më tej, edhe “pazaret” me pronat, buxhetin vendor, emërimet e të tjera e të tjera, ndërkohë që këto parlamente gjithnjë e më shumë po u largohen halleve dhe shqetësimeve të qytetarëve.

3. Peizazhi i këshillave bashkiakë ka një varësi direkte nga trafikimi i votave
Zgjedhjet nuk shprehin më as vullnetin e qytetarëve dhe as përgatitjet e partive politike dhe as performancën e tyre në fushatat elektorale; njëlloj siç ndodh në ndeshjet e futbollit që shiten/trukohen dhe s’ka më asnjë rëndësi as përgatitja e ekipit, as cilësia e lojtarëve, as trajneri, por gjithçka komandohet nga “bastexhinjtë” dhe trafikantët që shesin/blejnë apo trukojnë ndeshjet për të fituar shuma të majme… Në këtë kuptim, zgjedhjet nuk janë as të lira, as të ndershme dhe as nuk përfaqësojnë më vullnetin e zgjedhësve… Rezultati i zgjedhjeve nuk përbën më një peizazh të vullnetit të qytetareve/zgjedhësve, por ai përcaktohet nga loja dhe veprimet e “trafikantëve” të votave… Kjo është tanimë tërësisht e vërtetë për votat e këshillave bashkiakë, prandaj këto vota as mund të lexohen, as mund të interpretohen dhe as që kanë më vlerë reale…

4. Trafikimi i votave dhe oligarkia në lidhje të fuqishme midis tyre…
“Trafikimin” e votave ka nxitur dhe realizuar: i) paratë e dyshimta dhe interesat e bartësve të tyre; ii) individët me rekorde kriminale apo profile oligarkike; iii) partitë e vogla (në numër mbi 100) që interesohen vetëm për këshillat bashkiakë dhe janë të gatshëm të realizojnë çdo lloj trukimi/trafikimi të votës, vetëm për t’u zgjedhur anëtar në këshillin bashkiak… iv) por edhe disa nga kandidatët e partive kryesore, sidomos ata me profile jo politike dhe/ose oligarkike që kanë prioritare vetëm zgjedhjen e tyre ne krye te bashkisë, s’interesohen fare as për votat për këshillin bashkiak, as për objektivat partiakë; dhe, së fundmi, duhet thënë se v) viktima të këtyre trafikimeve, ndonëse janë dy partitë kryesore, mbajnë edhe përgjegjësinë kryesore që s’kanë marrë mundimin për ta reduktuar, eliminuar apo frenuar këtë dukuri “mafioze”, sepse në fund të fundit viktimat më të mëdha të këtyre veprimeve janë qytetarët/zgjedhësit…

5. Katrahura e votave për këshillat bashkiakë në zgjedhjet e 2015…
Duke analizuar me kujdes dhe vëmendje votat që kanë fituar partitë dhe koalicionet për këshillat bashkiakë dhe duke i krahasuar ato me votat e fituara nga kandidatët për kryetar bashkie, arrihet në disa përfundime shumë shqetësuese: a)është bërë një trafik i paimagjinueshëm votash në këtë nivel që s’ka ndodhur asnjëherë më parë, jo vetëm brenda krahëve politikë, por edhe nga njëri krah në tjetrin; kjo është favorizuar edhe nga kalimi jonormal i disa partive të djathta majtas; b)kryesuesit e listës së partive të vogla për këshillat bashkiakë kanë qenë shumë aktivë në këtë fushatë, sepse shkëmbimi i votës së partisë me votën për kandidatin është në interes direkt për zgjedhjen e tyre në këshillin bashkiak dhe ky përbën të vetmin mekanizëm “presioni” për partitë e mëdha apo kryetarët e bashkive. Disa parti po “specializohen” për trafikimin e votave, një “biznes” përfitues me cikël çdo dy vjet; c) partitë e vogla kanë “shqyer” tmerrësisht dy partitë kryesore, PS dhe PD; partitë e vogla kanë luajtur me kartën e dhënies së votës për kandidatin në shkëmbim të votës për këshillin bashkiak…; d)një rol të rëndësishëm në këtë “shkëmbim” të votave ka luajtur LSI, e cila zotëron një mekanizëm të fuqishëm perfekt të kontroll/orientimit të votës në drejtimin e duhur për të maksimizuar qëllimin elektoral; e)një shpërndarje e votës ka ndodhur, ndoshta e organizuar, apo e paorganizuar, për shkak të marrëdhënieve të dyshimta e të tensionuara midis PS e LSI.

6. Marrëdhëniet mosbesuese PS-LSI e kanë nxitur “trafikimin”
E thënë ndryshe, atje ku kandidati për kryetar të bashkisë ka qenë i LSI, votuesit e PS mund të jenë orientuar te kandidati kundërshtar për të dëmtuar kandidatin e LSI dhe në shumë raste ia kanë arritur përgjithësisht qëllimit (LSI ka humbur 4-5 bashki nga kjo dukuri). Atje ku kandidati për kryetar i Bashkisë ka qenë i PS, atëherë kanë qenë votuesit e LSI-së që kanë orientuar votën për kandidatin e djathtë, duke ndikuar në suksesin e kandidatit të PS, por në shumicën e rasteve pa mundur ta penalizojnë atë ndoshta deri me humbje… Dhe e gjithë kjo taktikë, me shumë gjasa është kombinuar edhe me trafikimin e votës për këshillin bashkiak, sidomos në favor të partisë më të vogël…

7. Në vend të përfundimit
Vota për këshillat bashkiakë është tmerrësisht e trafikuar/trukuar dhe peizazhi i shfaqur për shkak të kësaj dukurie është i palexueshëm dhe pa asnjë vlerë politike apo elektorale. Por, më e rënda, është se ajo s’përfaqëson më as vullnetin dhe as interesin publik… Madje, ajo gradualisht po kthehet kundër interesit të qytetarëve dhe interesit publik… Pyetja që shtrohet në këtë rast, është: Ç’duhet bërë dhe si korrigjohet? Ky duhet të jetë një nga debatet kryesore për të mundësuar zgjedhje, që garantojnë një shprehje realiste të vullnetit të votuesve. Ka një mundësi zgjidhjeje që “vota për kryetarin e bashkisë” të bashkohet me “votën për këshillin bashkiak”, por kjo është një çështje që duhet debatuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura