Katër kurthet e Francës, ja strategjitë që “gjelat” kanë kundër Uruguait

Jul 5, 2018 | 20:38
SHPËRNDAJE

Me asnjë gol të pë suar në fazën e grupeve, Uruguai me zbarkimin në çerekfinale tregoi se nuk ka asgjë për t’u pasur zili kombëtareve të mëdha të Kupës së Botës. Pengesa e radhës është Franca, e teksa në Uruguai shqetësohen për dëmtimin e Edinson Kavanit, “L’Equipe” propozon katër pikat ku duhet të bazohen “Gjelat” për të arritur në gjysmëfinale.

franca

NJË 10-ËSH MES VIJAVE “ARMIKE”

Nëpërmjet një 4-4-2-shi solid, uruguaianët kanë mbrojtjen më të mirë të Kupës së Botës së bashku me Brazilin. Forcë mbrojtëse dhe shumë potencial sulmues, të cilat mund të minohen me një fantazisë që vepron mes prapavijës dhe mesfushës së tyre. Nëse nuk dëshiron të sakrifikojë Mbapenë, Didie Deshamp mund të mendojë për Nabil Fekirin që territorin në fjalë e njeh më së miri. Antuan Grizman dhe Osman Dembela kanë gjithashtu faktorin “X” për të goditur Uruguain në zemër, teksa Varan dhe Umtiti do ta kenë më të lehtë detyrën pa Kavanin në fushë.

MESFUSHORË TË “HAPËSIRËS”

Një tjetër mënyrë për të lënduar Uruguain është nëpërmjet mesfushorëve që sulmojnë hapësirat. Adrien Rabio i ka nxjerrë më së miri në pah problematikat e dyshes Godin-Gimenez kur sulmohen nga mesfushorë, por ja që talenti i PSG-së nesër nuk mund të aktivizohet. Kante e Pogba nuk mund t’i përmbahen më misionit si truproja të murit mbrojtjes francez, për të mundur uruguaianët duhet edhe ndihma e tyre.

KLOPI SI FRYMËZIM

Jurgen Klop dhe “gegenpresing”-u i tij janë tashmë një rregull futbollisti. “Nëse rikuperon topin në zonën kundërshtare, je më afër portës dhe mund të shkaktosh shumë dëme”, shpjegon trajneri i Liverpulit. Didie Deshamp, për fatin e tij, i ka edhe njerëzit që dinë të vjedhin topa dhe të nisen me shpejtësi drejt portave rivale. Me gjithë respektin, që nga Godin e me radhë. në të gjithë repartin mbrojtës nuk ka asnjë element më këmbë të edukuara, ndaj presioni i Mbapesë e Grizmanit mund të shndërrohet në faktor kyç, teksa Zhiru duhet të dërgojë topin në rrjetë sapo t’i jepet mundësia. E lehtë më fjalë ndoshta, por gjithashtu jo aq e pamundur.

PASIME TË SHKURTRA

Uruguai njihet gjithashtu si një ekip që qëndron në 35 metra dhe lëviz në bllok. Me aksione të manovruara vështirë se mund të befasohen, ndaj pasimet e shkurtra mund të jenë një mënyrë për t’i detyruar të bëjnë presion. Duke i tërhequr në gjysmën e saj të fushës, Franca mund të ketë shanse të mëdha duke tentuar topin e gjatë në dobi të paparashikueshmërisë së Grizmanit apo Mbapesë, ose me këta të fundit që kërkojnë driblimin dhe lojën një kundër një. Në letër mundësitë janë konkretë, në fushë gjithçka është në dorë të njerëzve të Deshampit.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura