“Katër i Radës”, tragjedia e Otrantos vjen si një opera në skenat shqiptare

Sep 5, 2018 | 17:48
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Dikur sirianët ishim ne. Imazhet e fëmijëve dhe grave të nxjerra nga ujërat e Adriatikut do të ishin po aq pikëlluese sa edhe ato, që sot bëjnë gjithë botën të lotojë. Veçse atëherë mediat sociale nuk ekzistonin. Një anije e vogël shqiptare e tejmbushur me burra, gra e fëmijë, fundoset në mars të vitit 1997 pranë brigjeve italiane. Nga 140 vetë në bord, 81 u mbytën dhe 27 të tjerë nuk u gjetën kurrë. Plot 21 vjet më pas, ujërat e Otrantos, janë më të kripur. Janë lotët e nënave, grave, të afërmve, të atyre që nuk u kthyen më kurrë, ndërsa vajet me ligje ende i sjell era e vala, si një iso e gjatë polifonie labe. Si homazh i viktimave të Otrantos, në një kontekst të ngjashëm në brigjet italiane, shfaqet në Shqipëri opera “Katër i Radës. Il naufragio”. Një vepër e porositur nga Bienalja e Venecias, realizuar nga Qendra e Prodhimit Teatror Koreja, Itali, me muzikë të Admir Shkurtajt, me libret nga Alessandro Leogrande, autor i romanit-reportazh me të njëjtin titull: “Katër i Radës: Mbytja e anijes”. Pas suksesit dhe çmimeve që ka fituar gjatë dy viteve, që nga dita e premierës, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, opera do të shfaqet fillimisht në Shkodër në skenën e Teatrit “Migjeni”, për të udhëtuar drejt Prishtinës, në Teatrin “Oda” e më pas do të vijë në Tiranë, në skenën e re të Amfiteatrit në kodrat e Liqenit.

40989958_498711367272147_3491953246535155712_n

VEPRA

Një vepër tronditëse, ku muzika bashkëkohore ndërthuret me polifoninë labe dhe interpretimi muzikor me atë autorial. Një rol të rëndësishëm luan po ashtu edhe kostumografia, që risjell edhe një herë tragjedinë shqiptare, e cila fatkeqësisht nuk mbeti aty. Ajo përsëritet e përsëritet, por tanimë viktimat nuk janë më shqiptarë… “‘Katër i Radës’ nuk është thjesht një vepër përkujtimore. Është më shumë një përpjekje nëpërmjet muzikës për të çliruar universin njerëzor të atyre që përjetuan njërën nga shumë tragjeditë e Mesdheut: atë të një anijeje të vogël shqiptare, të tejmbushur me burra, gra e fëmijë, e fundosur në marsin e vitit 1997 pranë brigjeve italiane. Në aktin e vetëm bëhen bashkë të mbyturit e të shpëtuarit, ata që mbijetuan e ata që humbën, zërat e mendimet e tyre e, mbi të gjitha, udhëtimi i tyre drejt errësirës, plot ankth e dëshira të pakta, ëndrra e frikëra, përhumbje, shfaqje, përkujtime të papritura”, shkruan Alessandro Leogrande.

40863789_284367205510955_8413106102614360064_n

ÇMIMET

Premiera absolute e kësaj vepre është dhënë në edicionin e 58-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës bashkëkohore në Bienalen e Venecias. “Katër i Radës” ka qenë kandidat për kategorinë “MIGLIORI MUSICHE” për kompozitorin shqiptar Admir Shkurtaj, në edicionin e pestë të çmimit “Le Maschere del Teatro Italiano” mes finalistëve Nicola Piovani e Luigi Ceccarelli Ka marrë çmimin special nga Radio Sarajevo në festivalin MESS 2016, një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në Ballkan. Po ashtu është nderuar me çmimin “COUP DE COEUR DES JEUNES MÉLOMANES 2017”, dhënë nga Fondacioni Prince Pierre i Monacos në bashkëpunim me Akademinë e Muzikës dhe Teatrit në Monaco dhe mbështetjen e Fondacionit Principessa Grace, për kompozimin më të mirë në muzikën bashkëkohore.

40766774_2244505232451128_1974644083720716288_n

KATËR I RADËS. Mbytja e anijes

Muzika: Admir Shkurtaj
Libreti: Alessandro Leogrande, mbështetur mbi romanin
“Il naufragio”, Feltrinelli 2011)
Regjia: Salvatore Tramacere
Skena dhe dritat: Michelangelo Campanale
Kostumet: Stefania Miscuglio
Interpretojnë:
Olimpia Pagni – soprano Leggero
Hersjana Matmuja – soprano
Lucia Conte – soprano
Stefano Luigi Mangia – zë eksperimental
Emanuela Pisicchio- aktore
Anna Chiara Ingrosso- aktore
Fabio Zullino- aktor
Kori polifonik shqiptar: Nazo Çelaj,
Nikolin Likaj, Meleq Çela,
Sali Brahimaj, Valter Hodo
Bashkëprodhim: Biennale
di Venezia – Koreja (Lecce)
KALENDARI
6 shtator, ora 19:30
Teatri “Migjeni”, Shkodër
8 shtator, ora 20:30
Teatri “ODA”, Prishtinë
10 shtator, ora 20:00
Amfiteatri i Liqenit, Tiranë

41058158_266966947280393_6077610085138300928_n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura