Katër episodet që tradhtuan tritolhedhësin te vila e Dukës! Biznesmeni i arrestuar me “ML” dhe atlete të bardha kyç gojën në Polici

Jan 27, 2022 | 13:13
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI/ Policia e Durrësit është e bindur se personi që u vu në pranga mbrëmjen e së martës për vënien e tritolit në derën e jashtme të shtëpisë së Armand Dukës është autori.

Ata pretendojnë se kanë prova të mjaftueshme për ta mbajtur në pranga të arrestuarin pasi pretendojnë se gjurmimi dhe dokumentimi janë bërë në bazë të kërkimit të kamerave në një sërë ambientesh të ndryshme të qytetit të Durrësit.

E ndërsa nuk gjejnë asnjë lidhje mes atij dhe Armando Dukës, as ndonjë konflikt të hershëm që mund ta çonte të riun drejt një dhënieje mesazhi, kërcënimi e aq më pak eliminimi, burimet të besueshme i thanë mbrëmë gazetës “Panorama” se arrestimi është kryer në bazë të provave dhe fakteve të shumta, edhe pse ende nuk janë të qarta motivet e atij sulmi me tritol.

Po i njëjti burim policor bëri me dije se biznesmeni i prangosur, Arlen Hasanaj, ka refuzuar të flasë, ndërsa Armando Duka ka pranuar se nuk e njeh fare të riun. Prej më shumë se 24 orësh tentativë për të marrë një dëshmi prej Hasanajt, grupi i hetimit ka dështuar, ndërkaq mësohet se është punuar në mënyrë intensive për të dokumentuar të gjitha vendndodhjet e tij pas sulmit në shtëpinë e kreut të Federatës së Futbollit, Armando Duka!

NDJEKJA E HASANAJT

Sipas të dhënave të Policisë bëhet me dije se ndjekja e personit që hodhi sasinë e tritolit në derën e jashtme të shtëpisë së familjes Duka është parë atë mbrëmje në disa ambiente. Janë një sërë detajesh që hetuesit pretendojnë që kanë fiksuar në të gjitha pamjet filmike të siguruara, detaje që me sa duket i riu nuk është kujdesur t‘i fshehë fare. Sipas Policisë dhe Prokurorisë që po merren me dokumentimin e ngjarjes saktësohet se mjeti, atletet dhe xhupi janë tre elementët që kanë siguruar ndjekjen e Hasanajt.

Edhe pse në kamerat e shtëpisë së Dukës i riu nuk dukej qartë nga pamja, janë atletet e bardha që kanë bërë të mundur që Policia të fiksojë të njëjtën figurë teksa ngjitej në një “Benz ML” pak metra më tej. Momenti kur personi ngjitej në mjet është kapur nga një kamera tjetër, por ashtu me të njëjtën pamje i riu është filmuar po atë natë në një ambient të jashtëm në zonën e Plazhit. Ndërkohë po mbrëmjen e së hënës, policia dhe prokuroria pretendojnë se pa ndryshuar asgjë nga veshja e tij, i njëjti person është shfaqur në pamjet filmike të një pallati, nga ku edhe u shkëput pamja më reale e të riut, i cili rezulton të jetë sipërmarrës në Durrës.

Policia dhe prokuroria kanë realizuar gjurmim edhe përgjatë ditës së martë por pa e pikasur gjëkundi në zonën e Durrësit. Informacionet janë lidhur me targën e mjetit. Sapo Hasanaj me mjetin “Benz ML” ka mbërritur në Durrës ai është vënë në pranga nga ana e policisë dhe menjëherë është vënë në dijeni të arsyes se përse ishte prangosur. Që nga ai moment, e deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme ai ka refuzuar të flasë për grupin hetimor vetëm se ka këmbëngulur se është arrestuar kot dhe që nuk kishte lidhje me ngjarjen. Po ashtu ai ka kërkuar edhe një mbrojtës ligjor dhe me sa duket vetëm atëherë do të pranojë të flasë me hetuesit.

SIGURIMI I TRITOLIT

Sipas të dhënave të Policisë së Durrësit, bëhet e ditur se Arlen Hasanaj nuk ka qenë i skeduar asnjëherë për ndonjë vepër penale. Ai figuron administratori i një biznesi në qytetin bregdetar, ku në ekstraktin e gjeneruar nga faqja zyrtare e Qendrës Kombëtare të Biznesit për subjektin e “Arlen Hasanajt” thuhet se ai vepron në fushën e market, bar, kafe. Për punime të brendshme, thyerje, shembje, rikonstruksione të ndryshme, etj. Veprimtari në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore.

Policia dhe Prokuroria përveç hetimit të motivit të sipërmarrjes së hedhjes së tritolit në shtëpinë e Dukës mësohet se po heton tashmë edhe në lidhje me vendin se ku e ka siguruar i dyshuari lëndën plasëse. Sipas të dhënave, lënda ka qenë e bërë në mënyrë artizanale, gjë që rrit dyshimin se personi që e ka hedhur mund ta ketë blerë edhe në qytetin e Durrësit. Në fakt, Durrësi, Fushë-Kruja dhe Shkodra janë tre vendet që prodhojnë dhe tregtojnë jo vetëm brenda vendi po edhe jashtë të lëndëve plasëse, si dhe të minave të telekomanduara.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura