“Katër ditë në një dhomë në spital me viktimën”, flet familjari i pacientes së shtruar: Kam hallin e mamit, po presim…

Mar 12, 2020 | 15:06
SHPËRNDAJE

Familjarët e dy pacientëve të tjera, që kanë qëndruar për disa ditë në dhomë me 73- vjeçaren e prekur nga koronavirusi, janë të mbërthyer nga paniku dhe janë vetëkarantinuar.

E moshuara-koronavirusi-durres

Një prej familjarëve të pacientëve është Shkëlqim Buziu, i cili ka qëndruar për disa ditë në dhomën e 73-vjeçares, pasi njëra nga dy pacientet e tjera ishte nëna e tij 84-vjeçare. Buziu shprehet se në dhomën numër 3 të repartit të Patologjisë, ku ishin të shtruara zonja e prekur nga koronavirusi dhe dy pacientet e tjera, kanë hyrë dhe kanë dalë shumë persona të tjerë, të rinj e të moshuar, që vinin të takonin pacientet në dhomë.

Ndërkohë, ai shton se vetë ka qëndruar për plot 4 ditë në atë dhomë, pranë nënës së tij. Buziu thotë se ISHP ka marrë kampione për analiza vetëm ato të nënës së tij, ndërsa të familjarëve që kanë qëndruar atje, nuk janë marrë.

“Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. Në të njëjtën dhomë ishte edhe një paciente tjetër. Gjatë kësaj kohe, në këtë dhomë hynin e dilnin me dhjetëra persona të të tria pacienteve, pasi u vinin për vizitë. Nuk di çfarë të them. Kemi pasur kontakte fizike, sepse ishim në një dhomë. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Tani që morëm vesh se kjo ishte e prekur nga koronavirusi, i kërkova ISHPsë të bënim analizat. Por erdhën dhe morën vetëm kampione të mamit tim, ne të tjerëve jo”, u shpreh fillimisht Buziu.

ANALIZAT

Duke vazhduar më tej, Buziu thotë se deri në këto momente, ai dhe familjarët e tij, të cilët kanë shkuar në dhomën ku qëndronte 73- vjeçarja, nuk kanë shfaqur ndonjë shenjë të virusit.

“Unë po pres analizat e mamit se pres analizat e mamit se është moshë e vjetër. Ajo ka kollë të vazhdueshme. Por për fat të mirë, deri më tani asnjëri prej nesh nuk ka pasur temperaturë. Kam frikë mos infektohemi pa dashje, duke mos pasur fare lidhje. Nuk e mora se erdha nga Italia dhe nuk i tregova dikujt. Unë po rri këtu se më vjen keq pse ta marrin të tjerët përmes meje. Ndaj jemi vetëkarantinuar”, tha Buziu.

Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se ka nisur një hetim për të identifikuar të gjithë personat që kanë pasur kontakt me gruan e infektuar me koronavirus, të cilët janë duke u kontaktuar, por është një proces i gjatë derisa të zbulohen të gjithë. Atyre u këshillohet vetëkarantinimi dhe u merren mostrat për të bërë analizat.

TË DYSHUAR

Lidhur me këtë rast, dyshimet për personat që mund të jenë prekur nga koronavirusi janë të shumta, pasi në dhomën ku është mbajtur për katër ditë viktima kanë hyrë e dalë shumë persona. Për këtë fakt, burimet thanë se po bëhet e mundur identifikimi i këtyre personave, në mënyrë që të bëhet i mundur kontrolli i tyre. Gjithashtu, të gjithë këtyre personave që mund të kenë pasur kontakte me 73-vjeçaren, u është bërë thirrje që të vetëkarantinohen në banesat e tyre, në mënyrë që të mospërhapet virusi COVID-19. L.M

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura