Katër artistë shqiptarë, ekspozitë në New York

Jul 2, 2015 | 13:18
SHPËRNDAJE

Katër artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Maqedonia përfaqësojnë artin bashkëkohor shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy ekspozita të njëpasnjëshme do të hapen në Boston e New York. Bëhet fjalë për artistët Jona Dividi, drejtuese e “Qendra Tirana Art”, Burhan Ahmeti nga Maqedonia, Adem Dermaku, shqiptari nga Kosova, i cili jeton në Zvicër dhe Vahida Nimanbegu nga Mali i Zi, të cilët janë ftuar nga Departamenti i Artit në Universitetin Massachusetts në Boston. Prej datës 25 qershor deri më 8 korrik, është menduar të organizohen dy ekspozita.

Sipas artistes Jona Dividi, Universiteti i Arteve të Bostonit u ka ofruar ambientet artistëve shqiptarë për të ndarë eksperienca të ndryshme mes pedagogësh e studentësh. Ata do të kenë mundësi të bëjnë demonstrime të hapura, të realizojnë vepra arti përpara studentëve në teknika të ndryshme artistike. Pas përfundimit të veprave që do të realizohen në atelietë e artit, do të organizohet edhe ekspozita e krijimeve të përfunduara gjatë këtyre ditëve në Galerinë “Modestino” të Universitetit Massachusetts në Boston. Më tej, një tjetër ekspozitë do të pasojë në datën 6 korrik në New York, në Galerinë MC. “Në të do të prezantohen vepra të tjera të pa ekspozuara, ku secili nga artistët do të ketë nga 8-10 krijime të reja”, thotë Dividi. Artistët pjesëmarrës janë Jona Dividi, Vahida Nimanbegu, Burhan Ahmeti si edhe Arjana Xhemajli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura