Katër arsye pse duhet t’i presim refugjatët në Shqipëri

Jun 22, 2018 | 10:09
SHPËRNDAJE

lavdrim-litaLAVDRIM LITA

Bllokimi i refugjatëve afrikanë dhe të Lindjes së Mesme në brigjet e një shteti të falimentuar dhe të ndarë etnikisht si Libia, po shkakton një emergjencë të vërtetë humanitare në portat e Europës. Vendimi i ministrit të Brendshëm italian, Mateo Salvini, për një qasje të re ndaj fenomenit migrator përmes rrugës detare, dëftente një mbyllje të kufijve të Europës për mijëra refugjatë dhe emigrantë të ardhur nga Afrika.

Mbyllja e kufijve dhe ngritja barrierave në det do të rëndojë si pasojë pozicionin për refugjatët në BE, e cila është në vështirësi të mëdha dhe po negocion këto ditë në kryeqytetet e Europës dhe me Shqipërinë për të lehtësuar fluksin, duke krijuar një platformë multifunksionale tokësore të përkohshme për të kontrolluar kush e meriton azilin dhe kush jo. E vërteta është se përgjigjja shqiptare ndaj çështjes së zhvendosjes potenciale të refugjatëve (pasi edhe kërkesa nuk është zyrtare) ka qenë e vakët, deri diku refuzuese, e paqartë.

Ka shumë rezerva në disa qarqe politike e mediatike, për shkak se qeveria “Rama” ka lejuar me veprime dhe mosveprime, me statistika në dorë, që 150 mijë shqiptarë të emigrojnë si azilkërkues në BE në 5 vitet e fundit, duke zbrazur forcën punëtore dhe reaguese të vendit për të sunduar i qetë. Ndërkohë, për çështjen konkrete qeveria shqiptare publikisht është mjaftuar me togfjalëshin “nuk është në tavolinë” apo “situata është hipotetike”.

Një logjikë e tillë është për të fituar kohë dhe çeljen e negociatave me BEnë, sepse ndërkohë dokumenti danezo-austriak po qarkullon nëpër kancelari dhe është rrjedhur në media për të parë efektin në Tiranë. Në 28 vitet e fundit shqiptarët kanë dëshmuar se i kanë depërtuar kufijtë e vendeve fqinje për një jetë më të mirë, çka anasjelltas duhet jetë më e lehtë. Refugjatët afrikanë janë as më shumë e as më pak si rasti i refugjatëve hebrenj para Luftës së Dytë Botërore apo si rasti i refugjatëve kosovarë në Maqedoni në vitin 1999.

Lufta i ka rrezikuar ekzistencën dhe dinjitetin një popullate në nevojë. Shqiptarët duhet t’i përgjigjen kërkesës për të ndihmuar në krizën e refugjatëve për një sërë arsyesh:

Së pari, arsyeja është humanitare. Ne kemi detyrën njerëzore për të ndihmuar njerëzit në nevojë: për t’u dhënë strehë, bukë, ujë, kripë, zemër dhe një urë për në Europë, sidomos për njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi. Kushtetuta dhe librat e shenjtë të shqiptarëve na mësojnë respektimin e dinjitetit të njeriut. Ne kemi një përvojë të mirë me refugjatët hebrenj të strehuar në Shqipëri mes dy luftërash botërore dhe ne jemi po ata që pritën krahëhapur gjakun tonë në 1999. Kur ne kemi pasur nevojë, popujt e tjerë na kanë ndihmuar shumë më shumë.

Së dyti, ne si shoqëri duhet të tregojmë se jemi të dobishëm për të tjerët. Në radhë të parë, duhet të tregojmë se jemi dobiprurës për veten tonë dhe në radhë të dytë, për partnerët, në këtë rast për Bashkimin Europian, që ndodhet në vështirësi për menaxhuar një situatë të jashtëzakonshme dhe po kërkon aleatë në rajon; edhe maqedonasit, edhe serbët e kanë kuptuar politikën e dobiprurjes sepse kanë kuptuar që zgjidhja do të jetë në nivel europian. Një qytetar apo shtet europian, kur shikon se si shteti shqiptar qëndron pasiv dhe i ftohtë përballë një tragjedie qindra kilometra nga kufiri i saj detar, mund të mendojë çfarë dobie kanë shqiptarët për ne? Pse nuk ndihmojnë? Apo mos duan vetëm të përfitojnë?

Së treti, Shqipëria do të përfitonte shumë në imazhin e saj ndërkombëtar, duke u treguar mikpritëse me refugjatët . Një politikë e qëndrueshme e dyerve të hapura do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit dhe do të ndërkombëtarizonte e fuqizonte faktorin shqiptar kudo. Vetë Gjermania dhe Serbia kanë përfituar nga përmirësimi i imazhit me refugjatët. Ndonëse Gjermania në mënyrë indirekte, Serbia e ka bërë qëllimisht strategjinë e përmirësimit të imazhit, nga një vend luftësjellës në një vend humanitar, në rastin e asistencës për refugjatët. Vetëizolimi nuk është zgjidhje.

Së katërti, Shqipëria do të përfitonte hipotetikisht shumë nga fuqia punëtore nëse do të ndalonin në Shqipëri. Nëse është e vërtetë që vendit i duhen profesionistë në disa fusha, këto mund t’i gjejmë për shembull te refugjatët sirianë, e cila është një popullsi tejet e kualifikuar dhe për këtë ka studime të njohura. Ne kemi modelin e refugjatëve kosovarë në Durrës dhe Tiranë, të cilët kanë ndërtuar dhe bërë biznes me qytetin.

Së fundmi, nëse refugjatët dhe emigrantët e tjerë do të vendosin të kalojnë përmes Shqipërisë, nuk ka shtet që i ndalon sepse ne nuk jemi një regjim totalitar dhe këtë gjë s’e ka bërë asnjë vend rrotull nesh. Pra, urtia do të ishte të menaxhohej situata me kapacitetet europiane, duke përfituar nga mundësia e të qenit njëherë në botë të dobishëm për të tjerët. Ndoshta Shqipëria nuk do të jetë kurrë një platformë europiane për të lehtësuar migrimin drejt BE-së, por fakti që ne dëshmojmë egoizëm në nivel lidershipi, do të thotë shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura