Kategoritë që përjashtohen nga legalizimi do marrin dëmshpërblim për shtëpinë

Jan 15, 2016 | 15:12
SHPËRNDAJE

Të kesh bërë vetëdeklarimin nuk është e vetmja garanci për pajisjen me leje legalizimi. Filtrat me të cilët kalon procesi, bëjnë që një pjesë e ndërtimeve pa leje të skualifikohen, duke u vënë përballë riskut të shembjes.

Më herët vetë Lame pohoi se nuk ishin pak, por rreth 90 mijë objekte që mbeteshin jashtë për shkak se ishin ndërtuar në zona ku ishin planifikuar projekte infrastrukturore, në zona të mbrojtura, arkeologjike etj. Por dje, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i ALUIZNI-t nuk preferoi të japë një shifër, duke u ndalur në zgjidhjen që është menduar për këtë kategori.

Legalizime_ALUIZNI_Durres_01-520x250

Sipas Lames, ndarja e legalizimit nga regjistrimi i truallit do të bëjë që pjesa më e madhe e ndërtimeve të legalizohen, por pa të drejtë për të marrë tapinë. Kjo do të bëjë që në momentin e shembjes familjet të marrin dëmshpërblim vetëm për objektin.

“Duke e shkëputur objektin nga trualli, u krijohet mundë- sia qytetarëve që t’u kthehen pas të ardhurat që kanë shpenzuar për ndërtimin e shtëpisë”, u shpreh Lame. Kjo do të bëjë që këto familje që rrezikojnë të mbesin në qiell të hapur, të marrin një pjesë të parave që kanë hedhur për banesën. Nga ana tjetër, do të lehtësojë punën e qeverisë, e cila nuk do të gjendet përballë presionit për t’i strehuar. Por krahas këtyre ndryshimeve, përshpejtimi i procesit do të bëhet i mundur edhe në saje të miratimit të zonave të reja informale dhe unifikimit të hartës me institucionin e Hipotekës.

“Duke i shpallur zona informale, shkurtohen procedurat dhe koha që u duhet qytetarëve për t’u pajisur me leje legalizimi”, theksoi më tej kreu i Agjencisë së Legalizimeve. Lame iu përgjigj interesit të gazetarëve edhe në lidhje me legalizimin e pallateve, cilësinë e shërbimit që ofrohet për qytetarët, si edhe në lidhje me fatin e familjeve që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri.

NDËRTIMET QË NUK LEGALIZOHEN “Shumë objekte që sot duhet të prishen ndodh sepse janë ndërtuar në zona ku ka projekte të miratuara. Rasti tipik është rasti i Unazës së Madhe të Tiranës, e cila është miratuar qysh në kohën e Adil Çarçanit. Dhe ata qytetarë gjenden sot përballë situatës që u shemben shtëpitë. Pra, të jemi të ndërgjegjshëm se dy palët janë në faj. Ajo që duhet të bëjmë ne tani është të evitojmë sa më shumë ngritjen e objekteve që s’mund të legalizohen dhe, e dyta, të mos ndërmarrin asnjë prishje të pakontrolluar deri ditën që do të fillojë puna për implementimin e projektit. Nuk mund ta them me saktësi se sa janë objektet që nuk legalizohen sepse edhe vetë shifra e vetëdeklarimeve ka pësuar luhatje. Skema e re me të cilën ne do të operojmë është ndarja e legalizimit nga regjistrimi i pronës. Një gjë e tillë do të bëjë që në momentin kur të nisë zbatimin projekti, qytetarët të marrin një pjesë të investimit mbrapsht”.

LEGALIZIMI I PALLATEVE “Në ndryshimet që bëmë në ligjin e legalizimeve, raportuam se deri më tani kemi identifikuar 25 kategori të ndryshme për pallatet. Për çdo rast të veçantë do të ketë vendim qeverie të veçantë, siç ishte rasti i pallateve ‘Hawai’. Aktualisht jemi duke bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për legalizimin e pallateve pa leje. Aty ku pronar- ët shmangen nga ALUIZNI, do të ndërhyjë Bashkia e Tiranës, duke u bërë presion dhe anasjelltas. Ky presion i dyanshëm do t’i detyrojë këto biznese që të mbarojnë punë me legalizimin”.

BULEVARDI I RI “Bulevardi është një nga këto rastet e trashëguara. Bulevardi i ri është një projekt që dihet prej 80 vjetësh. Jo më kot pjesa më e madhe e tij nuk është zënë. Është një nga rastet që do të trajtohet si familjet në Unazën e Madhe të Tiranës. Deri më sot ne nuk kemi operuar me legalizime aty, sepse jemi të vetëdijshëm që ka një projekt të miratuar”.

CILËSIA E SHËRBIMIT “Shërbimet që ofron ALUIZNI janë shtuar shumë. Një pjesë e mirë e qytetarëve që paraqiten pranë zyrave e kanë marrë një herë përgjigjen por paraqiten sërish për të parë se mos ka ndryshuar gjë. Sigurisht që kjo kërkon shtim të sporteleve, por edhe kjo nuk mund të bëhet pa limit. Ne kemi operuar disa herë, duke hapur sportele të reja të përkohshme në terren. Aktualisht jemi duke parë mundësinë për hapjen e tri drejtorive të mëdha, për t’i ndarë në funksion të kësaj situate. Por jemi akoma në projektim”.

UNIFIKOHET HARTA “Përplasja e institucioneve vinte nga ishullimi i tyre. Sot që e njohim procesin nga brenda në të gjitha këto institucione, duhet të kemi një sistem unik të hartografisë, të bashkimit hartografik të vetë institucioneve. Në këtë pikë po arrijmë të krijojmë me ZRPP një sistem unik hartografie, që ka për bazë pjesërisht hipoteka dhe një pjesë të madhe të punës në terren që ka bërë ALUIZNI”.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura