Kategoritë që përfitojnë nga ulja e taksës për rivlerësimin e shtëpive

Jul 26, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Nga 1 shtatori nis rivlerësimi i apartamenteve. Qytetarët do të kenë afat deri më 28 shkurt që të rivlerësojnë apartamentet me ulje takse.

Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera
Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, në intervistën dhënë gazetës flet për përfitimet që do të kenë qytetarët nga ulja e tatimfitimit në 2 për qind për taksimin e diferencës së vlerës së mëparshme dhe asaj të tregut. Lera tha se ligji i rivlerësimit fillimisht paraqet vlerën reale të pasurisë dhe kur ajo shitet, tatimfitimi që paguhet nuk do të jetë 15%, por 2%.

Për kategorinë e biznesit gjatë amnistisë, taksa e transferimit të pasurisë do të jetë 3 për qind, ku sipas Lerës dalja në treg e pasurisë me vlerë reale do të shërbejë për kolateral kredie.

Çfarë sjell ligji i rivlerësimit të pasurive së paluajtshme apo ulja e tatimfitimit, në rast të shitjes së shtëpive?

Ministria e Financave paraqiti ligjin për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, që do të thotë se çdo qytetar apo sipërmarrës ka të drejtë që pasuritë e tij të paluajtshme, ndërtesa dhe truall, t’i rivlerë- sojë me vlerën e tregut.

Janë përcaktuar edhe mënyrat e rivlerësimit të pasurisë, duke përdorur ekspertët e autorizuar të fushës përkatëse që do të përcaktojnë vlerën e tregut të objektit.

Mënyra e dytë është që, nëse vetë i interesuari që do të rivlerësojë pasurinë nuk preferon ta bëjë nëpërmjet një eksperti, mund të autorizojë zyrën e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme, që bazuar në të dhënat për çmimin e tregut të tipit të godinës që ai do të rivlerësojë të bëjë rivlerësimin. Një rivlerësim i tillë është kryer edhe në vitin 2011 dhe pati efekte pozitive.

Pse e bën qeveria në këto momente ligjin për vlerë- simin e shtëpive?

Projekti është lançuar në radhë të parë që t’u japim mundësi qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pasuritë bazuar në vlerën e tregut. Po ashtu, kjo i shërben një qëllimi të rëndësishëm, siç është ajo e daljes në treg me vlerat reale të pasurive të tyre, të themi për kolateral në marrjen e kredisë, apo për qëllime të tjera tregtare.

Nga ana tjetër, ligji i vjen në ndihmë edhe shitblerjes së tregut të banesave. Në vitin 2011, kur u implementua për herë të parë një masë e tillë, pati një numër të lartë të qytetarëve që bënë rivlerësimin e pasurisë së tyre. Imagjinoni, pasuria e regjistruar para 50, 20 apo 10 vjetësh ishte me vlera shumë të vogla, ndërkohë që vlera e tyre sipas tregut ishte 10-fishuar apo 100-fishuar. Të gjithë patën mundësi ta paraqesin pasurinë e tyre me vlerën reale dhe të kërkojnë kredi, duke vendosur kolateral një godinë që ka një vlerë të caktuar apo për qëllime të tjera tregtare.

Njëkohësisht, kjo i shërbeu edhe tregut të shitblerjes së banesave sepse qytetarët në rastin e kësaj amnistie kanë qenë të nxitur për të bërë rivlerësimin, pasi paguanin më pak tatim mbi fitim nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Një pjesë e qytetarëve nuk e kuptuan në vitet 2011- 2012 të mirën që sjell ky rivlerësim.

Këtë vit ne kemi pasur shumë kërkesa si nga qytetarët, edhe grupet e interesit për të lançuar përsëri një masë të tillë. Nëse dikush sot ka një pasuri që nuk e ka rivlerësuar, të blerë apo të ndërtuar vetë, ka mundësi që ta rivlerësojë. Së pari, të paraqesë vlerën reale të pasurisë të tij dhe nëse mendon që ta transferojë pronësinë e tij, pra ta shesë, ai do të ketë edhe lehtësira fiskale.

Pse do të ketë lehtësira fiskale, mund të sillni një shembull të përfitimit që ka një qytetar?

Nëse unë sot kam një shtëpi të regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive së Paluajtshme me vlerën kur ajo është ndërtuar, le të marrim si shembull 1 milion lekë. Në rast se unë do ta shes sot këtë shtëpi dhe vlera e tregut e kësaj shtëpie është 10 milionë lekë, atëherë unë duhet të paguaj tatimin për fitimin tim kapital, që është 10 milionë – 1 milion = 9 milionë lekë.

Në vlerën që është sot tatimi 15 për qind për këtë fitim, qytetari i paguan shtetit detyrim 1 milion e 350 mijë lekë. Në rast se unë shfrytëzoj ligjin për rivlerësimin e pasurive, për atë pasuri që është e regjistruar me 1 milion lekë. Sipas shembullit, godina do të vlerësohet e regjistruar me vlerë 10 milionë lekë, nga ku do të paguhet 2 për qind tatimfitim nga diferenca e vlerësimit të çmimit. Pra, një qytetar sot do të paguajë tatimfitimin për diferencën e rivlerësimit, 10 milionë-1 milionë = 9 milionë x 2% baras me 180 mijë lekë. Fitimi i qytetarëve është 1 milion e 170 mijë lekë.

Nëse këtë godinë unë do ta shes pas 1 muaji 10 milionë lekë e 500 mijë lekë – 10 milionë lekë që është vlera e regjistruar e saj, fitimi kapital në këtë rast del zero, apo shumë minimale. Kjo është ajo për të cilën kanë interes qytetarët. Të njëjtën formulë kemi zbatuar për biznesin, por pagesa që do të bëhet për rivlerësimin e banesave do të jetë 3 për qind.

Rivlerësimi i pasurive u vjen në ndihmë të gjithë qytetarëve për të përafruar vlerën e pasurive të tyre me vlerën e tregut, por njëkohësisht për të ulur dhe pagesën e detyrimit tatimor në rast se ai do ta shesë këtë pasuri.

Çfarë dokumentacioni duhet të plotësojnë qytetarët për rivlerësimin e pallateve?

Dokumentacioni është i thjeshtë, nuk paraqet vështirë- si në plotësimin e tij. Fillimisht, një qytetar që kërkon të bëjë rivlerësimin e pasurisë, i drejtohet një eksperti të licencuar për rivlerësimin dhe dokumentacioni depozitohet në zyrën e pasurive të paluajtshme, e cila bën veprimet përkatëse dhe llogaritjet e tatimit prej 2 për qind që do të paguash.

Mënyra e dytë është që qytetari të autorizojë zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që bazuar në çmimet e tregut që ajo disponon për godinën, të bëjë llogaritjet përkatëse dhe të rrisë vlerën e godinës. Pra, procedura nuk është aspak burokratike dhe e papërballueshme nga publiku, aq më tepër që me mijëra qytetarë e kanë kryer këtë procedurë në vitin 2011 dhe 2012.

Janë llogaritur sa do të jenë efektet nga ulja e taksës, po efektet e formalizimit të tregut?

Në fakt nuk është e mundur që të llogariten të sakta efektet që do të kenë në buxhet, pasi nuk dihet fluksi i qytetarëve që do të realizojnë këtë rivlerësim. Por nisur nga shifrat e vitit 2015, vlera e transaksioneve të realizuara për shitjen e pasurive ka qenë 16.3 miliardë lekë, duke llogaritur këtu 15 për qind taksën e kalimit të pronësisë buxhetit të shtetit i kalojnë 2.4 miliardë lekë të ardhura.

Nëse do të jetë i njëjti fluks transferimi pronësie dhe me ligjin e ri do të zbatohet tarifa prej 2 për qind, qytetarët nuk do të paguajnë 2.4 miliardë lekë detyrime, por do të paguajnë 340 milionë lekë. Ne shpresojmë që interesi i qytetarëve të jetë më i lartë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të shesin pasuritë e tyre të paluajtshme, do të kishin më përfitim të bënin fillimisht rivlerësimin e pasurisë dhe më pas të bënin shitjen e pronësisë.

Pra, duke nisur nga përfitimi, vetë ligji do të nxisë që niveli i transaksioneve që mbahet pezull. Pra, atë që buxheti i shtetit që do ta humbasë nga tarifa, do ta fitojë nëpërmjet numrit të shitjes.

SA PËRFITOHET NGA AMNISTIA

Nëse një person shet një apartament, duhet të paguajë tatimfitimi në masën 15% të fitimit të realizuar. Fitimi del nga diferenca mes çmimit të blerjes së apartamentit dhe atij të shitjes. Kjo diferencë tatohet me 15%. Kështu, në rast se një person ka blerë një apartament 60 mijë euro dhe e shet atë 70 mijë euro, do të fitojë 10 mijë euro.

Nga ky fitim, do të paguajë 15% ose 1500 euro tatim. Nga amnistia e re, përfituesit më të mëdhenj janë ata që kanë deklaruar çmime blerjeje minimale dhe të gjithë ata që kanë shtëpi të ndërtuara para vitit 1992. Apartamentet e viteve të komunizmit janë blerë me çmime të ulëta gjatë privatizimeve të viteve 1990. Kështu, një apartament në qendër të Tiranës, me sipërfaqe 100 metra katrorë, është privatizuar me një çmim prej 30 mijë lekësh.

Në rast se pronari i tij do të kërkojë ta shesë atë sot, atëherë çmimi minimal fiskal është të paktën 100 mijë lekë/m². Dhe i gjithë apartamenti 10 milionë lekë. Në fakt, vlera prej 30 mijë lekësh e privatizimit është indeksuar me kalimin e viteve dhe sot ai llogaritet diku te 1.5 milionë lekë. Kështu, diferenca, fitimi në rast shitjeje, do të ishte 8.5 milionë lekë. Vlera e tatimfitimit prej 15% do të ishte 1.275.000. Kjo është shuma që do të paguajë çdo qytetar që shet një apartament të vjetër në qendër të Tiranës.

Me amnistinë e miratuar dje, tatimi nga 15% bëhet 2%. Në rast se bën rivlerësimin e apartamentit, sipas amnistisë, qytetari do të paguajë vetëm 170 mijë lekë dhe vlera e apartamentit të tij në Hipotekë do të shënohej 10 milionë lekë. Kjo do të bënte që në rast shitjeje të shtëpisë në një kohë më të vonë, praktikisht të shmangë tatimin mbi fitimin dhe të fitojë minimalisht 1.105.000 lekë.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura