Kategoritë që nuk përfitojnë nga ligji i faljes

Jul 20, 2016 | 14:35
SHPËRNDAJE

Bizneset që kanë fshehur të ardhurat dhe janë dënuar për evazion apo kontrabandë, nuk do të përfitojnë nga amnistia. Drejtori i Përgjithshëm i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, tha se bizneset e dënuara për fshehje tatimesh nuk janë subjekt i ligjit.

edi-rama-mbledhje-qeverie

”Ato biznese që janë dënuar për evazion tatimor, apo janë në proces gjykimi për evazion tatimor. Pra, për të gjitha rastet kur kemi të bëjmë me fshehje të të ardhurave, pra, fshehje tatimesh nuk janë subjekt i ligjit të faljes”, tha Lera.

Në nenin 4 të draftit të amnistisë përcaktohen subjektet që nuk përfitojnë nga falja, të cilët janë ata tatimpagues që janë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për fshehje të ardhurash dhe evazion tatimor, doganor ose kontrabandë.

Drafti i amnistisë përjashton edhe gjobat që nuk aplikohen mbi një lloj tatimi apo takse të papaguar, të cilat janë dënime për kundravajtje tatimore. Sipas draftit të Ministrisë së Financave, nga falja do të përfitojnë vetëm ato gjoba të cilat janë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri më 31 korrik 2016.

“Për sa i përket dënimeve administrative, gjobat që nuk aplikohen mbi një lloj tatimi, kontributi apo takse të papaguar, të cilat janë dënime për kundravajtje administrative tatimore sipas kreut XIV të ligjit nr. 9920 datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërië”, i ndryshuar si dënime pa tatim, ose dënime të aplikuara sipas ligjeve të veçanta tatimore, që i përkasin periudhave tatimore duke filluar nga janari 2012, përfitojnë nga falja vetëm në rast se janë të evidentuara ose regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit deri me datë 31 Korrik 2016.

Këto gjoba janë ato lloj dënimesh të cilat janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr 33, datë 08.06.2016 si të papajtueshme me Kushtetutën”, shpjegohet në relacionin e draftit. Ministria e Financave shpjegon në relacion se të tatimpaguesit që përfitojnë nga falja për detyrimet tatimore, duhet që këto detyrime të jenë të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kjo kupton se nëse tatimpaguesit i kanë paguar detyrimet nuk përfitojnë nga falja dhe detyrimet tatimore ose doganore të paguara nuk kthehen.

Sipas relacionit të projektligjit ky parashikim e shtrin efektin edhe për rastet kur tatimpaguesit kanë paguar detyrimet si kusht për ushtrimin e së drejtës për të apeluar, përveç se kur është vendosur garanci. Ligji parashikon si afat të përftimit të amnistisë me kushte deri më 31 mars të 2017. Vetëm në 5 vitet e fundit janë miratuar 3 ligje që kanë falur detyrime tatimore, doganore, kontribute dhe gjoba. Shpesh efektet e këtyre faljeve nuk janë pasqyruar në regjistrat e tatimpaguesve dhe borxhet nuk janë fshirë nga sistemet tatimore doganore duke mos arritur objektivat e pritshme të këtyre ligjeve.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura