Kategoria e Dytë/ Ada turpëron Partizanin B, fiton pa portier

Nov 13, 2017 | 11:37
SHPËRNDAJE

Partizani B shtanget nga Ada. Të kuqtë janë mundur dje në Yrshek nga Ada me rezultatin 3-2. Një takim spektakolare, ku miqtë e kanë shënuar golin e fitores në minutën e gjashtë shtesë. Duhet të vinte minuta e 16-të, kur gjyqtari Silvio Dyrmyshi akordon një penallti për ekipin kryeqytetas dhe atë e kthen në gol Nuri.

Ada Velipoje

Pas zhbllokimit të rezultatit, vendësit nisën të qarkullonin më shumë topin, por pa arritur të rrezikojnë portën mike. Miqtë aplikojnë kundërsulmin dhe arrijnë të barazojnë në minutën e 40-të me anë të Mesit. Pjesa e dytë nis me një zëvendësim për Partizanin që kërkon golin e avantazhit. Por, janë miqtë ata që surprizojnë. Në të 53-ën është shtatlarti Dibra që finalizon saktë kundërsulmin e radhës për miqtë dhe kalon Adën në avantazh.

Partizani B

Partizani mundohet të kryejë sulme të njëpasnjëshme, por pa ndryshuar rezultatin e ndeshjes. Duhet të vinte minuta e 83-të që Çelaj të arrinte të barazonte rezultatin pasi gjendet i vetëm me portierin mik Marku. Ky i fundit, pak minuta më vonë dëmtohet në një dyluftim me një nga sulmuesit e Partizanit dhe ekipi mik detyrohet të luajë për më shumë se 10 minuta me 10 lojtarë pasi i kishin kryer zëvendësimet. Në portë është futur mesfushori energjik Myftija që tregon reflekse të mira. Në minutën e gjashtë shtesë, miqtë fitojnë një penallti që e kthen në gol “portieri” Myftija. /Rajkard Aliko/

SOPOTI – VORA 0-2

Vora rikthehet në krye, Sopoti nuk reziston

Vora nuk gabon përballë Sopotit teksa fiton në shifrat 2-0 me golat e Shkëmbit dhe Mziut në pjesën e dytë dhe ngjitet sërish në krye të grupit. Përpos shifrave, nuk ka qenë një fitore e lehtë, pasi Sopoti u mbrojt mirë dhe për pak u rrëmbeu një pikë kryesuesve. Ka qenë një ndeshje e karakterizuar nga lufta e ashpër sportive dhe për minuta të tëra nuk u vunë re diferencat e pikëve te skuadrat në fushë.

Sopoti Vora

NDESHJA – Përballja midis kryesuesve të Vorës dhe Sopotit do të niste e fortë dhe me dyluftime kryesisht në mesin e fushës. Me kalimin e minutave fillojnë të krijohen edhe rastet e para në portat respektive, por herë për meritë të portierëve dhe herë prej gabimeve të sulmuesve, portat mbeten të paprekura. Loja bëhet e ashpër dhe nuk mungon as tensioni në fushë, pasi me sa duket librazhdasit dalin një “kockë e fortë” përballë kryesuesve.

Gjithsesi, dominimi i lehtë i ekipit të Vorës nuk konkretizohet me gol dhe pjesa e parë mbyllet në shifrat e bardha 0-0. Edhe e dyta nis ashtu si e para sa i përket lojës, por me sa duket pushimi u ka bërë mirë kryesuesve. Fillimisht në të 64-ën Shkëmbi kalibron një goditje në kufijtë e zonës së rreptësisë duke e dërguar sferën mbi portierin. 1-0 dhe Vora merr frymë lirisht. Në të 72-ën një veprim akrobatik në zonë nga ana e Mziut dyfishon shifrat për Vorën duke hipotekuar në këtë mënyrë edhe fitoren. /Vladimir Mema/

KLOSI-KUKËSI B 2-1

Klosi “tregon dhëmbët”, Kukësi B në tapet

Ekipi i Klosit ka arritur një tjetër fitore këtë të shtunë në stadiumin “Liri Ballabani”. Klosianët mundën me rezultatin 2-1 ekipin Kukësi B falë dy golave të shënuar në secilën pjesë. Një takim ku Klosi ka bërë një paraqitje shumë të mirë, në një kohë që kuksianët ishin në një ditë të keqe. Ata shënuan vetëm golin e nderit në shtesë.

Klosi - Kukesi

NDESHJA – Ka qenë Farruku, i cili ka kaluar të tijtë në avantazh në minutën e 22-të. Miqtë nuk arrijnë të finalizojnë asnjë aksion të nisur ndaj portës së Lleshajt. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e matjanëve, të cilët edhe pjesën e dytë e nisin me ofensivë. Vetëm në minutën e 70-të, matjanët arrijnë të finalizojnë aksionin e dytë, kur Salaj gjuan drejt portës së Bashës, ky i fundit nuk arrin të zotërojë topin e më pas është sërish Salaj që e dërgon në rrjetë.

Dy rastet e tjera të Qëndros dhe Salajt nuk arritën që ta thellonin avantazhin. Në minutën e parë të shtesës miqtë shfrytëzojnë një gabim të mbrojtjes klosiane dhe mesfushori Gjuta ngushton rezultatin. Por, koha nuk është e mjaftueshme për më shumë, pasi gjyqtari kryesor Marlekaj sinjalizon përfundimin e lojës. Me tri pikët e javës së shtatë Klosi shkon në kuotën e 10 pikëve. Klosi po kap formën e vet më të mirë nga java në javë, ndërsa lojtarët kanë nisur të ambientohen me Kategorinë e Dytë. Nga ana tjetër, Kukësi B është në një krizë rezultatesh. /Dritan Kurti/

GRAMSHI-KEVITANI 1-0

“Hakmarrja” e munguar e Kevitanit në Gramsh

Gramshi ka arritur një fitore të vlefshme kundër ekipit të Kevitanit me rezultatin e ngushtë 1-0. Miqtë nga kryeqyteti nuk kanë arritur të “hakmerren” për atë ndeshje të dy sezoneve më parë, ku në Gramsh ishin pikërisht vendësit që i prishën ëndrrën duke i mundur dhe duke i hequr Kevitanit mundësinë të ngjitej në Kategorinë e Parë.

Gramshi - Kevitan

Një ndeshje ku pati një sherr masiv mes lojtarëve dhe pjesëtarëve të stafit në një kohë që më pas u hodhën akuza të rënda për korrupsion. Megjithatë, Kevitani që është shumë larg ekipit të dy sezoneve më parë, dje është mundur 1- 0, ku vendësit e shënuan golin e vetëm me penallti në pjesën e dytë.

NDESHJA – Loja ka nisur mjaft e qetë nga të dyja ekipet, ku gramshiotët e kanë kërkuar që në minutat e para avantazhin. Pjesa e parë nuk sjell edhe shumë raste, megjithëse vendësit e kërkojnë me ngulm zhbllokimin e rezultatit, por ajo mbyllet me rrjeta të paprekura. Ndërsa pjesa e dytë do të sjellë në vëmendjen e publikut një tjetër ritëm loje.

Pas një gabimi, mbrojtësi i ekipit të Kevitan shkakton një penallti në minutën 65-të, kur goli kthehet në gol nga kapiteni shtatlartë, Koçi. Nuk kanë të mbaruar gafat nga ana e miqve, të cilët mbeten me 10 lojtarë në minutën 73- të pas kartonit të dytë të verdhë të Kokës. Me këtë rezultat mbyllet edhe ky takim./Skerdilajd Murati/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura