Kate Winslet, braktisja e New Yorkut dhe jeta e re pas divorcit

Sep 24, 2012 | 14:06
SHPËRNDAJE

Një piano, divane kilometrikë bezhë që qarkojnë dhomën, hapësira të qelqta, të mëdha si liqeni i Gjenevës, puse drite nga vërshojnë rrezet e një dielli në zenit, një tarracë e madhe që sheh nga një varrezë e braktisur dhe një natyrë e pasur. Prej së largu, Londra, nga e cila prej së largu shquhet Syri i famshëm.
Këmbëzbathur me pantallona lëkure krem, me një triko kashmiri, Kate Winslet, e qeshur si një shaka angleze dhe me hapat si të një lundërtari që kthehet në port pas një udhëtimi të gjatë. “Gati e kisha harruar se këtu jam në shtëpinë time, që jam një angleze që pi çaj në orën 5:00 dhe lexoj Agatha Christien në një qoshe, pranë zjarrit… Dhe ja, si Odiseja, jam kthyer në shtëpi bashkë me dy fëmijët e mi, Mia Honey dhe Joe Alfie… E lashë New Yorkun. Mund të filloj një jetë të re tani që e kam tejkaluar melankolinë dhe trishtimin”. Në vitin 2010 ajo u nda nga i shoqi, Sam Mendes, babai i djalit të saj, me të cilin kishte punuar në filmin e katërt, “Revolutionary Road” në vitin 2008.
Ëndërrimtare, Kate sheh varret me tulla të kuqe nga dalin kryqe të kafshuara nga dredhëzat: “E dinit që Karl Marks është varrosur atje? Jam befasuar. Imagjinoni, ai burrë që ka trazuar gjithë botën, është atje, krejt i vetëm, nën ato barëra të këqija…”. Ç’kërkon atëherë në kullotat e gjelbra të fëmijërisë së saj, një prej yjeve më të shndritshëm të Holliwood-it,- imazhi sublim i Lancôme, fituese e çmimit “Oscar” në vitin 2009 për interpretimin e rolit të Hanna Schmitz tek “The Reader”, i Stephen Daldry, pas 5 nominimesh – më e paparashikuara dhe pa dyshim më e talentuara e brezit të saj?
Një aktore e angazhuar
“Një sfidë e re, pa dyshim”, pranon ajo e qeshur dhe e qetë. “Jam duke ngritur një fondacion, “Golden hat” (“Kapela e artë”), për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve me autizëm. Është kryqëzata e jetës sime të re. U ndërgjegjësova për tmerrin e kësaj sëmundjeje, teksa takova Margaretën, mamanë e Kelit, një djalë i ri artist. Ajo erdhi të realizonte një dokumentar ku të tregonte udhëtimin e një nëne përballë këtij ferri dhe më kërkoi të lexoja komentet. Prej asaj dite unë nuk e kam lënë më kurrë dorën e kësaj gruaje dhe të djalit të saj”.
Paralelisht, Kate, e cila mbush 37 vjeç në tetor, kthehet në kinema: një film me Josh Brolin (Labor Day), një projekt me bashkëkombësin e saj, Kenneth Branagh. Në këtë atmosferë gotike dhe të mugët, miss Winslet natyrisht zgjodhi një uniformë të zezë, në kontrast të plotë me flokët e saj biondë dhe zbehtësinë e fytyrës. Duke luajtur me hijet, reflektimet dhe dualitetin e vendit, ajo shndërrohet para syve tanë në një heroinë hiçkokiane
Home, sweet home
“E dua Londrën, parqet e saj, kopshtet angleze. Besoj se kjo më jep dëshirën për të besuar. Të jetosh në fshat, në mes të këtyre pemëve të vjetra shekullore, më mbush, më qetëson dhe më bën që të ndiej bukurinë e botës. Mbi të gjitha dua shiun, shiun në gusht. Marr biçikletën time, u drejtoj fytyrën rrëkeve dhe ndihem e gjallë. Është më mirë se çdo trajtim tjetër. Çdo herë që vij në Angli, them duke dalë nga aeroporti: sikur të binte shi! Dhe, oh Zot, bie shi gjithmonë. Nuk jam zhgënjyer kurrë”.
Një grua e lirë
“Pastaj, jeta në Angli është shumë më e thjeshtë se ajo që bëja në New York, sidomos me fëmijët. Dimri në New York është një tmerr i vërtetë. Duhet gjithmonë të mendosh më të keqen. Rënien e dëborës, temperaturat polare. Duhet gjithmonë të bësh parashikime, të mbulohesh dhe në mbrëmje të përgatitësh dorashkat, kapuçin, shallin, të sigurohesh që makina të marrë mirë që të mos shkosh me vonesë në shkollë. Në verë mbytesh, të bie të fikët nga vapa, nuk di ku të futesh. Londra, në një farë mënyre, me klimën e saj të ofron një lloj lirie. Për shembull të çosh fëmijët në shkollë me pizhame, pa ngrirë së ftohti.
Zija e së shkuarës
“Sa i përket divorcit tim, i kam kaluar pengesat dhe jam krenare. Sapo të keni kaluar vështirësitë, pasi keni mbajtur zi për të shkuarën, pasi keni arritur të ngriheni në këmbë, vjen forca, vullneti dhe qetësia. Sot ndihem mirë, e sigurt. Vazhdimisht zbuloj se sa e madhe është bota dhe sa shumë gjëra ka universi për të zbuluar. Kam zbuluar se në jetë nuk ka vetëm Hollywood. Ju siguroj se kjo ndjesi është një çlirim.

Të rëndësishme
Çfarë dua
Fëmijët e mi
Kinemanë
Leonardo
(DiCaprio)
Të punoj kopshtin

Çfarë nuk më pëlqen
Aroma e supës
Kërmijtë
Narcizmin
Njerëzit me humor të keq

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura