Kate Middleton, skandalet e saj dhe të së motrës, Pippës

Oct 1, 2012 | 15:09
SHPËRNDAJE

Perveç skandalit për fotot e saj topless, dukesha Catherine është e shqetësuar sepse e motra, Pippa, nuk po di të ndalet duke u kthyer në një “vajzë mbrëmjesh” në New York.
Që kur është bërë dukesha e Kembrixhit, Kate Midelton, ose më mirë Catherine, ashtu siç të imponon ta quash tashmë etika, e di mirë se ka mbi vete sytë e gjithë botës dhe se nuk mund t’i lejojë vetes asnjë hap të gabuar. Dhe këto kohët e fundit dy ngjarje të rëndësishme po vënë në provë të fortë brumin e saj prej “mbretëreshe të ardhshme”. I pari është skandali lidhur me publikimin e fotografive që e nxjerrin topless në të përjavshmen franceze “Closer”. Një ndërhyrje e dhunshme në jetën private të Kate dhe William, ndërsa të dy po kalonin disa ditë të qeta në kështjellën D’Autet në Provenza. Imazhet janë “vjedhur” falë një objektivi veçanërisht të fuqishëm, duke qenë se mes murit të kështjellës dhe vendit ku qëndronte çifti janë rreth 900 metra. Megjithatë, dukët e Kembrixhit po reagojnë fort, po tentojnë që të mos e lënë këtë incident të pakëndshëm që t’u turbullojë jetën dhe vizitën e tyre në Orinet, të organizuar për mbretëreshën Elisabeta II. Zëri për shtyp i princit William ka deklaruar për “Sunday Mirror” se: “Dukët janë të vendosur të bëjnë të mundur që ky episod të mos ndikojë në udhëtimin e tyre institucional në Orient. Çifti është i vendosur të mbrojë deri në fund të drejtën e tyre për privatësi. Është një vendim i mbështetur nga princi William dhe vëllai i tij, Harry. Nuk kemi asgjë kundër faktit që shtypi apo mediat e tjera të çojnë deri në fund punën e tyre, por çështja e paparacëve është ndryshe, sepse flitet për dhunim të jetës private”. William dhe e shoqja do të marrin masa ligjore, duke bërë gjithçka që ligji të vendosë drejtësi. Por, ndërkohë, Catherine ka edhe shqetësime të tjera lidhur me sjelljen e motrës së saj, Pippa Midelton. Vajza së fundmi gjendet në New York, ku nuk lë rast pa frekuentuar të gjitha festat që i propozohen. Mbrëmje që më pas tregohen me detaje nga mediat e që tregojnë flirtimet e saj me shoqërues të ndryshëm, mes të cilëve Andre Balaz, pronar i disa hoteleve amerikane e të tjerë. Dukesha nuk ka mundur të mos i tërheqë vëmendjen së motrës për sjelljet e saj. Por, shqetësimi kryesor për të është që Mbretëreshës t’ia tërheqin vëmendjen të gjitha këto dhe të mos jetë dakord me stilin e jetesës së Pippës. Edhe kjo, po aq sa çështja e fotografive, po e nervozon së tepërmi dukeshën. Por, për ta qetësuar, po mendon i shoqi, që duket se është mësuar nga sjellje të ngjashme prej vëllait të tij, Harry.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura