Katastrofat mund të menaxhohen vetëm nga institucionet

Dec 4, 2019 | 11:00
SHPËRNDAJE

SHEREFEDIN SHEHU sHEREFEDIN-sHEHU

Humbjet e mëdha të jetëve njerëzore dhe dëmet materiale kolosale nga tërmeti i 26 nëntorit të këtij viti, tregojnë se vendi ynë është në gjendje katastrofe. “Rrumpalla” e menaxhimit të deritanishëm të saj tregon se efektet e një katastrofe nuk përballohen me “llogje”, shaka pa kripë, presione dhe shtabe propagande. Menaxhimi i përgjegjshëm i saj do të lehtësonte shpirtrat e atyre që humbën jetën dhe do t’u jepte shpresë atyre që mbijetuan. Eksperiencat e këqija në menaxhimin e katastrofave tregojnë se ato janë pasuar nga kriza humanitare, sociale dhe politike.

Vlerësimet paraprake tregojnë se nevojat janë në përmasa të papërballueshme edhe nga vende të pasura dhe të qeverisura mirë. Në kushtet e Shqipërisë, me një qeveri të paaftë, tregues korrupsioni të lartë dhe tregues besimi të ulët nuk mund të pritet ndonjë mbështetje financiare e qenësishme nga bizneset dhe partnerët e tjerë vendës dhe të huaj. Ndërkohë, qeveria ka treguar edhe mungesë vullneti, duke mos miratuar asnjë lek nga buxheti i shtetit për përballimin e katastrofës. Në të kundërt, ajo është angazhuar në gjetjen e fajtorëve jashtë vetes, ankesat kundër “gojëve të liga”, “lypjen” e parave dhe refuzimin e ndihmave në mallra dhe forma të tjera. Kështu, edhe thirrjet e saj për “unitet” dhe “bashkëpunim” nuk kanë dhënë rezultat, mbasi ato janë parë si “ndërrim i qimes (mjekrës) dhe jo i mendjes” nga z. Rama, për shkak të arrogancës, fudullëkut dhe mospërfilljes të demonstruara edhe në këto ditë të vështira për vendin.

Eksperiencat më të mira tregojnë se menaxhimi i katastrofave duhet të bazohet në strategji, sisteme dhe struktura përgjegjëse të ngritura me ligj. Zgjidhja e përhershme për përballimin e këtij rreziku janë fondet e sigurimit për rrezikun e katastrofave. Meqenëse kostoja e këtij rreziku është e lartë, fondet e sigurimit përgjithësisht krijohen nga qeveritë dhe më pas shiten kuota edhe te shoqëritë private të sigurimeve. Institucionet ndërkombëtare rekomandojnë krijimin e fondeve mbi baza rajonale me aksionerë shtetet e rajonit. Një përpjekje e tillë është bërë nga Banka Botërore dhe tani është momenti për të rikonsideruar këtë iniciativë për rajonin e Ballkanit. Përfshirja e qeverive në momentin e fatkeqësive prodhon zgjidhje gjysmake, që orientohen më shumë nga qëllime propagandistike dhe populiste. I tillë ishte edhe vendimi i qeverisë pas tërmetit të shtatorit për sigurimin e apartamenteve të shitura nga ndërtuesit.

Në mungesë të këtyre mekanizmave për identifikimin, vlerësimin dhe financimin e dëmeve nga katastrofat, qeveria duhet të ndërpresë urgjentisht propagandën e lodhshme dhe teatrot e shëmtuara me të mbijetuarit që hyjnë në “apartamentin e Partisë/ Bashkisë”. Propaganda e deritanishme duhet të zëvendësohet nga një strukturë institucionale, që u jep garanci të dëmtuarve për dhënien e një banese dhe një jete normale deri në marrjen e saj.

Një zgjidhja e bazuar në kuadrin ligjor në fuqi që u jep garanci të dëmtuarve dhe ofron më shumë mundësi për mobilizimin e burimeve financiare nga palët e treta, është krijimi me një ligj të veçantë i një fondi special buxhetor sipas kërkesave të ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor. Burimi i parë dhe kryesor i këtij fondi duhet të jetë financimi nga buxheti i shtetit, sepse të dëmtuarve u jepet një garanci ligjore dhe qeveria tregon vullnet real për financimin e pasojave të katastrofës. Përgjegjësia e këtij fondi do të jetë menaxhimi dhe financimi i procesit të tranzicionit (që sot është një “rrumpallë”) deri në transferimin e të drejtës së pronësisë së banesave te familjet që rezultojnë të pastreha nga katastrofa. Fondi do të menaxhohet nga një këshill mbikëqyrës (që mund të drejtohet dhe dominohet nga përfaqësues të opozitës) dhe një strukturë administrative e miratuar me ligj. Ai do të jetë autoriteti i vetëm edhe për mobilizimin dhe përdorimin e dhurimeve në para dhe në natyrë, dhe të kredive institucionale. Koha e ushtrimit të veprimtarisë nga fondi do të kushtëzohet me përfundimin e misionit të tij.

Me krijimin e fondit special, dhuruesit dhe kreditorët institucionalë kanë një mekanizëm për kushtëzimin e lëvrimit (disbursimit) të parave të akorduara kundrejt plotësimit të kushteve të përcaktuara në marrëveshjet e dhurimit apo kredisë dhe të situacioneve (faturave) të punimeve të certifikuara më parë prej tyre. Kështu, transparenca dhe llogaridhënia ndaj palëve të treta është më e garantuar dhe sipas rastit, ato mund të imponojnë edhe procedurat e tyre të prokurimit dhe zgjedhin auditues të jashtëm për certifikimin e përdorimit të financimeve të dhëna. Fondi do të administrojë edhe dhurimet në natyrë dhe do të përcaktojë përfituesit e apartamenteve të dhuruara apo ndërtuara nga donatorët, do t’i marrë ato në dorëzim dhe do të transferojë të drejtën e pronësisë te përfituesit.

Fondi është një mundësi më e mirë për rritjen e eficiencës së përdorimit të burimeve financiare. Ai bashkon në një buxhet të vetëm financimet nga buxheti, dhuratat dhe kreditë të cilat do të shpenzohen bazuar në një sistem prokurimi më të kontrolluar. Ndërkohë, për të minimizuar kostot e përdorimit të këtij buxheti, mund të aplikohen dispozitat dhe standardet për banesat sociale. Financimi i katastrofave dhe sidomos marrja e kredive për këtë qëllim, mbartin edhe rreziqe makroekonomike dhe fiskale. Ato duhet të vlerësohen paraprakisht dhe për marrjen e kredive nevojitet ristrukturimi dhe shtyrja detyrimeve të krijuara nga PPP-të.

Fondi special do të rrisë edhe besimin e publikut dhe eviton kaosin e krijuar nga menaxhimi i deritanishëm i katastrofës. Ai do të forconte koordinimin e strukturave për emergjencat civile dhe të kontribuuesve të tjerë në këtë proces. Roli i këtyre strukturave është shumë i rëndësishëm për krijimin dhe zbatimin e një sistemi të besueshëm, që fillon me krijimin e një regjistri elektronik (të mbyllur me çelës) të përfituesve dhe përfundon me transferimin e pronësisë së apartamenteve në emër të tyre.

Kjo zgjidhje mund të realizohet me një Akt-Normativ të miratuar nga Kuvendi dhe për të rritur transparencën dhe besueshmërinë te procesi, mund të merret edhe opinioni i opozitës joparlamentare. Në këtë akt bëhen ndryshimet në ligjin e buxhetit 2019 dhe përcaktohen statusi i fondit, mekanizmat e financimeve buxhetore në vitet pasardhëse, sistemi i vlerësimit të dëmeve, krijimi i bazës së të dhënave elektronike për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve, procesi i hartimit dhe zbatimit të buxhetit të fondit, procedurat e prokurimit, kontraktimit, zbatimit, regjistrimit, raportimit dhe auditimit (të brendshëm dhe të jashtëm) të burimeve të fondit dhe detyrimi për hartimin e një plani operacional të veprimtarisë së fondit me tregues të matshëm për transparencën dhe llogaridhënien administrative dhe publike të menaxhimit të fondit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura