Katastrofa në Drejtësi dhe Vetingu

Aug 22, 2018 | 10:54
SHPËRNDAJE

jorgo-dhramiAV. PROF. AS. DR. JORGO DHRAMI

Është e nevojshme të themi që në fillim se, shkrimi ka të bëjë vetëm për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe jo edhe për Gjykatën dhe Prokurorinë si organe. Brenda kornizave të këtij shkrimi do të mundohem të trajtoj shkaqet më kryesore, që sollën situatën dramatike të katastrofës në drejtësinë shqiptare dhe rikthimin e kësaj të fundit, me anë të vetingut, nën udhëheqjen dhe sigurinë e ndërkombëtarëve, me amerikanin në krye. Por para se të flas për katastrofën gjyqësore përfshirë këtu dhe Prokurorinë, në Shqipëri mendoj se duhen gjetur shkaqet kryesore që e sollën drejtësinë në këtë situatë katastrofike apo e thënë ndryshe, në këtë farë derexheje.

Ndryshimi i sistemit në Shqipëri, nga monist në demokraci, ishte një përmbysje në të gjitha fushat që përbëjnë shtyllat e një shteti, si dhe të vetë shoqërisë njerëzore. Në këtë vështrim, përmbysja ndodhi dhe në sistemin gjyqësor si dhe prokurorinë ndërkohë. Së pari, u krijua legjislacioni përkatës në përshtatje me sistemin demokratik si dhe, në njëllojshmëri me legjislacionin europian e ndërkombëtar të shteteve demokratike perëndimore.

Mirëpo, nëse krijimi i legjislacionit shqiptar u krye në mënyrë korrekte në konformitet me atë perëndimor, ndryshe ndodhi me kuadrin ligjor që do të realizonin zbatimin e drejtë, të saktë, të plotë dhe efektiv të normave ligjore. U ndoq parimi që, në pushtetin gjyqësor dhe atë të prokurorisë, në vend të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të mëparshëm, të vendoseshin kuadro të rinj ose të mbaheshin në punë kuadër i vjetër që sipas tyre, i përshtateshin demokracisë.

Në realizim të këtij misioni, kuadri i ri u përgatit me një kurs rreth tremujor në Plepat e Durrësit, të cilët zëvendësonin kuadrin e larguar nga reforma në drejtësinë e asaj kohe. Duhet thënë se, ky brez gjyqtarësh dhe prokurorësh i nxjerrë nga ky kurs, sado të përkushtuar të ishin në realizimin e ligjit penalo- procedural e civil ndërkohë, objektivisht, në përgjithësi, ishte e pamundur zbatimi korrekt i ligjit prej tyre. Kjo, për faktin se u mungonin njohuritë e nevojshme dhe të plota mbi njohjen e legjislaturës, si shqiptare ashtu dhe asaj ndërkombëtare.

Për rrjedhojë, ishin në pamundësi të realizonin dhënien e drejtësisë, sado përpjekje të bënin ata. Por, kjo padituri e tyre në aspektin juridik, për fat të keq, nuk u kompensua me ndërgjegjen e tyre. Përkundrazi, duke u ndodhur dhe kuptuar se mjaft prej pushtetarëve kryenin korrupsion përditë, menduan se, “deti u bë kos” e për rrjedhojë i ranë me top dhe ata që të pasuroheshin sa më shpejt, duke u bërë miliarderë. Një mendësi e tillë, është pasojë direkte e mosnjohjes së ligjit dhe pasojave që sjell më pas të vepruarit në kundërshtim me të, nga cilido person qoftë Ai.

Nuk përjashtohet mundësia e të menduarit prej tyre se ata nuk do të vendoseshin para ligjit një ditë, pasi mendonin se ishin të imunizuar. Shkak tjetër që solli katastrofën e mësipërme është fakti se gjyqtarët apo prokurorët që nuk u larguan nga detyra e tyre e mëparshme, por u mbajtën në detyrën e tyre ose u ngritën në përgjegjësi, disa prej tyre, nga njëra anë, nuk ishin të kompletuar juridikisht për realizimin e detyrës, kurse nga ana tjetër, kishin mangësi në qenien e tyre si kuadër gjyqtarë apo prokurorë.

Drejtuesit e shtetit të asaj kohe nuk u përqendruan për të rritur kujdesin e marrjes apo caktimit të personave në pushtetin gjyqësor dhe të Prokurorisë, ndërkohë, për pasoj,ë u futën, u vendosën në këto funksione edhe persona që nuk ishin juristë, por të profesioneve të tjera si: mjekë, inxhinierë etj.

Braktisja e profesionit të mëparshëm nga ana e tyre duhej t’iu kishte tërhequr vëmendjen, për të konkluduar mbi psenë e këtij fakti, veprimi të tyre. Këto persona, duke mos qenë juristë, lehtësisht menduan se u erdhi koha dhe rasti për t’u pasuruar, pa menduar se një ditë mund të përgjigjeshin para ligjit. Natyrisht, me të drejtë lind pyetja, po faktori ndërkombëtar a ka përgjegjësi për këtë situatë dramatike? Mendoj se po. Faktori ndërkombëtar u tregua i pakujdesshëm në parashikimin e ardhjes së një mundësie të tillë. Ai u mor më shumë me rrëzimin e atij sistemi, duke menduar se problemet e tjera zgjidheshin pa ndonjë vështirësi.

Por, gaboi. Nuk ka rëndësi nëse kjo e vërtetë pranohet ose jo prej tyre. Në vija të përgjithshme, këto janë shkaqet kryesore që sollën katastrofën në drejtësi dhe në Prokurori, pa përjashtuar këtu përgjegjësinë e madhe dhe direkte të organeve të pushtetit të të dy krahëve të majtë apo të djathtë. Situata e mësipërme kondicionoi nevojën e domosdoshme të VETINGUT, ose e thënë ndryshe, KATARSIN, pasi situata po keqësohej nga njëra kohë në tjetrën, duke kaluar në dramacitet.

Duam apo nuk duam, e vërteta është se në cilindo shtet qoftë, rënia e drejtësisë është elementi i fundit përbërës i shtetit, dhe, kur bie ai, shtetit ka rënë, është shkërmoqur. Një pasojë e tillë është reale ndonëse ajo, vishet me “flori” për të mbuluar këtë të vërtetë. Nevoja për krijimin e shtetit nga shoqëria njerëzore erdhi si rezultat i vendosjes së rregullave dhe zgjedhjen e organeve për të siguruar zbatimin e tyre. Por, çfarë është dhe si duhet kuptuar VETINGU?

Kjo fjalë e vetme e përbërë nga shtatë germa, përfaqëson apo duhet të përfaqësojë një luftë të fortë e titanike kundër personave të veshur me mantelin e gjyqtarit apo të prokurorit, të cilët në kundërshtim me funksionin e tyre ligjor, në mënyrë absolutisht të padrejtë, vënë interesat e tyre vetjake mbi ato të shtetit dhe të shoqërisë njerëzore. Për pasojë, një numër jo i vogël i tyre, në mënyrë antiligjore dhe me korrupsionin e tyre galopant kthehen në miliarderë. Mendoj se ky korrupsion i tyre konsiston në disa forma dhe drejtime. Duke i grupuar ato jo sipas rëndësisë së tyre, por si renditje, mund të përmendim si të tilla:

1. Në fushën penale.

Një dukuri e tillë është shfaqur dhe ka ndodhur në vendosjen para përgjegjësisë penale të personave të caktuar në mënyrë të padrejtë, me qëllim që, nëpërmjet frikës së dënimit të tyre, t’i detyronin ata të paguanin prokurorin, për të shpëtuar nga dënimi penal. Zërat flasin se ky lloj korrupsioni ka shkuar deri atje sa persona të caktuar janë vendosur para faktit se ose duhej të paguante, ndryshe do të kalbej në burg.

Një ndodhi e tillë ndodhte edhe në rastet e cilësimit ligjor të veprës penale të kryer nga personi i marrë në përgjegjësi penale, duke zbutur akuzën ndaj tij. Ndërsa kur çështja i referohej Gjykatës për gjykim, ndryshonte mënyra e të kryerit të korrupsionit. Korrupsioni nuk mund të kryhej dot në mënyrë të vetme pa bashkëpunimin me Gjykatën që do të gjykonte çështjen penale.

Bashkëpunimi mund të realizohej drejtpërdrejt: Prokurori, me Gjykatën ose nëpërmjet të pandehurit apo njerëzve të tij të familjes, përfshirë këtu dhe personin e avokatit të tij mbrojtës. Ky korrupsion, i kryer në fushën penale në mënyrë të vetme nga prokurori apo në bashkëpunim me Gjykatën, jo vetëm ka njollosur rëndë figurën e prokurorit, por, ndërkohë, ka shuar luftën titanike të atij organi ndaj personave që kanë konsumuar një vepër penale, duke krijuar sigurinë e mosdënimit të tyre penalisht.

Në anën tjetër, elementit të prirur për të kryer vepra penale, u ka ngritur dhe shtuar oreksin për të kryer vepra penale, sepse korrupsioni ishte ilaçi për mosdënimin e tyre penalisht. Për rrjedhojë, personat e mësipërm të korruptuar e çuan zbatimin e ligjit nga ana e Prokurorisë, në katastrofë.

Zbatimi i ligjit për Prokurorinë u paralizua. Funksioni i ligjit në fushën e ndjekjes penale nga prokurori arriti në një pikë kritike të tillë, sa shoqëria njerëzore, gati po humbiste besimin ndaj tij. Dhe kjo është fatale.

2. Në fushën gjyqësore.

Gjykata, duke qenë organi i vetëm në dhënien e drejtësisë në vendin tonë, kishte dhe ka hapësira mundësore shumë herë më të mëdha nga prokurori. Për rrjedhojë, asaj, kjo hapësirë, i krijon më tepër avantazhe për korrupsion. Dhe, vetingu i zhvilluar deri tani këtë po tregon. Miliarderë të korruptuar ka më tepër në Gjykatë sesa në Prokurori. Sipas mendimit tim, korrupsioni ka ndodhur në rastet kur:

a. Çështja që do të gjykohej nga trupi gjykues u përkiste palëve: me paditës dhe të paditur shtetasve të ndryshëm për konflikte civile, për çështje pronash ose pronësie në përgjithësi, apo konflikte të tjera të ndryshme. Zërat e përfolur nga humbësit e gjyqit shprehin ankimin se rrëzimi i padisë, në mjaft raste, ka qenë thjesht jo për shkaqe ligjore, por korruptuese. Në raste të tilla, ka mbisunduar parimi: Kush paguan, fiton gjyqin, davanë.

Gjyqtari që ka dhënë një vendim të tillë, mbi këtë bazë, duhet të ndëshkohet penalisht si dhe të largohet nga detyra e gjyqtarit, jo për 15 vjet sa parashikon ligji përkatës, por për tërë jetën e tij, duke iu sekuestruar pasuria në mënyrë ekuivalente. Dëmi që i sillet drejtësisë në raste të tilla, është katastrofal. Mendojmë se gjyqtari në këtë rast duhet të përjashtohet nga e drejta e rikthimit të tij në atë detyrë, për jetë, duke marrë për model vendet e tjera. Kështu, në këto vende, në rast se një gjyqtari brenda 2 vjetëve i prishen tri vendime gjyqësore nga shkallët më të larta gjyqësore, ai është i përjashtuar përjetësisht të mos punojë më në atë organ, pasi i mungon aftësia profesionale.

Ndërsa, te ne, përjashtohet për një afat 15-vjetor, ndonëse ka kryer një krim të shëmtuar. Ndërkohë, ka cenuar rëndë të drejtat themelore të njeriut, si një nga të drejtat më primare të tij.

b. Kur konflikti ekziston midis palëve: Shtetasit dhe shtetit dhe Gjykata e zgjidh në favor të shtetasit, por që vendimi gjyqësor është dhënë sipas parimit të mësipërm. Ndëshkimi për gjyqtarin duhet të jetë si më sipër.

c. Po kështu duhet të ndodhë edhe në rastet kur konflikti midis palëve të parafolura në germën “b”, në realitet, Gjykata ka dhënë një vendim të drejtë, pasi organet përkatëse shtetërore kanë marrë një vendim apo masë të padrejtë e të pabazuar në ligj. Ndonëse vendimi gjyqësor është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe në prova, veprimi i gjyqtarit është korruptues, sepse ai nuk është nisur nga motive për të dhënë drejtësi, por për të përfituar dhe, si i tillë, duhet të ndëshkohet, ndofta në mënyrë të reduktuar në raport me të parët. Por si po zhvillohet Vetingu aq i folur dhe i stërfolur se do të bëjë hatanë e të tjera si këto?

Duhet thënë e vërteta se, deri tani, mbetet zhgënjyes. Po evidentohet mungesa standarde e gjykimit dhe ky, është një model që duhet patjetër të hidhet poshtë sa më shpejt, mbasi, siç thotë shprehja e popullit, në vend që të heqim vetullat, po nxjerrim sytë. Dëmi që mund të vijë nga ky model i padrejtë e në kundërshtim me barazinë ligjore të këtyre personave, mund të sjellë një katastrofë shumë herë më të madhe sesa sot. Komisioneve të vetingut nuk duhet t’iu tërheqë vëmendjen shuma e korruptimit e në varësi të saj të marrin vendimin përkatës, por veprimi i gjyqtarit apo i prokurorit me karakter korruptues, sado e vogël qoftë vlera korruptuese.

Në raste të tilla, nuk duhet të vlerësohet negativisht vetëm shuma e marrë me anë të korrupsionit, por, veprimi i shëmtuar i tij. Dëmi që rezulton nga veprimi korruptiv i gjyqtarit apo i prokurorit, nuk duhet të ketë si bazë masën e korrupsionit në lekë, por njollosjen e figurës së tyre dhe të organit që ata përfaqësojnë dhe që veprojnë në emër të tij.

Një gjykim i tillë joprofesional, është mangësi apo koncept i gabuar profesional i komisioneve që kanë dhënë vendime të tilla apo për shkaqe të tjera. Kjo është serioze. Ndërkombëtarët, do të ishte shumë pozitive ta shikonin veprimin korruptiv të gjyqtarit apo të prokurorit edhe në këtë drejtim, duke mos u mbështetur vetëm te shuma e korruptuar. Vetingu, me sa duket, të lë përshtypjen se po trajtohet mjaft thjeshtë: gjyqtari apo prokurori ka ose jo shuma të hollash të pajustifikuara, dhe, mbi këtë bazë, merret vendimi përkatës.

Duhet thënë se edhe kjo bëhet mbi çka kanë treguar personat e mësipërm në organin përkatës. Për pasojë, kjo pengesë ka kaluar mjaft lehtë nga personat e mësipërm. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kryer korrupsionin dhe përfituar prej tij, nuk janë aq naivë sa të mos kenë marrë masa paraprake për mbulimin e krimit të kryer prej tyre. Ata, edhe në mos kanë qenë fillimisht “specialistë” në këtë drejtim, janë specializuar e kualifikuar më pas.

Është absurditet të mendohet ndryshe. Ndërkohë, deri tani, nuk po shohim trajtime të gjyqtarëve apo të prokurorëve për anën profesionale të tyre, ndonëse është një nga tri kërkesat e vetingut. Të shprehurit në disa raste nga ana e këtyre komisioneve për gjyqtarë apo prokurorë të ndryshëm për anën profesionale të tyre, se janë të aftë profesionalisht, duhet ballafaquar me punën konkrete të tyre.

Nuk janë paraqitur si prova në dëm të tyre, fjala vjen, rastet e pushimit të çështjeve penale nga Prokuroria apo nga Gjykata, ndërkohë kur ato flasin mbi zbatimin e drejtë apo të padrejtë të ligjeve përkatëse. Përkundrazi, po shohim që nga ana e komisioneve po e kalojnë vetingun si ata që japin një vendim pafajësie, po ashtu dhe ata që japin po për këtë vendim, një vendim fajësie me një dënim me burgim të përjetshëm. D.m.th., njëri trup gjykues ka gabuar rëndë.

Po vendimet e Gjykatës së Strasburgut a duhet të merren parasysh për dëmshpërblimet me dhjetëra miliona euro që i vendosen Shqipërisë për vendime gjyqësore të padrejta, të dhëna nga gjyqësori shqiptar, duke përfshirë këtu Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese? Marrja e vendimeve të tilla nga gjyqësori shqiptar ka lidhje direkte me aftësinë apo paaftësinë profesionale të tyre.

Mirëpo kjo, deri tani, nuk po del në pah, ndërkohë kur ka të bëjë me respektimin e të drejtave themelore të njeriut, si dhe tharjen e buxhetit të shtetit. Besojmë dhe shpresojmë që komisionet përkatëse të vetingut, të kryejnë me nder e dinjitet funksionin e ngarkuar nga ligji dhe Parlamenti Shqiptar për të siguruar realizimin e një vetingu sa më të drejtë dhe objektiv. Këto ishin disa nga mendimet e mia që çmova të bëhen publike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura