Katastrofa e vdekjes është fare pranë… dhe jo nga një bombë atomike

Jun 2, 2017 | 10:56
SHPËRNDAJE

Një katastrofë epike kërcënon të “lëshojë” vdekjen dhe shkatërrimin mbi të gjithë botën, por nuk është rreziku, të cilit i frikësohemi shumica prej nesh – jo raketat që mund të lëshojë një autokrat i fryrë koreanoverior.

Screen-Shot-2017-05-31-at-12.19.57

Nëse doni të tmerroheni me të vërtetë, mendoni për sulmin global kibernetik të këtij muaji, si një lloj prove luftash, për llojin e “shuarjes” totale dixhitale që mundet – dhe disa thonë se do të vijë.

Ky moment ka jehona nga 100 vjet më parë. Në vitin 1918, lufta e parë e mekanizuar e botës dukej si gjëja më e keqe që kishte ndodhur ndonjëherë për njerëzimin. Ajo vrau 17 milion njerëz në zonat e luftës. Duke nisur pikërisht teksa po përfundonte Lufta e Parë Botërore, epidemia spanjolle pllakosi kudo rreth planetit, duke vrarë 100 milion njerëz, në çdo qytet, të madh dhe të vogël. Askush nuk ishte i sigurt prej saj, dhe askush nuk e priste.

Një betejë bërthamore që përfshin Korenë e Veriut do të ishte e tmerrshme – ekuivalenti modern i Luftës së Parë Botërore. Megjithatë, një sulm i madh kibernetik që ndërpret tërësisht çdo gjë dixhitale, do ta fuste botën në një kaos, që mund të shënonte fundin e shoqërisë sonë. Nuk mund ta përfytyrojmë atë pasojë, sepse kurrë nuk kemi parë një sulm të tillë. Ish-drejtori i CIA-s Michael Hayden e ka krahasuar atë me paaftësinë tonë për të kuptuar pasojat e një bombe bërthamore, para se një e tillë të hidhej në Japoni. Mendësia jonë rreth luftës kibernetike, tha Hayden, “ngjason me vitin 1945. Është një klasë e re armatimi, e papërdorur ndonjëherë më parë”.

Si mundet që një bombë dixhitale të jetë më keq se një bombë reale? Së pari, shqyrtoni se si ne po shkojmë drejt një katastrofe, duke zhvendosur çdo aspekt të jetës dhe tregtisë në internet, në një kohë që s’kemi asnjë mënyrë, për t’i mbrojtur plotësisht këto sisteme. Është sikur të vendosësh familjen dhe të gjitha pasuritë e tua në një shtëpi, që si derë kryesore ka një perde berberi – në një zonë me krim të lartë dhe pa forca policore.

Prej një kohe të gjatë, ne jemi mbështetur në kompjuterë dhe softuere, për të komanduar sisteme të mëdha si rrjetet e energjisë, aeroportet, bankat, fabrikat dhe ushtritë. Tani, po investojmë miliarda për “Internetin e Gjërave” në shtëpitë tona, makinat, rrugët, lodrat, rrobat, kafshët shtëpiake dhe shumë më tepër. Këto pajisje ishin pika e dobët, që u bëri të mundur hakerëve vjeshtën e kaluar, që të rrëzonin kompanitë e mëdha të internetit si PayPal dhe Spotify në SHBA. Ne po e bëjmë pjesën më të madhe të punës tonë profesionale, gjatë këtyre kohëve, me softuerë dhe aplikacione, duke folur me kolegët në Slack, bërë pazar në Amazon, shkëmbyer në Tinder. Ne jemi në prag të mbushjes së rrugëve tona me makina me vetëngarje, ndërsa dronë robotë na sjellin pica. Të gjitha janë të ndërlidhura dhe të gjitha janë të brishta.

Ndërkohë, sulmet kibernetike vazhdojnë të intensifikohen, dhe ekspertët e sigurisë nuk mund të qëndrojnë një hap para hakerëve. I fundit, në mes të majit, ishte më i keqi deri më tani. Virusi goditi në 99 vende. Ngriu spitalet në U.K .; infektoi Ministrinë e Brendshme të Rusisë dhe bankën më të madhe, Sberbank; mbylli disa pjesë të Telefónica në Spanjë; dhe miliona kompjutera Uindous në Kinë dhe Indi. Koreja e Veriut mund ta ketë nisur këtë sulm, dhe shumë vende të frikshme, të mëdha dhe të vogla, po sponsorizojnë operacione gjithnjë e më të sofistikuara të piraterisë. “Ne dikur shqetësoheshim për Rusinë dhe Kinën, që godisnin infrastrukturën tonë”, thotë Steuart Baker, një ish-këshilltar i përgjithshëm për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare, në një intervistë për Qendrën Kërkimore Pew. “Tani duhet të shqetësohemi për Iranin, Sirinë dhe Korenë e Veriut. Kush e ka radhën? Hezbollahu dhe Anonymous”.

Sulmet e vazhdueshme na kanë lënë me një ndjenjë frike amorfe. Na thuhet se duhet ta mbrojmë veten me enkriptim dhe autentifikim me dy faktorë, që nuk është inkurajuese. Është sikur të informohesh, se duhet të gërmosh një hendek rreth shtëpisë tënde dhe të vendosësh harkëtarët në çati, sepse po vijnë visigotët, dhe askush nuk mund të të ndihmojë – kështu që, paçi fat!

Megjithatë sigurimi i shtëpisë suaj do të jetë i pavlefshëm në qoftë se një komb keqbërës, apo një grup kriminal kryen një sulm që dëmton rrjetet globale dixhitale. Vetëm imagjinoni se si do të ndodhte kjo. Le të themi se jeni në një qytet.

Në një sekondë, nuk keni komunikim. Edhe në qoftë se laptopët tuaj dhe celularët punojnë ende, ata nuk mund të arrijnë në asgjë – as Gmail ose ëhatsApp, ose Facebook. Presidenti Donald Trump nuk mund të shkruajë as në Tuiter për ta quajtur sulmin “të keq”!

Dilni jashtë dhe kuptoni se gjithçka është e zhurmshme, për shkak se semaforët janë fikur, dhe transporti publik nuk mund të lëvizë. Aeroportet ndalin fluturimet. Edhe satelitët janë bërë të padobishëm – nuk mund të mbështeteni tek GPS për të gjetur rrugën.

Shkoni në dyqan dhe duhet të paguani vetëm me para në dorë, sepse pajisja për të kaluar kartat nuk do të funksionojë. Njerëzit zbrazin raftet, të shqetësuar për furnizimet që po mbarojnë. ATM-ja nuk funksionon, dhe karta juaj e kreditit është e pavlerë pa teknologjinë ku mbështetet. Ju as nuk e dini, nëse llogaria juaj bankare është hakuar dhe zbrazur.

Tani, jeni të shqetësuar për ushqimin, ujin, sigurinë. Energjia elektrike ikën, për shkak të rrëzimit të sistemeve të shërbimeve. Policia është në rrëmujë, e mbingarkuar dhe e paaftë për të komunikuar. Sistemet spitalore shuhen. Pacientët në shëndet kritik, duke u mbështetur në pajisjet e automatizuara fillojnë të vdesin. Tregjet financiare ngrijnë dhe investitorët i kap paniku. Qeveria nuk mund të marrë informacion për njerëzit dhe mund të mos funksionojë fare.

Dhe kjo po ndodh në çdo qytet dhe çdo vend.

Sa kohë do të kalojë, para se njerëzit të kthehen kundër njëri-tjetrit? Para se të hyjnë në shtëpi që duken të pasura dhe të pajisura me ushqime? Para se armët të dalin nga kasafortat? Para se turmat të dalin jashtë kontrollit? Sa përkeqësohen gjërat, nëse sistemet janë aq të dëmtuara sa nuk mund të ndizen për javë, muaj, vite? Duket çmenduri, por një skenar i tillë bëhet më i besueshëm, me çdo sulm të përshkallëzuar në internet.

Ndërkohë që Trump dhe udhëheqësit e tjerë përqendrohen tek raketat, ne mund të shpresojmë vetëm që Kim dhe 20-vjeçarët e tij trushpëlarë, të fshehur në një bunker ushtarak, nuk e kanë zhvilluar armën e tyre të vërtetë të shkatërrimit në masë, në një MacBook. / Newsweek – Në shqip nga bota.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura