“Katar 2022” në dimër, FIFA: Klubet e pakënaqura s’do kompensohen. Turneu, 4 ditë më i shkurtër

Feb 25, 2015 | 16:34
SHPËRNDAJE

FIFA thotë se nuk do të paguajë kompensim për klubet dhe ligat e pakënaqura në lidhje me planet që Kupa e Botës “Katar 2022” të luhet në nëntor dhe dhjetor, raporton BBC.

Jerome Valcke

Ai tha gjithashtu se nuk është e nevojshme të kërkohet falje për ndryshimin e periudhës se kur do të mbahet turneu, i cili do të prishë axhendat e disa ligave.

“Nuk do të ketë kompensim”, tha sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke. “Ka shtatë vjet kohë për t’u riorganizuar”, vijoi ai.

Një grup i posaçëm pune në FIFA ka rekomanduar se turneu duhet të kryhet në dimër, për të shmangur temperaturat e nxehta verore të Katarit.

Komiteti ekzekutiv i FIFA-s do të takohet në Cyrih muajin e ardhshëm për të ratifikuar rekomandimin e Task-Forcës së FIFA-s.

Valcke sugjeroi gjithashtu se finalja e “Katar 2022” ka shumë gjasa të mbahet më 23 dhjetor.

Ai gjithashtu konfirmoi se Kupa e Botës e vitit 2022 do të jetë katër ditë më e shkurtër, si një “koncesion” ndaj ligave dhe klubeve. 28 ditë në vend të 31 ose 32 ditëve të zakonshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura