Katalogohen objektet e sekuestruara, plot 476 objekte kishtare

Jul 26, 2016 | 14:01
SHPËRNDAJE

Më në fund ka një shifër të saktë. Janë 476. Ikona, pjesë ikonostasesh, kryqe, temjanica e gjithfarëlloj objektesh, që kanë shërbyer në ritualin e krishterë, janë pjesë e një pasurie të tërë, sekuestruar tre vjet më parë nga Policia e Shtetit, koleksionistit Gjergji Thimio.

ikona sekuestrim

Që prej momentit të sekuestrimit janë dhënë shifra të ndryshme për objektet e sekuestruara, të cilat për një periudhë të gjatë bllokuan katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve. Tashmë është bërë katalogimi i tyre, i cili na jep jo vetëm një shifër të saktë, por edhe përshkrimin dhe gjendjen fizike për çdo objekt. Këtë lajm e jep ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

“Pas 1 viti pune prej milingone, Komisioni i ekspertëve të Trashëgimisë mbylli një punë gjigante për regjistrimin, katalogimin, kartelizimin e 476 objekteve ikonografike dhe dekorative të sekuestruara 3 vjet më parë. Sot ndodhen të sigurta e të depozituara në fondet e Muzeut Historik Kombëtar.

Katalogu do të shërbejë jo vetëm si bazë të dhënash, por edhe si një burim për të organizuar ekspozitat e posaçme me këtë material kulturor që do t’i shpalosim publikut së afërmi”, shkruan ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura