“Kastrati group” në çdo sektor/ Pas rrugës së Kombit dhe aeroportit të Kukësit, në garë për të blerë edhe atë të Rinasit

Dec 18, 2020 | 12:40
SHPËRNDAJE

Pas aeroportit të Kukësit, Rrugës së Kombit dhe portit të mallrave në Porto Romano, grupi “Kastrati” është në negociata për të blerë aksionet e kompanisë kineze “Real Fortress Private Limited”, e cila zotëron 100% të aksioneve të “Tirana International Airport”, që menaxhon koncesionin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Aeroporti i Rinasit, mbyllja koronavirusi (1)

Grupi kinez i shërbimeve financiare “China Everbright” njoftoi në prill 2016 se kishte nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, përmes filialit të saj “Real Fortress Private Limited”.

Të drejtat koncesionare u blenë nga tre aksionerët: “Albanian-American Enterprise Fund” (AAEF), DEG-”Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH” dhe “AviAlliance GmbH”, që kishin nënshkruar një kontratë koncesioni me qeverinë shqiptare në vitin 2004. Çmimi i shitjes së kuotave te kompania kineze ishte 82.25 milionë euro, sipas kontratës zyrtare.

KASTRATI

Në vitin 2019, qarkullimi vjetor i grupit iu afrua 90 miliardë lekëve (730 milionë euro), duke shënuar vitin më të mirë historik, pas një rritjeje të të ardhurave me rreth 5%. Në 2019-ën, Kastrati kaloi si grupi më i madh dhe për fitimet. Kompanitë kryesore të grupit “Kastrati” (tregtim me shumicë i naftës), “Kastrati shpk” (tregtim me pakicë i naftës), “Alb-Siguracion” (sigurime) dhe “Autostar Albania” (tregtim dhe shërbime ndaj automjeteve) raportuan në total një fitim prej 3.1 miliardë lekësh (25 mln euro), me rritje prej 12% me bazë vjetore.

Grupi “Kastrati” zotëron dhe 50% të aksioneve të “Albanian Highway Concession”, që menaxhon koncesionin e Rrugës së Kombit. “Tirana International Airport” deri në vitin 2019 ishte një nga sipërmarrjet më fitimprurëse në vend, me një normë fitimi që arrinte deri në gati 50%. Në 2019-ën, kompania raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh. Fitimi para taksave i kompanisë ishte 3.1 miliardë lekë, pothuajse i njëjtë me vitin e mëparshëm, duke u renditur e treta më e madhe në vend sa u përket fitimeve, pas “BKT”-së dhe “Raiffeisen”.

Norma e fitimit ra në 45%, nga 49% vitin e mëparshëm, për shkak të rritjes më të ngadaltë të të ardhurave në raport me shpenzimet. Në vitin 2019, TIA përpunoi një nivel rekord pasagjerësh, prej 3.1 milionësh. Qeveria ka qenë në negociata me koncesionarin e Rinasit për uljen e tarifave, pasi nga auditimet ka rezultuar se kompania koncesionare ka fituar më shumë të ardhura nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar.

TIA po rezulton ndër më të goditurat nga COVID-19 në vitin 2020, për shkak të pezullimit të përkohshëm të fluturimeve në tremujorin e dytë dhe tkurrjes së fortë në muajt e tjerë të 2020-ës. Sipas INSTAT, për periudhën janar-tetor 2020, numri i fluturimeve ka rënë me mbi 46% dhe transporti i pasagjerëve përmes ajrit është tkurrur me gati 60%, me bazë vjetore.

Koncesioni i aeroportit të Rinasit zgjat të paktën deri në vitin 2027. Konsorciumi “Tirana International Airport” (dikur “Tirana Airport Partners”), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë.

(DENONCIMI NE KUVEND I DEPUTETIT TE OPOZITES)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura