Kartolinat e munguara sociale të 8 marsit për gratë e fshatit tim!

Mar 14, 2023 | 7:20
SHPËRNDAJE

evasinanajEVA SINANAJ

Këtë shkrim po e sjell në një varant ndryshe, jo në formatin klasik narrativ, për të thyer pak monotoninë time edhe tuajën, për të sjellë buzëqeshje, meditim, për t’i dhënë mundësi lexuesit të gjejë ose jo veten e tij përmes mesazheve dhe këshillave sociologjike që evidenton ajo pjesë e realitetit që kap lupa ime sociologjike. Fokusi im këtë herë janë gratë, të cilat më shfaqen herë tipike, herë atipike. Nuk dëshiroj të shkruaj për gratë e shkuara, as të ripërsëris betejat, fitoret apo autorë mbi historinë e gruas. Dëshiroj të paraqes gruan e ditëve të sotme, e cila do ndikojë tek ajo e së nesërmes, atë gruan që takoj e shikoj çdo ditë në rrugë, televizion, revistë, familje, punë, shkollë etj. Nuk është e thjeshtë të flasësh për gruan dhe aq më pak e lehtë kur je vetë një e tillë. Kartolinat e mia me numra jo kronologjikë, të shkëputura nga arkiva ime, vinë si një buqetë reflektimi dhe dashurie për tjetrën grua.

KARTOLINA NR.13 “E HËNA E DIETËS”

Takova një të njohur grua, më pa nga koka te këmbët si të shikojnë të gjitha gratë “dashamirëse” dhe nuk më pyeti as si je, as si e ke të voglin, por direkt vuri në pah kilogramët e mi të shtuar. E njohura ime është e rritur dhe e shkolluar mjaftueshëm, thjesht më duket i pëlqeu fustani im, por nuk ia bënte ajo zemër e vockël të më komplimentonte. Episodi im, për të cilin jam e bindur ka plot të tilla në jetën e secilës grua, nuk duhet të na intimidojë dhe as të shkaktojë më të voglën mërzitje.

GRA, DUAJENI VETEN DHE GRUAN TJETËR!

Gra, duajeni trupin, vetullat, hundën, buzët sikur i ka falur natyra dhe serviruani burrave pamjen që keni. Ata duhet të mësohen edhe me disa kilogramë më shumë në momente të caktuara. Nëse ne ju paraqesim atyre vetëm pamjen, çfarë do të ndodhë me ta kur ne ta ndryshojmë këtë pamje. Do të na bëhet dashuria më e paktë? Kujdesu për veten. Jepi imazhin që ti dëshiron asaj me të vetmen porosi apo këshillë që ta bësh sepse ti e dëshiron dhe jo ai apo shoqëria.

NDJEHU MIRË ME VETEN!

Kartolina nr.45 “Robërimi social”

Nëse nuk ke një foto në borë, nuk paske jetuar hiç këtë dimër. Nëse nuk ke një foto në një vend të BE-së, nuk paske qenë e lumtur këtë dimër. Nëse je shtatzënë dhe nuk ke bërë setin e uruar me tylëra etj., nuk do të lehtësohen dhimbjen e lindjes. Nëse, nëse, nëse pa fund nëse! Pyetja ime është: a e lumturon qenien kjo jetë kolektive, ky trend i çmendur që vjen si një opium dhe modelon sjelljet sociale?

Përpiqu të jesh ti, pa u ndikuar nga masa. Jeto, festo, dashuro, pusho sipas mënyrës tënde. Largoju dukjes dhe karshillëqeve. Nuk është dëshirë e realizuar kopjimi dhe modelimi masiv.

Të modelosh sjelljen sipas një formati masiv kolektiv, do të thotë që e ke zhdukur vetveten dhe po jeton atë që duhet, atë që kërkon momenti dhe jo atë që dëshiron. Të lutem ndalu pak çaste dhe pyet veten: Kjo është ajo që dua unë, apo kjo është ajo që duan ata. Duke vepruar si masa nuk je më i lirë. Liria, ah liria, nuk ka lidhje me këto modele të robëruara sociale.

PSE KTHEHEMI NË ROBËRIM SOCIAL?

Sipas këndvështrimit tim modest, ne kemi frikë të duam dhe pranojmë veten. Të duash veten nuk ka lidhje me një vizion egocentrik. Të duash veten, do të thotë të kujdesemi për të, ta respektojmë dhe t’i japim vëmendjen e duhur. Të gjithë jemi krijesa të veçanta dhe pikërisht kjo sjellë frikë sociale. Çfarë bën njeriu? Në vend që ta pranojë me kënaqësi faktin se është i veçantë dhe i ndryshëm, i duket sfidë kjo, më mirë i bie shkurt dhe njëtrajtësohet me masën duke e kthyer të veçantën e tij njësoj me të tjerët.

Kartolina nr.31 “Gratë e fshatit tim”

Jetojmë në një kohë trendesh. Në kohën ku ajo që promovohet më pak është pozitivja. Jetojmë në këtë kohë ku absurdi, paradoksi është në modë. Ama, e mira është si ngjyra e zezë, nuk del kurrë nga moda. Jetojmë në një kohë të çmendur, të shpifur, pa rregulla loje. Jetojmë në kohën kur njeriu nuk e do njeriu, nuk gëzon për njeriun. Kohë lakmitare, e pangopur, e zgurdullepsur. Jetojmë në kohën e vrarë.

Jetojmë në të njëjtin fshat urban, social e virtual. Vërej se më shumë se disa prej jush tepër sfida të mëdha ju rëndojnë mendimet (thonjtë, botoksi, vetullat, firmat). Më shfaqesh si një kukull e bukur silikoni, jo me shumë formë dhe përmbajtje. Sikur lirinë e fituar ndër breza po e keqpërdor, ke harruar pak rolet e tua sociale dhe tepër kohë po i kushton dukjes që shpejt të biesh në rrjeta të pashëndetshme. Je bërë materialiste dhe individualiste. A e mendon vazhdimin e jetës? Mos harroni familjen. Mos harroni të bëni dashuri, të jeni monogame dhe të riprodhoni. Shtoni besimin dhe empatizmin. Mos harroni kontrollet mjekësore, të kërkosh vëmendje dhe të thuash të dua. Mos ndalo ecjen, hapin apo vrapin. Vendos limite kur ato shkelen nga padija apo dashakeqësia. Jeto me standard duke e krijuar dhe kërkuar atë.

KARTOLINA NR.177 “MJAFTUESHMËRIA ËSHTË RELATIVE”

Kur kuptova ligësinë e sëmurë patologjike të palës përballë, atëherë mendoj se e desha më shumë atë, njeriun e ngratë. Njëlloj ndjenje e pashpjegueshme mëshire. Sa kohë m’u desh? Mjaftueshmëria është relative. Nëse ke keqardhje për njerëzit që nuk e kanë bërë të lehtë rrugëtimin tuaj njerëzor, kjo është esenca dhe suksesi i jetës. Të duash njeriun si qenie. Të ruash shpirtin nga inati, mllefi dhe lutjet negative. Hakmarrja është armë, me të cilën luftojnë të paktët.

KARTOLINA NR.4 “GRUAS SË ZHVESHUR”

Shalët e zhveshura dhe cicat lakuriqe sjellin urinë e burrave. A do të shuash këtë uri, a do të jesh zonjë. Të dyja ato nuk rrinë. Ti ke lindur për tjetërçka

KARTOLINA NR.08 “TË DUA SHUMË”

Të them se të dua shumë dhe jam krenare që jemi një seks e gjini, kur shikoj tek përpiqesh me dinjitet, integritet, moral, vlera e etikë të rritesh në të gjitha rolet e tua jetësore.

Të dua shumë kur vishesh bukur, gëzoj për ty tek shikoj se je e përkëdhelur nga fati dhe se si rritesh çdo ditë. Lumturohem kur jep jetë. Bëhem një me ty kur je e mërzitur, e trishtuar, kur të duket se asgjë interesante nuk ka te ty apo jeta jote. “Budallaqe” e vogël po ku ka më sharmante dhe të bukur se e mira e zemrës dhe shpirtit tënd. Ti nuk je vetëm, kur të sulmojnë, kur të shajnë, kur të zilepsin, kur të xhelozojnë, kur të duan apo edhe kur të urrejnë. Nuk je vetëm kur të tradhtojnë, dhunojnë, vrasin, përdhunojnë, kur lufton me jetën apo kur ringrihesh.

E dashur grua metropoli ose jo, të lutem kushtoji më tepër vëmendje respektit dhe vlerësimit për veten. Dashuro e lumturohu pa zhurmë. Zhurmo për kauzat që na mbrojnë të gjithave nga pak. Zhurmo për të përmirësuar edhe jetën time që ka uljet dhe ngritjet e veta si çdo tokësor. Më duaj si gruan tjetër kushdo qofsha unë.

Unë të dua shumë si ty që të njoh, si ty që nuk të njoh apo si ty që do të njoh në rrugët e pambarimta të jetës.

Të dashura gra, mos harroni asnjëherë të jeni të mira, të sinqerta, bashkëpunuese e mbështetëse si bija, motra, shoqe, kunata, nuse, mama djali/vajze dhe mbesa. Mos harroni të drejtat tuaja dhe mos neglizhoni apo vendosni në plan të dytë detyrat tuaja sipas roleve që keni. Bekuar qofshin të gjitha gratë që japin jetë, dritë dhe mirësi familjes dhe rrjedhimisht shoqërisë.

Jetoni me vrull! Dashuroni me gjithë zemër! Qeshni me krejt shpirtin! Vazhdoni të ëndërroni! Diçka për të bërë! Diçka për të dashur! Gëzohu!

E juaja,

Sociologe Eva Sinanaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura