Kartëmonedhat

| 12:42
SHPËRNDAJE
 

Edmond Tupja

Edmond-Tupja-1

Njerëzit, kudo e kurdoherë, kanë shpesh pasione të vogla që i shoqërojnë gjatë tërë jetës. Kështu, shumë prej atyre krijojnë lloj-lloj koleksionesh që i shtojnë e i pasurojnë me një këmbëngulje të papërfytyrueshme duke nisur nga sulltanët, të  cilët koleksionojnë femra në haremet e tyre, deri te peshqdashësit që koleksionojnë peshq ekzotikë në akuariume, te fluturadashësish që koleksionojnë flutura dhe deri te filatelistët që koleksionojnë pulla poste. Pikërisht pulla poste kam koleksionuar edhe unë që kur isha fëmijë e shkoja në shkollë fillore.

Sidoqoftë, për t’u treguar i sinqertë me lexueset e lexuesit e mi vërtet besnikë, më duhet të pranoj që dëshira për të koleksionuar diçka më ishte shfaqur turbull disa muaj par se të largohesha nga kopshti i fëmijëve për t’u regjistruar në klasën e parë te Shkolla e Kuqe e kryeqytetit.

Shkak u bë zbulimi i rastësishëm – në një baule të vjetër të gjyshërve të mi – i disa kartëmonedhave të vjetra, pra të zhvleftësuara, të kohës së perandorisë austro-hungareze, të cilat më magjepsën me madhështinë e tyre hijerëndë në krahasim me kartëmonedhat shqiptare të fëmijërisë sime. Nga koha e kësaj magjepsjeje, më mbeti ndoshta ajo ndjenjë admirimi që, në mënyrë të pavetëdijshme, do të më shtynte më vonë drejt koleksionimit të pullave të postës dhe që dje, veçse në mënyrë krejt të vetëdijshme, më shtyu tek përsiatja e mëposhtme:

Zonja e zotërinj, merrni në dorë dhe hidhuni një sy – madje, nëse mundeni që të dy sytë – kartëmonedhave tona të sotme, d.m.th. prerjeve prej 200, 500, 1000, 2000 e 5000 lekësh (të rinj, sigurisht) që shpalosin me modesti firmat e guvernatorit e të drejtorit të Bankës së Shqipërisë, por me krenari portretet ballore apo në profil të disa prej figurave më të spikatura të historisë së kombit tonë ndër shekuj.

Fillojeni me kartëmonedhën 200 lekëshe, që ka nderin të tregojë portretin e Naim Frashërit, poetit më të madh të Rilindjes sonë Kombëtare, të shoqëruar nga vargu i tij i famshëm “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar”. Vazhdoni me kartëmonedhën 500 lekëshe që ka nderin të tregojë portretin e Ismail Qemalit, kryeministrit të qeverisë së parë shqiptare pas shpalljes së pavarësisë së vendit të çliruar më fund nga një zgjedhë otomane pesëshekullore. Shikoni kartëmonedhën 1000 lekëshe që ka nderin të tregojë portretin e Pjetër Bogdanit, shkrimtar, përkthyes, doktor në teologji e filozofi dhe atdhetar i flaktë.

Këqyrni kartëmonedhën 2000 lekëshe, që ka nderin të tregojë portretin e mbretit ilir Gent, i cili luftoi kundër romakëve në shekullin II p.e.r. Së fundi, përqendrohuni te kartëmonedha 5000 lekëshe që ka nderin të tregojë portretin e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, i cili, për njëzet e pesë vjet rresht, u bëri ballë me lavdi hordhive të sulltanëve osmanë duke mbrojtur njëkohësisht Rilindjen europiane nga barbaria aziatike. Tani që i vështruat me kujdes të pesë kartëmonedhat e Bankës së Shqipërisë, çfarë ju bie më shumë në sy? Asgjë? Vërtet asgjë?

Oh mos më zhgënjeni, ju lutem, madje ju përgjërohem! Miku im i vjetër Aqif Qifa, zotëri qibar me mendjen qiqër, vëren se një “Naim” vlen dy herë e gjysmë më pak se një “Ismail”, se një “Ismail” vlen dy herë më pak se një “Pjetër”, se një “Pjetër” vlen dy herë më pak se një “Gent” dhe se një “Gent” vlen dy herë e gjysmë më pak se një “Skënderbe”! Kështu? Atëherë, po ju pyes: a përkon ky vlerësim financiar me vlerësimin historik që meritojnë këto figura të shquara historike të kombit tonë?

Së fundi, meqë mendohet, madje edhe thuhet andej, këndej dhe herë pas here se Banka e Shqipërisë mund të nxjerrë një kartëmonedhë 10000 lekëshe, ndokush me të drejtë mund të pyesë: “Portretin e cilit personalitet do të përmbajë kjo kartëmonedhë?”

Sido që të rrjedhin ngjarjet në këtë drejtim, reagimi im ndaj kësaj pyetjeje do të ishte si vijon: Mos më thoni se kartëmonedha në fjalë do të shpalosë e valëvitë me një madhështi marramendëse portretin e kryeministrit Rama! Në qoftë kështu, i bie që një “Ramë” të vlejë  sa dy “Skënderbe” dhe, rrjedhimisht, i bie që zonja Spiropali, admiruese e flaktë e kryeministrit Rama, të ketë pasur të drejtë tek e krahasonte para disa kohësh këtë të fundit pikërisht me Skënderbeun!

Madje, në këtë rrethanë rrëqethëse, zonja në fjalë duhet nderuar nga presidenti i Republikës me Dekoratën e Lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu” ose, të paktën, me titullin “Kalorëse e Urdhrit të Skënderbeut”, veçse me detyrimin njëherazi madhështor, patriotik e partiak që, herë pas here, ajo t’ia hipë triumfalisht Kalit të Skënderbeut bashkë me kryeministrin e saj të shtrenjtë dhe thuajse të pavdekshëm!

 

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.