Karkanaqe për një karkacul

Mar 28, 2021 | 10:00
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPEtupe

Për ato të nderuara lexuese dhe për ata të respektuar lexues që ndoshta ende nuk e dinë ose kanë harruar se ç’janë karkanaqet, po i lejoj vetes luksin modest e të shfletuarit të “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006) për t’u mësuar atyre se karkanaqja është një “lloj gurabije e lyer përsipër me vezë e me gjalpë”. Lidhur, pra, me këtë fjalë krejt të pafajshme, së pari, po i lejoj vetes sërish luksin çapkën ta analizoj ose, më saktë, ta rrokjezoj atë në përputhje të plotë e të ndershme me “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2011) me autorë Ali Dhrimon dhe Rami Memushajn, si vijon: “kar-ka-na-qe”; së dyti, po i ribashkoj tri rrokjet e fundit, çka na jep “kar-kanaqe”; së treti, po konstatoj se gjasat janë që shumëkujt pjesa “kanaqe” t’i sjellë detyrimisht në mendje fjalën “kënaqe”; së katërti dhe së fundi, kënaqësia në fjalë, po të lidhet pashmangësisht me rrokjen e parë të fjalës “karkanaqe”, na shpie objektivisht e subjektivisht tek erotizmi, që ndonjë rrugaç a rrugaçe mund ta lexojë, me zë të lartë apo të ulët, “karkënaqe” ose, në të folmen tironse, “karkënoqe”, e cila, me tri shkronjat e saj të fundit, të sjell në kujtesë një fjalë deri diku po aq vulgare sa rrokja e saj e parë. Gijthsesi, erotizmin e kësaj fjale e bën edhe më të shijshëm fakti i lyerjes me vezë e me gjalpë i karkanaqes, sidomos kur e fut atë në gojë për ta lëpirë, kafshuar e ngrënë me qejf të veçantë.

Mirëpo lexueset dhe lexuesit e sotëm me siguri, tek po më lexojnë, pyesin veten se ku kërkoj të dal unë falë kësaj hyrjeje relativisht të gjatë lidhur me karkanaqen. Përgjigja ime është e thjeshtë fare: Dua të dal tek Edi Rama, ende kryeministër. Për pasojë, po nxitoj t’ua shuaj kureshtjen e ligjshme: Në vitin 2004, kur sapo kisha botuar “Fjalorin erotik të gjuhës shqipe”, të parin e këtij lloji në historinë e leksikografisë shqipe, më tringëllin celulari dhe Edi Rama, asokohe kryetar (me “t”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj) i Bashkisë së kryeqytetit, më thotë tekstualisht që në krye të bisedës: “O Tupe, o i paudhë, po masturbohet gjithë Tirana me atë fjalorin tënd!” dhe unë i premtova se do t’ia çoja një kopje në zyrë, sigurisht që edhe ai të masturbohej si lexuesit e tjerë të fjalorit në fjalë. Veprova kështu, sepse që nga viti 1992 njiheshin dhe deri diku e vlerësonim njëri-tjetrin. Përveç kësaj, kisha dëgjuar se edhe me vartësit e tij, ai i përdorte pa kompleks fjalët me ngarkesë erotike, madje edhe vulgare. Kjo lirshmëri në marrëdhëniet e mia të atëhershme me kryeministrin e ardhshëm, mbështetej edhe në faktin që më vonë në internet qarkulluan ca fotografi origjinale që e tregonin Edi Ramën në një plazh nudistësh (jashtë shtetit, besoj) ashtu siç e kishte bërë e ëma. Asokohe shumëkush u skandalizua nga ato fotografi, por pati edhe nga ata që e konsideruan lakuriqësinë e tij si tipar moderniteti. Këtë ma konfirmuan edhe dy simpatizantë të flaktë të Edi Ramës, pikërisht miqtë e mi Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, madje ky i fundit, në vend të fjalës “lakuriq” përdori fjalën “karkacul” lidhur me fotot në fjalë. Fjalë shumë  interesante: Ajo, në “Fjalorin drejtshkrimor” të lartpërmendur, rrokjezohet “kar-ka-cul”, fjalë kjo që, sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” paska tre kuptime: “trupgjatë”, “i veshur keq” dhe “lakuriq”, të cilët çuditërisht – sipas disave të paktën – kanë karakterizuar herë pas here Edi Ramën në periudha të ndryshme të jetës së tij në funksion të posteve të rëndësishme që ka pasur dhe ende ka, ose edhe kur nuk ushtronte kurrfarë funksioni shtetëror.

Si përfundim, le të më lejojnë lexueset dhe lexuesit e sotëm t’u kujtoj diçka domethënëse lidhur me fjalët “karkanaqe” e “karkacul”: Gati tetë vjet më parë, kur Edi Rama sapo ishte kacavarur tashmë lavdiplotë e zulmëmadh në postin e lakmueshëm të kryeministrit, gjatë një seance plenare të Kuvendit ndodhi diçka e pazakontë: Teksa fjalën e kishte marrë një deputet i opozitës, i cili, me sa dukej, i shkeli aq fort në kallo kreut të qeverisë (me “q”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të saj), sytë më zunë këtë të fundit tek mërmëriste një fjalë në adresë të folësit, të cilën fjalë, më vonë, disa gazetarë televizivë, sigurisht me ndihmën e ndonjë përkthyesi në gjuhën e shenjave (pra, për shurdhmemecët), e deshifruan nisur nga lëvizjet e buzëve kryeministrore në ekran. A e merrni me mend se cila ishte fjala që kishte shqiptuar pa zë zotëria në fjalë? Ishte pikërisht rrokja e parë e fjalëve “karkanaqe” dhe “karkacul”, rrokje kjo, me të cilën, sipas gjasës, Edi Rama, ende kryeministër, bën shpesh gargarë (me dy “g”, aspak me ndonjë shkronjë tjetër në vend të tyre).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura