“Karantina, sfidë serioze për ekonominë”/ Minxhozi: Perspektiva e rikuperimit mbetet ende e brishtë

Nov 5, 2020 | 8:00
SHPËRNDAJE

Rikthimi i masave shtrënguese vë në pikëpyetje ecurinë e ekonomisë. Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, tha se aktiviteti ekonomik ka ardhur në përmirësim gjatë muajve të verës, pas rënies së fortë të shënuar në tremujorin e dytë. Megjithatë, shtoi Minxhozi, pavarësisht tendencave pozitive, perspektiva e rikuperimit të ekonomisë në të ardhmen mbetet ende e brishtë.

luljeta minxhozi

“Vala e re e infektimeve dhe prezantimi i masave kufizuese në shumë vende, e potencialisht dhe në Shqipëri, paraqesin sfida serioze për shëndetin publik dhe për ecurinë e ekonomisë gjatë periudhës në vijim”, tha zv.guvernatorja në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës së BSH.

Sipas INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto ra me 10.2% në tremujorin e dytë të vitit, duke shënuar tkurrjen më të fortë në historinë shqiptare të dy dekadave të fundit. Në të njëjtin tremujor, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune dhe shkalla e papunësisë u rrit në nivelin 11.9%. Por nëse nuk diktohet një karantinë e dytë prej shifrave në rritje të rasteve me COVID, atëherë projeksionet janë për një ringritje ekonomike vitin e ardhshëm.

“Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e shmangies së masave ekstreme për kontrollin e përhapjes së një vale të dytë të pandemisë dhe reduktimin gradual të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rënie të ndjeshme për vitin 2020 dhe norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje në vijim. Në përputhje me këtë skenar, inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale në vitin në vazhdim. Më tej, rikthimi i aktivitetit ekonomik pranë potencialit do të krijojë kushtet për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022”, tha Minxhozi.

Stimuli i koordinuar fiskal, monetar dhe financiar, ka qenë një element vendimtar për zbutjen e pasojave të krizës. Zv.guvernatorja shtoi se masat monetare dhe financiare të marra nga Banka e Shqipërisë kanë synuar furnizimin e plotë me likuiditet të tregjeve financiare, reduktimin e kostove të kreditimit dhe të shërbimit të borxhit, si dhe një ndarje sa më të përshtatshme të barrës financiare të krizës midis sektorit bankar dhe bizneseve e familjeve shqiptare. Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës la të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura