Kapoja i trafikut thyente celularët pas çdo bisede. Frikë se përgjohej

Aug 30, 2015 | 11:06
SHPËRNDAJE

Personazhi kryesor i grupit kriminal që akuzohet për trafik droge me avion nga Shqipëria në Itali, i arrestuari Sokol Lamaj (Bruhamaj), ka qenë tepër i kujdesshëm.

Vladimir Zanaj, shef i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës
Vladimir Zanaj, shef i Burimeve Njerëzore në Policinë e Vlorës
Nën frikën se mund të përgjohej nga policia, apo i informuar në lidhje me faktin se mund të ishte në hetim, kjo ende nuk dihet, por pak ditë para kapjes së helikopterit me drogë në Itali, Sokol Lamaj ka bërë një veprim të çuditshëm. Ai fikte telefonin herë pas here dhe thuajse çdo ditë përdorte një numër dhe një aparat të ri celulari.

BISEDA ME POLICIN

Më konkretisht, sipas hetuesve, në datë 19.08.2015, Sokol Lamaj (Bruhamaj), me numrin e tij ka kryer biseda me përdoruesin e një numri telefoni të identifikuar se ishte në përdorim nga Vladimir Zanaj, me detyrë Shef i Sektorit të Personelit në DPQ Vlorë.

Mes këtyre dy personave mësohet se janë zhvilluar dy biseda, më saktësisht në orën 07:56:06 dhe në orën 08:33:58.

Bisedat janë zhvilluar në kohën kur forca të policisë kanë shkuar në zonën ku grupi kriminal kishte mbjellë drogë dhe kanë asgjësuar tri parcela me 387 bimë narkotike kanabis sativa. Aksioni është zhvilluar në fshatin Ramicë te përroi.

I njoftuar nga “rojet” e parcelave me drogë, Sokol Lamaj ka marrë në telefon zyrtarin e Policisë së Vlorës, duke i thënë se “kanë ardhur këta, po prishin parcelat”. Sipas hetuesve, pas asgjësimit të bimëve narkotike, Sokoli ka kryer disa biseda dhe më pas ka fikur telefonin.

Ky ka qenë veprimi i parë i kryer nga i akuzuari që, sipas hetuesve, të bën të mendosh se ai ka dashur të fshihte vendndodhjen e tij, duke e fikur fare telefonin.

DYSHIMET PËR PËRGJIMIN

Por i dyshuari nuk është mjaftuar me kaq. Pasditen e datës 20 gusht 2015, Sokol Lamaj ka marrë në telefon me një pajisje të re Igli Shahajn. Ai ka përdorur një aparat të ri telefonik dhe një numër tjetër.

Gjatë këtyre bisedave, Sokol Lamaj, sipas prokurorisë, është përpjekur të gjente lëndën narkotike që do të ngarkohej në avion në 24 gusht, pasi drogën që kishin përgatitur në parcelat e tyre e asgjësoi policia.

Pasditen e datës 23.08.2015, Sokol Lamaj ka zhvilluar biseda me Fadil Shahaj (roje i parcelave me drogë), dhe dyshohen se kanë transportuar një sasi lënde narkotike, e cila është trafikuar nga Vilson Lamaj mëngjesin e datës 24.08.2015 me avion nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Sokol Lamaj ka folur me rojën dhe transportuesin e drogës plot pesë herë atë ditë, nga ora 13:37 deri në orën 15:19. Sipas hetuesve, Fadil Shahaj dhe djali i tij, Igli Shahaj, kanë kultivuar parcela me bimë narkotike në periferi të Vlorës. Përgjimet kanë zbardhur edhe një ndër bisedat që lidhet me shërbimet dhe ujitjen e parcelave të kultivuara me bimë narkotike.

NISJA E AVIONIT

Ditën e nisjes së avionit me drogë drejt Italisë, në datë 24.08.2015, sipas hetuesve, Sokol Lamajn e kanë marrë në telefon xhaxhai dhe babai i tij që t’u tregonte ku ishte dhe të kthehej në shtëpi.

Bisedat janë zhvilluar prej orës 07:09 e deri rreth orës 08:30, ku ata kanë folur teksa ndodheshin në vendin e quajtur Kocul, Vlorë.

Po atë ditë, në orën 07:02 deri në orën 07:12, në afërsi të fshatit Xhelilaj, Vlorë, buzë lumit, sipas informacioneve të policisë italiane, rezulton që të jetë ulur dhe ngarkuar me 120 kg marijuanë avioni i pilotuar nga Vilson Lamaj, i cili u kap po mëngjesin e kësaj date në Brindizi, Itali, dhe u arrestua.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura