Kapllanaj: Jemi ngopur me farsa, Tirana nuk na tremb

Oct 17, 2017 | 18:16
SHPËRNDAJE

Rënia e Tiranës në Kategorinë e Parë “trembi” që në start skuadrat e tjera, të cilat pritën deri në momentin që mësuan grupin e skuadrës bardheblu, përpara se të investonin dhe të projektoheshin për të tentuar ngjitjen në Superiore.

agron kapllanaj

Mirëpo, prej këtyre ekipeve duket se bën dallim vetëm Bylisi. Jo vetëm nga ajo që është parë në fushë, por edhe për vetë bindjen e drejtuesve, të cilët presin rivalitet deri në fund.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, kryetari i Bashkisë së Mallakastrës dhe njëherësh edhe presidenti i klubit të Bylisit, Agron Kapllanaj, deklaron se skuadra e tij është e ndërtuar për të rivalizuar deri në fund, pavarësisht se pranon kualitetin e bardhebluve.

Kapllanaj

Zoti Kapllanaj, skuadrat që luajnë kundër Tiranës, e fundit Shkumbini, ankohen për arbitrimin. Si e konsideroni garën?

Të them të drejtën, për sa u përket ndeshjeve që kemi luajtur vetë deri më tani, nuk kemi asnjë kundërshtim në lidhje me arbitrimin. Kur të përballemi me Tiranën do të shohim dhe do të vlerësojmë gjykimin.

Sipas jush, a ka diçka në garë për t’u përmirësuar që edhe ju të shiheni si rival i barabartë?

Për hir të së vërtetës, edhe ne vetë e pranojmë që nuk jemi rivalë të barabartë me Tiranën. Sepse Tirana ka disnivelin, kualitetin dhe financat apo shumë gjëra që janë në avantazh ndaj nesh. Por sigurisht që ne kemi një ekip për të konkurruar denjësisht deri në fund me Tiranën dhe garën do ta bëjmë të bukur. Sipas meje, nëse shoh ekipe që mund të rivalizojnë dhe ta zbukurojnë garën, janë Bylisi dhe Tirana.

Po skuadrat e tjera?

Ekipet e tjera i shoh të dorëzuara, në aspektin e ambicies për daljen në Superiore. Pastaj gara ka rivalitetin e vet të përfshirë, duke qenë se ka edhe rrezik për rënie nga kategoria. Sipas meje, nuk ka ambicie nga ekipet e tjera për të dalë në Superiore, gjë që në vitet e tjera nuk ka ndodhur kështu.

Në këtë rast, a ndiheni më të penalizuar, meqenëse kryeqytetasit i “trembin” rivalët tuaj ndërsa me Bylisin tentojnë të krahasohen?

Jo, absolutisht nuk është penalitet kur një ekip të sheh si rival të fortë dhe kërkon të luajë futboll, apo kërkon edhe të të mundë. Përkundrazi është kënaqësi kur luan futboll dhe gjen një ekip të përkushtuar për të të mundur, pavarësisht se si do të jetë rezultati në fund. Kjo bën që gara të jetë e bukur sepse nuk dua të bëjmë formalitete. Kemi bërë boll formalitete dhe themi që të vazhdojmë me futbollin e bukur.

Diçka të tillë e bën emri i madh i Tiranës?

Jo, nuk është emri i Tiranës, por kualiteti i Tiranës. Duhet ta pranojmë. Megjithatë, ne do ta rivalizojmë deri në fund.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura