Kapiten në fitoren e fundit, Elvin Beqiri: Jonuz i ka kthyer mentalitetin Vllaznisë, kemi shanse ndaj Partizanit prej…

Oct 15, 2019 | 20:34
SHPËRNDAJE

Vllaznia po bind edhe më skeptikët në këtë fillimsezon. Ecuria fantastike në këto 7 javë ka bërë që pritshmëritë të rriten.

elvin beqiri

Tashmë kërkohet edhe fitorja ndaj Partizanit, ekip që kanë 4 vite e 7 muaj që nuk e mposhtin. E vështirë do të jetë, por assesi e pamundur. I këtij mendimi është Elvin Beqiri, ishmbrojtësi i kuqebluve. Ai ka qenë në fushë si kapiten asokohe, ndaj mundohet që të na rikthejë në kohë, duke na treguar diçka më shumë nga ai 90- minutësh. Gjatë intervistës së dhënë për “Panorama Sport”, trajneri aktual i Kombëtares U17 analizon në tërësi këtë kampionat dhe evidenton se falë Mirsad Jonuzit ky grup më në fund ka ndryshuar mentalitet.

Të saporikthyer në elitë dhe janë në krye të renditjes. E priste Elvini një start të tillë të Vllaznisë?

Jam shumë i kënaqur me startin që i ka bërë skuadra këtij kampionati. Deri më tani, ka kaluar çdo parashikim. Mendoj se është në rrugën e duhur. Tashmë shpresoj vetëm që të kenë vazhdimësi.

Beqiri

Ju e njihni mirë ambientin dhe ekipin. Çfarë ka ndryshuar?

Ndryshimi më i madh është në mentalitet. Dhe këtu, pa asnjë diskutim, merita i shkojnë trajnerit. Është e gjitha dora e tij, që ka kthyer besimin te këta djem. Grupi ka vetëbesim dhe këtë e shikojmë tek rritet nga takimi në takim. Ka grintë dhe dëshirë për të arritur maksimumin në çdo moment. Kjo të bën të besosh se rezultatet nuk do të mungojnë, nëse ruhet ritmi.

Këtë të shtunë do të ketë një provë të vërtetë force, do të sfidojnë kampionët në fuqi të Partizanit…

Përballje të tilla janë gjithnjë interesante. Ky duel bëhet më i bukur, pasi të dyja skuadrat janë aty-aty. Referuar asaj që kanë treguar, mendoj se nuk kanë diferenca. Partizani është një skuadër që vjen me kurorën e “kampionit” dhe ka shumë emra cilësorë në përbërje, por edhe Vllaznia nuk është për t’u anashkaluar, momentalisht ka një grup të mirë që po funksionon si duhet.

Beqiri Elvin

Cilin ekip shihni favorit?

Në futboll nuk ka favorit, por mendoj se Vllaznia ka më shumë optimizëm, grintë e dëshirë. Për më tepër që do të mbështetet nga tifozëria e zjarrtë vendëse. Kjo i jep më shumë shanse Vllaznisë. Por, gjithsesi, Partizani ka një grup të mirë dhe për më tepër është skuadra kampione që do të kërkojë të ngjitet në nivelin e sezonit të shkuar, pasi, për mendimin tim, ende nuk është aty ku ka qenë. Duke parë edhe atmosferën në kampin shkodran, them se Vllaznia do të arrijë një rezultat pozitiv.

Vllaznia nuk fiton që nga 8 marsi i 2015-ës dhe ju asokohe keni qenë në fushë si kapiten. Mendoni se ka ardhur koha që të thyhet tersi që zgjat prej 13 ndeshjesh radhazi?

Përballjet me Partizanin kanë qenë gjithmonë të forta. Edhe atëherë ne kishim besim dhe grintë për të fituar dhe ia dolëm. Në atë kohë të kuqtë luftonin për titull dhe ne për të mos rrezikuar. Sot, skuadra ka një motiv më shumë për të kërkuar maksimumin. Të jem i sinqertë, kam besim se ky ekip do të ecë mirë, jo vetëm ndaj Partizanit, por edhe më tej.

ADMIR URUÇI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura