Kapet në Vlorë Klement Çala, një nga të arratisurit e Burgut të Trikallës

Jun 29, 2015 | 19:53
SHPËRNDAJE

Klement-ÇalaPolicia e Vlorës ka mundur të arrestojë ditën e sotme Klement Çalën, një prej 8 shqiptarëve të arratisur dy vjet më parë nga burgu i sigurisë së lartë në Trikallë të Greqisë.

Së bashku me të, u arrestua edhe një person tjetër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit “Streha e Fundit”. Policia kishte më shumë se një javë që dyshonte se në një apartament, në rrugën “24 Maji” në Vlorë, fshihej Çala.

Menjëherë pasi konkretizuan informacionin, u krye ndërhyrja operacionale ku u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij.

Në momentin e arrestimit, Çala ishte duke drejtuar një automjet tip “Benz” me targë, AA 447 KO.  Policia sqaron se në momentin e kapjes ky shtetas braktisi mjetin dhe tentoi te largohej me vrap, por u neutralizua nga efektivet e policisë,  te cilët kishin rrethuar vendin ku u be ndërhyrja.

Në momentin e kapjes ai iu prezantua Policisë si shtetas kosovar me identitetin Semir Koca, i cili dispononte një Pasaportë dhe një ID, me të njëjtin emër që i përkasin Republikës së Kosovës.

Klement Çala u arratis nga Burgu i Trikallas në Greqi, së bashku me Ilir Kupën dhe disa persona të tjerë në vitin 2013-ën. Autoritetet Greke e kane shpallur në kërkim Ndërkombëtar pasi e akuzojnë (në mungesë) për:

Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim përfitime financiare me përdorimin dhe mbajtjen materialeve shpërthyese dhe armëve; grabitje me armë në bashkëpunim; vjedhja e objekteve të vlerave të larta nga institucionet financiare; vjedhje/grabitje në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur; tentativë vrasje në kuadër të konkurrencës kriminale në bashkëpunim; etj.

Nëse akuzat e ngritura nga shteti Grek vërtetohen nga autoritetet greke, ky shtetas rrezikon dënimin maksimal të mundshëm “burgim të përjetshëm” për  veprat e mësipërme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura